erisaass%c2%a711Gazetari i agjencisë së lajmeve “Presheva Jonë” me Erisa Zykaj, zëvendëspresidente e PCE dhe Laurent Brihay. president i PCE  ne Bruksel

 

 

Gazetari i agjencisë së lajmeve “Presheva Jonë” është pritur nga Erisa Zykaj në Bruksel ne  Press Club Europe, në cilësinë e zëvendëspresidentes së këtij organizmi, post në të cilin ajo është që prej marsit të vitit 2014. Ndaj dhe fokusi i intervistës përqëndrohet te roli dhe pesha e mediave në Bruksel, si dhe veprimtaria e Brussels Press Club në nivelin e kryeqytetit të Bashkimit Europoin, në nivelin europian dhe  atë ndërkombëtar.

 

Erisa Zykaj është aktualisht korrespondente në Bruksel për televizionin ABCnews dhe TV KLAN (2010-2016). Më parë ka punuar për programin « Parlamento » të televizionit europian «  Euronews » (2008-2010) si edhe për servisin audiovizual të Komisionit Europian, Europe By Satellite (2009-2010) Nga viti 2006 deri në 2008 ka punuar për Top Channel, ndërkohë që për një periudhë paraprake gjashtë vjeçare ka punuar dhe shkruar për disa organe të shtypit të përditshëm si «Tema», «Bota Sot» «Lajmi», “Presheva Jonë” si dhe Radio France International, seksioni shqip.

 

PJ: E nderur zëvendëspresidente e Brussels Press Club Europe. Si funksionon organizmi ku ju jeni zëvendëspresidente dhe cfarë aktivitetetesh organizohen aty ?

erisazERISA ZYKAJ: Klubi i shtypi të Brukselit (BPCE) është një vendtakim profesional dhe social i gazetarëve të bazuar në Bruksel dhe atyre që vizitojë Brukselin, si dhe një vendtakim i medias me diplomacinë europiane dhe ndërkombëtare. Në fokus janë aktivitetet e organizuara për median dhe nga media, siç ka qenë së fundmi debati për situatën e medias në Turqi, çmimi i akorduar për mbrojtjen e idealit të reportazhit «Albert Londres», konferenca që do të organizohet në 27 tetor, për « gazetarët e kërcënuar » në Europë, si dhe takimet e ndryshme me gazetarët që vijnë nga të gjithë bota për t’u njohur më mirë me institucionet europiane dhe politika specifike të kësaj organizate. Unë si zëvendëspresidente kam pritur personalisht gazetarë nga Kanadaja, Rusia, Egjipti, Palestina, ishujt e Pacifikut dhe Ballkani dhe kam zhvilluar shkëmbime shumë të pasura me ta. Klubi i shtypit të Brukselit nxit kontaktet dhe bashkëveprimin midis gazetarëve dhe përfaqësive të shteteve anëtare pranë Bashkimit Europian, një numër të madh ambasadash dhe institucioneve europiane, të cilat organizojnë aktivitete të ndryshme aty. Unë kam moderuar disa evenimente që lidhen me marrëdhëniet e Bashkimit Europian me shtete të treta, politikat lokale në kuadrin e strategjisë Adriatiko-Joniane, apo forcimin e zërit të Kosovës pranë medias në Bruksel në një aktivitet me ministrin Enver Hoxha e aktivitete të tjera. Shumë gazetarë që vizitojnë Brukselin për pak ditë kanë arritur të gjejnë kontaktet e duhura me institucionet europiane përmes Klubit të shtypit të Brukselit, madje ka patur disa nga ata që kanë filluar karrierrën e tyre europiane falë kontakteve dhe takimeve në BPCE.

 

PJ: Ju ndiqni prej 13 vitesh aktualitetin e Bashkimit Europian për Shqipërinë, Kosovën dhe më gjerë Ballkanin për mediat shqiptare. Sa hapësirë zenë çështjet shqiptare në konferencat, dhe aktivitetet me gazetarët e mediave botërore ?

