Bayern Munchen ka demoluar skuadrën e Stuttgartit, në paraqiten e parë në shtëpi, me rezultat si ai i tenisit, 6:1. Mesfushori shqiptar, i cili filloi takimin nga bankina, zëvendësoi Franc Riberyn, në minutën e 73-të.


Nënkampioni gjerman, Bayern Munchen, është duke kaluar në një formë impresive në fillim të këtij edicioni në Bundesliga. “Bavarezët” para adhuruesve të tyre në “Allianz Arena”, dërrmoi rivalët e Stuttgartit, të cilët i përcolli me rezultat të thellë, 6:1. Goleadën e nisën mysafirët, kur Harnik solli Stuttgartin në avantazh, 0:1 (25’). Por ky doli të jetë goli i nderit i tyre, pasi sikur ngacmuan futbollistët e Bayern Munchenit, të cilët shpërthyen me një lumë golash në bavari. Muller në minutën e 32-të, e barazoi rezultatin, 1:1, derisa vetëm dy minuta më vonë, Kroos, përmbysi rezultatin, 2:1. Gustavo, një minutë para përfundimit të pjesës së parë, shënoi golin e tretë për vendasit, 3:1. Ndërkaq në 45 minutat e dyta, Bayerni përkundër epërsisë vazhdoi me ritëm të lartë. Brenda gjashtë minutave ata shënuan edhe tri herë, së pari realizoi Mandzukic (47’), e më pas Muller shënoi golin e tij të dytë në këtë kalim (49’), derisa rezultatin përfundimtar e shënoi, Schweinsteiger (51’), për t’ia bërë “jetën ferr” deri në përfundim të takimit futbollistëve të Stuttgartit. Për dallim nga takimi i parë, kur kishte filluar nga minuta e parë, këtë radhë futbollisti shqiptar me pasaportë zvicerane, Xherdan Shaqiri u inkuadrua në lojë në minutën e 73-të. Përkundër avantazhit, ai asnjëherë nuk u ndalë dhe disa herë rrezikoi edhe më tej mysafirët. Bayerni nga dy takime, ka bilanc të qind për qind, me golaverazh prej plus tetë, ndërkaq në javën e ardhshme takohet me Mainzin, po në “Allianz Arena”, ndërkaq Stuttgarti e pret Hoffenheim.

SHPËRNDAJE