Shkruan: Nehat Hyseni

“Me këtë akt antikosovar dhe antishqiptar, Hashim Thaçi e vulosi fatin ogurzi të shqiptarve të Luginës së Preshevës, duke treguar urrejtje të tërbuar dhe mospërfije ndaj kësaj pjese të shqiptarisë!..” shkruan anlaisti për ceshtjen e Lugines prof.Nehat Hyseni ne agjencine e lajmeve “Presheva Jonë”

Problemet lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, Muri dhe problemet tjera lidhur me urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe harresa e plotë e çështjes diskriminuese të shqiptarve në Luginë të Preshevës, janë disa nga problemet kryesore që aktualisht e karakterizojnë skenën politike të Republikës së Kosovës dhe më gjerë.

Rrjedhimisht, fara e tradhëtisë kombëtare, që është mbjellur në Bruksel nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, më 19 prill 2013, ishte thikë pas shpine Kosovës dhe ardhmërisë së saj.
Kjo Marrëveshje e lidhur midis Thaçit e Daçiqit, me ndërmjetësimin e komisioneres së lartë të Unionit Europian,  baroneshës Catherinë Ashton, u nënshkrua pa kurrëfarë parimesh e kriteresh kombëtare e shtetërore të Kosovës, për sigurimin e pozitës së privilegjuar të serbëve të Kosovës, pa respektimin e parimit të reciprocitetit dhe kushtëzimin, pa përfilljen elementare, madje as pa  përmendjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës!
Në Bruksel nuk u përfill fare as vullneti politik i shqiptarve të Luginës së Preshevës i shprehur në Referendumin e 1 e 2 marsit 1992 për Autonomi politike e territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën!
Me këtë akt antikosovar dhe antishqiptar, Hashim Thaçi e vulosi fatin ogurzi të shqiptarve të Luginës së Preshevës, duke treguar urrejtje të tërbuar dhe mospërfije ndaj kësaj pjese të shqiptarisë!
Por, njëkohësisht, me këtë akt antikombëtar, sa duket, u vendos edhe për ndarjen e veriut të Kosovës me kufirin në lumin Ibër dhe u vulos definitivisht edhe fati i Republikës së Kosovës.
Për të mos mbetur mbrapa tradhëtisë së Thaçit, kryeministri
Mustafa e rikonfirmoi atë me nënshkrimin e Marrëveshjes së 15 gushtit 2015 me  Vuçiqin, me ndërmjetësimin e komisioneres së lartë të  BE-së, zonjês Frederica Mogherini.
Pra, fati i fundit të Kosovës unike dhe i shqiptarve të Luginës së Preshevës u  vulos me këto dy marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, kurse pasojat e tyre po i vuajmë tani e sa kohë dhe, sa duket, do t’i vuajmë deri në pafundësi.
Kësaj tradhëtie kombëtare i ka ndihmuar edhe “biznespolitika” e matrapazëve të Luginës së Preshevës, pjesë e të cilës ishte edhe Jonuz Musliu, i cili vazhdon me demagogjinë “patriotike”, duke qenë në koalicion qeverisës lokal madje edhe me partinë e “Sveti Savës”!

Ai dikur, për tu treguar “shqiptar i madh”, kishte deklaruar se është për bashkimin e Luginës së Preshevës me Shqipërinë, duke harruar se kemi ndërmjet Maqedoninë dhe Kosovën.
Se është i pa sinqertë e demagog i pandreqshëm, Jonuz Musliu e tregoi veten edhe ma tradhëtinë e paturpëshme ndaj lapidarit të UÇPMB-së, më 20 janar 2013, kur pati premtuar se “me 500 ushtarë do ta mbrojë lapidarin”, kurse kur u paraqit xhandarmeria serbe, ai dhe “ushtarët” e tij, as që u pa fare për ta mbrojtur e për t’i dalur zot lapidarit!
Prandaj, edhe kërcnimi i tij se do e ndërtoj një mur në Luginë të Preshevës, konsideroj se, ashtu si edhe premtimet e kërcnimet e tij për mbrojtjen e lapidarit,  nuk duhet marrë seriozisht.
Ato duhet kuptuar si pjesë e retorikës demagogjike që kanë për qëllim faktorizimin e tyre politik që do i siguroj rrogë të majme dhe të mirat dhe rehatinë e luksin që ia mundëson performansa e tillë e ushtrimit të politikbërjes demagogjike në emër të një pjese të shqiptarve në Serbi.
Prandaj, druaj se ëndrra për reciprocitetin midis shqiptarve të Luginës së Preshevës me serbët e Kosovës është varrosur përfundimisht në Bruksel, nga Thaçi e Mustafa, ashtu si edhe ëndrra për bashkimin e Mitrovicës dhe veriut të Kosovës nën sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës.

SHPËRNDAJE