ERISA ZYKAJ:  Që me fillimin e mandatit të Komisionit Juncker, në nëntor të 2014, politika e zgjerimit nuk konsiderohet si prioritet i Bashkimit Europian dhe rrjedhimisht fokusi te Ballkani ka ndryshuar. Ky ndryshim i fokusit u diktua nga zgjedhjet europiane të 2014, ku qytetarët europianë dhanë sinjalin e qartë të lodhjes nga politikat europiane për shkak të pasojave të gjata të krizës ekonomike dhe financiare të 2008 me një rritje të konsiderueshme të papunësisë në shtetet anëtare të kësaj organizate, si dhe lodhjes nga zgjerimi i pestë i BE-së për shkak të pasojave të pranimit të parakohshëm të Rumanisë dhe Bullgarisë të papërgatitura për anëtarësimin në BE në 2007. Kriza greke, kriza e migracionit dhe vendimi i Britanisë së Madhe për të dalë nga BE-ja e ka thelluar edhe më tepër mosbesimin e qytetarëve europianë në politikat e Bashkimit Europian dhe politikën e zgjerimit. Skepticizmi në gjirin e shteteve anëtare për zgjerimin me vendet e Ballkanit nuk ka qenë kurrë më i madh se tani me shtete si Hollanda, që mund të bllokojnë çdo lloj anëtarësimi të vendeve të Ballkanit pa u siguruar për përmbushje të plotë të kritereve, Edhe pse Bashkimi Europian insiston që proçesi i zgjerimit vazhdon normalisht, ky proçes është ngadalësuar dhe konkretisht nuk është i ndershëm për të gjitha vendet. Shembulli konkret për këtë, është ngadalësimi i proçesit të liberalizimit të vizave afatshkurtra për qytetarët e Kosovës, ndërkohë që Serbia ka hapur negociatat e anëtarësimit në BE. Sigurisht që marrëveshja e MSAsë midis Kosovës dhe BE-së është arritje e padiskutueshme, por vendimi përmes të cilit qytetarët e Kosovës mund të prekin përfitimet nga integrimi europian është pikërisht lëvizja e lirë në Shengen dhe kjo po vonohet. Strategjia e zgjerimit nuk po funksionon siç duhet. Kjo reflektohet së pari me hapat shumë të ngadaltë në forcimin e shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe forcimin e institucioneve demokratike në vendet e Ballkanit, ndërkohë që këto janë prioritete absolute të politikës së zgjerimit. Dobësia e strategjisë së zgjerimit reflektohet gjithashtu në kapacitete të dobëta thithëse të programeve dhe fondeve të BE-së siç është rasti i Shqipërië, me probleme të mëdha struktutore, klimë të vështirë ekonomike dhe hapësirën e kufizuar fiskale në vendet e Ballkanit. Së dyti, kjo reflektohet me punën joefikase që bëhet nga delegacionet e Bashkimit Europian në shtetet e Ballkanit dhe së treti, në nivelin teknokratik të vlerësimit të arritjeve të çdo vendi në terren, ku progres-raportet për disa shtete nuk reflektojnë realitetin, por janë më shumë një kompromis që bëhet me qeveritë përkatëse. Ka patur kritika të hapura nga Parlamenti Europian, që progres raportet e Komisionit Europian për vendet e Ballkanit janë në shumë raste kopje të viteve të mëparëshme. Në këtë kontekst, ata që nxisin vëmendjen te dosja e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë janë korrespondentët shqiptarë dhe ballkanikë në Bruksel. Së bashku me kolegët e tjerë me pyetjet tona i vemë institucionet europiane para përgjegjësisë të reagojnë në vazhdimësi lidhur me probleme të mprehta në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Rastet e fundit që mund të përmenden janë ngritja e vazhdueshme e çështjes së vizave për qytetarët e Kosovës, ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, problemi i numrit të madh të parcelave të kanabisit në Shqipëri dhe trafikut të drogës nga Shqipëria drejt shteteve anëtare, moratoriumi i 228 shkencëtarëve për të ndalur ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit mbi lumin Vjosa, dialogu Prishtinë-Beograd, kriza politike në Maqedoni, referendumi në Republika Serbska në Bosnjë etj. Pra, nëse në Bruksel nuk pyeten vazhdimisht institucionet europiane për këto çështje, shumë të tilla rrezikojnë të mbeten në hije.

