Në proces të vendimmarrjes për njohjen e Kosovës janë edhe disa shtete anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike, që tashmë quhet organizata për Kooperim Islamik

Kështu i tha RTK-ës ministri i jashtëm ,Enver Hoxhaj, i cili është ftuar të marrë pjesë në punimet e radhës së kësaj konference në Stamboll. Sot ministri Hoxhaj do të zhvillojë disa takime me ministra të jashtëm të vendeve anëtare të kësaj organizate islamike.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj, ka marrë premtime nga disa vende anëtare të Organizatës për Kooperim islamik, se do ta njohin shumë shpejt pavarësinë e Kosovës. Ai se disa vende tashmë janë në proces të vendimmarrjes.

“Ka disa vende islamike, që në javët dhe muajt e ardhshëm do të marrin vendime për njohjen e Republikës së Kosovës. Disa prej tyre janë në proces të vendimmarrjes tashmë”.

Në takimin e radhës së konferencës që është mbajtur në Stamboll, ministri Hoxhaj ka zhvilluar disa takime bilaterale me ministra të vendeve anëtare të organizatës dhe në fokus ka pasur nevojën për shtrirjen e njohjeve. Për këtë proces, ministri Hoxhaj tha se është i koordinuar shumë mirë edhe me zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli, i cili po vazhdon lobimin në vende të Afrikës.

Ministri Hoxhaj veçoi kontributin e Pacollit për njohjet e kësaj jave.

”Pa dyshim ka bërë një punë shumë të madhe në Afrikë dhe rezultat i punës së tij janë edhe tri njohjet nga vendet e Afrikës. Unë jam shumë i sigurt se në javët e ardhshme do të kemi njohje edhe nga pjesë tjera të botës, por pa dyshim ajo që ka ndodhur gjatë javës së fundit, fal përkushtimit të Pacollit është një mrekulli”.

Gjatë qëndrimit në Stamboll ministri Hoxhaj ka pasur një takim të veçantë edhe me ministrin e jashtëm turk, Ahmet Davutogli, të cilin e ka njohur me zhvillimet në Kosovë, sidomos në veri. Por e veçanta e takimit ka qenë kërkesa që Turqia ta ndihmojë në përmbylljen e procesit të njohjeve të Kosovës, tha ministri Hoxhaj.

22 vende anëtare, prej 57 sa ka Organizata për Kooperim islamik, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ministri Hoxhaj do të vazhdojë takimet bilaterale me ministra të jashtëm të shteteve edhe gjatë ditës së sotme në Stamboll.

SHPËRNDAJE