Ka plot 83 ditë prej kur po mbahet në Hagë.

E për lirimin sa me te shpejte te Haxhi Shales, i njohur si komandant Topi, po angazhohet avokati i tij pertej sfidave.

Toby Cadman, i cili tash e dy muaj s’u paguan, në një intervistë për T7 deklaroi se është i gatshëm ta bëjë këtë edhe pa para.

“Kam dy muaj që punoj për çështjen dhe nuk jam paguar. Unë nuk kam marrë ndonjë financim as më parë. Që kur u emërova, bëra një aplikim përmes ministrisë së drejtësisë. Fatkeqësisht ka pasur një vonesë të madhe nga ana e ministrisë së drejtësisë sepse në një moment ata kanë miratuar një rregullore të re ku kanë ndryshuar plotësisht kornizën se si po paguajnë ekipet ligjore dhe veçanërisht atë që po i referohemi. Ata kanë shkurtuar tarifat dhe kanë bërë ofertë 1000 mijë euro në muaj për të gjithë ekipin tonë ligjor, dhe padyshim që nuk është qasje serioze për këto gjëra. Këto janë akuza të rënda, z.Shala mund të dënohet deri në 10 vjet burg, dhe padyshim 1000 mijë euro nuk eshte nje qasje serioze. Tani padyshim që unë kam përgjegjësi ndaj z.Shala sepse i kam dhënë fjalën që do të vazhdoj ta përfaqësoj pa marrë parasysh rrethanat, por për momentin kjo na vë në një pozitë shumë të vështirë se si mund të përfaqësojmë interesat e tij”, tha ai.

Ndryshimin e rregullores për financimin e tyre nga ministria e Drejtësisë ky po e konsideron si proces të jashtëligjshëm.

“Vendimi që u mor dhe ndryshimi i rregullores ligjore ishte pasi u emëruam dhe pasi kishim paraqitur një kërkesë në përputhje me ligjin. Ne themi se është një proces i paligjshëm që ka ndërmarrë ministria e drejtësisë dhe kështu e apeluam vendimin. Ministrja e hodhi poshtë ankesën vetëm disa ditë më parë dhe tani po shqyrtojmë se çfarë masash të mëtejshme ligjore të ndërmarrim ndaj ministrisë dhe qeverisë. Sepse ajo që duhet kuptuar është se kjo është diçka që ndikon rrënjësisht në gjykimin e drejtë të këtyre individëve dhe sigurisht që të tre individët në rastin tonë janë në gjyq, gjithçka që kërkojmë është financimi adekuat që të mundemi siç duhet”, tha ndër të tjera ai.

Sipas tij, as ministria e drejtësisë e as Qeveria e Kosovës nuk po e marrin me seriozitet këtë çështje.

“Ajo që duhet të kemi parasysh është se Dhomat e Posaçme dhe në veçanti prokuroria është një institucion shumë i financuar, prokuroria ka një numër të madh të stafit që mund t’i hetojë këto raste dhe mund t’i ndjekë këto raste. Mbrojtja nuk e ka atë nivel mbështetjeje. Unë e kuptoj që Kosova nuk është një vend i pasur, kështu që këto burime janë të kufizuara, por ka një dallim të madh mes nivelit të financimit në të kaluarën dhe asaj që është propozuar tani. Unë kam shqetësime nëse kjo do të zgjidhet së shpejti, do të duhet të aplikojmë për ndihmë juridike përmes Dhomave të Posaçme, por mendoj se do të jetë një njollë në reputacionin e kësaj qeverie nëse vazhdon të veprojë në këtë mënyrë”, deklaroi ai për T7.

E sa i përket insistimit të tij për hetimin e ish-kryeprokurorit Jack Smith për shkak të dyshimit se i njëjti ishte i përfshirë në skandalin e dosjeve, Cadman qe ishte avokat edhe i Nasim Haradinajt, thotë se e gjithë situata ishte e dyshimtë.

“Mënyra e dorëzimit të dokumentit në shoqatën e veteranëve të luftës ishte shumë e dyshimtë dhe nuk u hetua kurrë siç duhet, dhe ne mendojmë se ishte ose dikush brenda Prokurorisë së Speciales ose ndoshta një agjenci e huaj e inteligjencës si Serbia, që do të kishte interes. Në ekspozimin e këtij procesi, thelbi i çështjes është se çfarë përmban ai raport. Kjo përfaqëson disa nga shqetësimet që kemi ngritur gjatë gjykimit dhe ankesës, por themi se e mbështet argumentin tonë se z.Haradinaj ka qenë në kurth kur u dënua”, tha Cadman.

SHPËRNDAJE