 

PJ: Cfarë peshe ka puna e një korrespondenti në Bruksel ?

erisazzaERISA ZYKAJ:  Duke qenë Brukseli është vendodhja e selisë së Bashkimit Europian, NATO-s dhe organizatave të tjera, puna e një korrespondenti në Bruksel ka një peshë vërtet specifike. Kjo pasi janë korrespondentët në Bruksel që përcjellin lajmet më të rëndësishme që merren në gjirin e Bashkimit Europian, të cilat përcaktojnë të ardhmen e kontinentit ne dhjetëvjeçarët e ardhshëm në fusha të ndryshme dhe jo vetëm. Janë korrespondentët në Bruksel që mund të zbulojnë dhe zbërthejnë detaje të rëndësishme të vendimeve për shtetet e tyre anëtare. Në plot raste, puna e korrespondentëve në Bruksel ka një impakt shumë të madh te vetë qeveritë e vendeve përkatëse, për mediat e të cilëve ata punojnë. Shembulli i fundit për mua ishte ai i shqetësimit të institucioneve europiane për problemin e kultivimit të lëndëve narkotike dhe trafikut të drogës në Shqipëri, Qëndrimi i Komisionit Europian është, se ky problem është marrë shumë seriozisht, ndërkohë që eurodeputetë si Eduard Kukan problemi i kultivimit dhe trafikut të drogës është një problem gjigand, pasi ai rrezikon të kthejë sërisht imazhin e Shqipërisë si vend i trafiqeve dhe krimit të organizuar. Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, në vend që të trajtojë problemet e shumta ekonomike, sociale dhe ambientaliste që kanë qytetarët shqiptarë, ai shfrytëzon debatin në Kuvendin e Shqipërisë për të shfryrë inatin për pyetjen që drejtova në sallën e shtypit të Këshillit të ministrave të BE-së gjatë takimit të stabilizim-asocimit BE-Shqipëri lidhur me problematikën e drogës. Kjo tregon frustracionin e një kryeministri që nuk arrin të zgjidhë shqetësimet e qytetarëve dhe merret me gazetarët që bëjnë punën e tyre.

 

PJ: Sigurisht keni bashkepunim edhe me qendrën simotër në Gjenevë të drejtuar nga kolegu Guy Mettan. Cfarë është ky bashkëpunim ?

ERISA ZYKAJ:  Bashkëpunimi që kemi me Guy Mettan është në kuadër të federatës europiane të klubeve të shtypit dhe federatës ndërkombëtare të klubeve të shtypit. Asambleja e përgjithshme e federatës europiane dhe asaj ndërkombëtare u zhvillua këtë vit në klubin e shtypit zvicerian në Gjenevë nën drejtimin e Guy Mettan, që kishte përgatitur një program të shkëlqyer në të dyja nivelet. Kemi zhvilluar debate të mprehta për çështje të ndjeshme të gazetarisë, siç është qasja ndaj propogandës, për punën që bëjnë klubet e shtypit në nivelin europian dhe ndërkombëtar për të debatuar konfklikte të mprehta europiane dhe ndërkombëtare, si dhe përpjekjet për të aktivizuar sa më shumë studentët në gazetari dhe të rinjtë gazetarë. Takimi në Gjenevë na mundësoi të kishim edhe një shkëmbim të veçantë me drejtorin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe të vizitonim muzeun e Kryqit të Kyq që është vërtet impresionues.eriss11

SHPËRNDAJE