Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, njofton se në një operacion të përbashkët të EULEX-it dhe autoriteteve vendase, është kapur një ngarkesë e konsiderueshme e drogës në vendkalimin kufitar Vërmicë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas njoftimit, në mëngjesin e 10 marsit, një njësi doganore mobile e EULEX-it dhe zyrtarë të njësisë K-9 nga Departamenti i Policisë Speciale (DPS) kanë bërë përzgjedhjen dhe kontrollimin e katër automjeteve, së bashku me Policinë dhe Doganën e Kosovës.

Njëri nga automjetet ishte një autobus i linjës së rregullt nga Shqipëria në Kosovë.

Stepan Krejci nga Njësia K-9 e Policisë Speciale të EULEX-it dhe qeni i tij e filluan kontrollin e bagazhit duke kërkuar për drogë dhe armë.

“Qeni tregoi interesim për tri çanta që kishin mbetur në autobusin që u ndalua”, është cituar të ketë thënë Krejci.

“Mendova se kjo ishte shumë e dyshimtë dhe menjëherë i informova doganierët dhe policët kosovarë.”

“Doganierët dhe policët kosovarë i hapën të tri çantat dhe i gjetën dhjetë paketime të mbështjella me ngjitës plastik transparent. Këto paketime përmbanin material që dyshohej të ishte marihuanë. Në lidhje me këtë janë informuar njësia e forenzikës dhe ajo anti-drogë të Policisë së Kosovës. Më vonë paketimet u hoqën nga bagazhet dhe u peshuan. Pesha totale e drogës ishte 10.5 kg. Me rastin tani është duke u marrë Njësia anti-drogë e PK-së”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

SHPËRNDAJE