Delegacioni shtetëror i Republikës së Kosovës, i prirë nga kryeministri Hashim Thaçi, në të cilin bën pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, me ftesë zyrtare të shtetit të Vatikanit, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit të Dytë.
Një një ceremoni madhështore, të mbajtur në Sheshin Shën Pjetër në Vatikan, delegacioni shtetëror i Kosovës, i prirë nga kryeministri Thaçi është takuar me shumë personalitete dhe burrështetas nga mbarë bota.
Kryeministri Thaçi dhe ministri Hoxhaj kanë takuar Presidentin e Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, Presidentin e Komisionit Evropian, José Manuel Barroso, kryetarin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, kryeministrin e Italisë, Silvio Berluskoni dhe shumë burrështetas dhe personalitete tjera të vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Thaçi, takime me udhëheqësit e BE-së dhe burrështetas nga bota
Në këto takime është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në rajon, për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për tema tjera me interes.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me këtë rast ka prezantuar përkushimin dhe vizionin e institucioneve të Republikës së Kosovës për implementimin e plotë të të gjitha standardeve për integrimin e vendit në institucionet euro-atlantike, duke fuqizuar qeverisjen e mirë, efektive, efikase dhe trasparente, sundimin e rendit dhe ligjit, respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve dhe implementimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Kryeministri Thaçi gjithashtu në takimet që ka zhvilluar në Vatikan, ka ritheksuar angazhimin e fuqishëm të Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit rajonal, në interes të paqes, stabilitetit, si dhe të zhvillimit dhe integrimit sa më të shpejtë të rajonit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian i kanë premtuar kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi që do të mbështesin në vazhdimësi përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve kosovare për përmbushjen e standardeve dhe kritereve të integrimit. Perspektiva e Kosovës dhe qytetarëve të saj është padyshim perspektiva evropiane, kanë siguruar kryeministrin Thaçi udhëheqësit më të lartë të BE-së.
Ndryshe, ceremonia e Lumturimit të Papa Gjon Palit të Dytë është një nga ngjarjet më të rëndësishme botërore.
Pjesëmarrja e delegacionit shtetëror të Kosovës në këtë ceremoni shënon vizitën e parë shtetërore nga institucionet e Kosovës bërë Vatikanit, pas shpalljes së Pavarësisë.
Vatikani ka qenë përherë përkrah popullit të Kosovës dhe Papa Gjon Pali i Dytë ka qenë mik i madh i shqiptarëve dhe i Nënës Tereze.Papa Gjon Pali i Dytë është dëshmuar një nga figurat më të rëndësishme botërore, personalitet me vlera të mëdha shpirtërore, që ka dhënë një kontribut të madh në lirinë e popujve në gjithë globin. Në këtë kuadër kontributi i madh i tij dhe i shtetit të Vatikanit në proceset më të rëndësishme të lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit të Kosovës do të jetë përherë i çmuar nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës.