Intervistë ekskluzive me artisten, kompozitoren dhe këngëtaren e njohur shqiptare në Evropë të muzikës JAZZ

Elina Duni është surpriza më e bukur muzikore e shekullit te 21-të në Zvicër (Elina Duni est la plus belle surprise musicale de ce 21e siècle en Suisse) E dashuruar pas muzikës popullore shqiptare, Elina Duni jeton dhe vepron që prej 18 vjetësh në Zvicër.  Kjo muzikë i ka dhënë Dunit mundesinë të ruajë integritetin, pasi keshtu ka gjetur një mënyrë për të ndërthurur dy botët e saj : Zvicrën dhe Shqipërinë.

Bernë, 13 shkurt / AIK-Presheva Jonë

Nga albumi i botuar sivjet “Lume lume – Elina Duni Quartet”, ka kënge që vajza e kultivuar në Gjenevë e Bernë, i mban vetëm me vokalin e saj: provë se është ky zë risia më madhe që anët tona kanë ngritur këto vitet e fundit në nivel europian në lëmin e folkut, quajeni po të doni edhe folk-jazz, kane shkruar mediat tona dhe zvicirane.

Drejtori i AIK “Presheva Jonë” në bisedë me artisten dhe kengtararen e njohur Elina Duni

Festivali i jazz-it në Ebersvalde, pranë Berlinit! Vajza në skenë është shtathedhur dhe flokëgjate, me rroba qe nuk bien ne sy, thjesht të zeza dhe me çorape te përveshura. Kur mbaron një këngë, ngre shishen e plastikës nga toka dhe pi ujë. Elina është ende studente e Jazz-it në Bernë, ndonëse kjo s’e ka penguar aspak te jetë prezente në skenat më të mëdha evropiane. Ajo deri më tash ka mbajtur një sërë koncertesh, përveç në tokat shqiptare edhe në Zvicër – ajo ka luajtur në Gjermani, Austri, Francë, Belgjikë, Norvegji, e gjetiu…

Në vitin 2008 DW Elinën tonë  e prezanton :  « Shqiptarja 28-vjecare e muzikës jazz, Elina Duni, duket se është e përkëdhelura e kritikës, ndaj edhe përherë e më tepër, me zërin e saj po pushton skenat dhe sallat e mëdha evropiane te Jazz-it ». Pasioni i saj e shtyu të zbulojë muzikën e vëndeve të tjera të Ballkanit. Ishte pianisti Colin Vallon që pati idenë të ripërpunonte në jazz disa këngë të njohura të muzikës popullore ballkanase dhe në këtë mënyrë u krijua projekti i kuartetit.

Të këndosh jazz në gjuhën e Kadaresë apo të zhysësh muzikën shqiptare në tingujt suavë?

Elina Duni u largua nga Shqipëria në moshën 10-vjeçare dhe ka kryer pjesën më të madhe të edukimit të saj muzikor në Zvicër. Përveç kësaj ajo njeh mirë letërsinë dhe folklorin shqiptar. Cilësitë e saja, frut i zhvillimit personal i cili filloi që prej fëmijërisë, i kanë dhënë mundësinë të ndërthurë dijet e saja të të gjithë skutave të jazz-it vokal me dashurinë e saj për të komunikuar me traditat muzikore, natyrisht gjithnjë duke i dhënë prioritet mëmëdheut Shqipëri.

Megjithë agjendën e ngjeshur, këngëtarja dhe artistja e njohur shqiptare “vodhi” pak kohë për të biseduar për agjencinë tonë informative. Për hirë të rrespektit  intervistën e  zhvilluam tek ajon në kryeqendrën helvetike në Bernë, ku  artistja jonë e re dhe simpatike iu përgjigj pyetjeve tona me kënaqësi.

Presheva Jonë : Fillimisht zonjusha Elina Duni na thoni kush është kjo “Elina” e cila me zërin e saj melankolik dhe joshës ka arritur që  për pak kohe të mahnisë jo vetëm publikun shqiptar, por edhe atë evropian, duke e lënë gojëhapur ?

Elina DUNI
: Hapat e mi të parë në skenë kanë nisur që në moshën 5-vjeçare si këngëtare, ndërsa paralelisht mësoja violinën. Kurse në moshën 12-vjeçare fillova mësimet për piano klasike në Konservatorin e Muzikës në Gjenevë. Më vonë kalova maturën për muzikë dhe gjuhë moderne në Gjenevë e në vijim studiova në Shkollën e Lartë të Arteve në Bernë në degën Jazz për këngë, kompozim dhe pedagogji.

Presheva Jonë : Derisa sot në Kosovë por edhe në Shqipëri e Maqedoni “liderët” e muzikës janë dhënë pas  muzikës me dahire, apo tallava e rapë, po juve si ju lindi ideja për jazz-in, ku e gjeni frymëzimin, meqë për këtë zhanër duhet pasur edhe “veshë” edhe publik. Dhe nuk thonë rastësisht më trego çfarë muzike dëgjon, të tregoj kush je ?

Elina DUNI : Për mua muzika jazz ishte një zgjedhje më se evidente. Jazz-in e zbulova qysh në moshën 18-vjeçare duke dëgjuar albumin e Miles Davis: Kind of Blue. Ishte ky një zbulim i madh për mua, në veçanti atmosfera, tingulli dhe liria e kësaj muzike. Më pas kam adhuruar dhe kam dëgjuar me ëndje  këngëtaret më të shquara si Ella Fitzgerald dhe Billie Holiday, e më vonë nisa  të interpretoja  repertorin e njohur të jazz-it. Për muzikën që ne luajmë si kuartet frymëzohem shumë nga muzika popullore e Ballkanit, versionet folklorike të këngëve dhe jo të përpunuar, por gjithashtu edhe prej jazz-it modal, free e atij të disa artistëve skandinavë. T’ju them të drejtën,  muzikën popullore shqiptare e zbulova në Zvicër dhe dashuria ime për të më dha dëshirën të zbuloj muzikën e vendeve të tjera të Ballkanit. Në fillim pianisti Colin Vallon pati idenë të ripërpunonte disa këngë popullore ballkanase dhe në këtë mënyrë u krijua projekti i kuartetit. Kjo muzikë më dha mundësinë të ruaj integritetin, pasi gjeta një mënyrë për të ndërthurur dy botët e mija : Zvicrën dhe Shqipërinë. Pas publikimit të albumit të parë « Baresha » (2008, Meta Records),  në 2010 doli albumi i ri « Lume, Lume » në të cilin ka shume emocion. Albumi fillon me një version a capella të « Kënga e Qamiles », këngë dashurie në një gjuhë të pastër. Por edhe njëmbëdhjetë titujt e tjerë të albumit janë po aq autentikë e të denjë, e pothuajse anakronikë. Shoqërohem nga një trio krijuese e përbërë prej Colin Vallon në piano, Patrice Moret në kontrabas dhe Norbert Pfammatter në bateri; me prejardhje nga skena e shumë përfolur zvicerane.

Elina si “Yllka” në filmin shqiptaro-zviceran

Presheva Jonë:  Përveçse si këngëtare dhe kompozitore në opinonin shqiptar njiheni edhe si aktore – nëse kujtojmë interprétimin tuaj në filmin shqiptaro-zviceran, “Yllka”  Mund të na thoni diçka më tepër rreth këtij filmi dhe rolit tuaj?

ELINA DUNI: Filmi « Yllka » është një film i Maya Simon dhe Ylli Pepo, ku luajnë Bessa Myftiu, Zamira Kita, Xhenis Vehbiu dhe unë. Ky eshtë një realizim zviceriano-shqiptar, një film simpatik me humor të hollë dhe një këndvështrim shumë origjinal, krejtësisht modern. Historia e Yllkës fillon në 1991, në momentin kur përmbyset regjimi komunist në Shqipëri.  Heroina niset në Zvicër për të kërkuar njeriun e ëndrrave të saj, e shoqëruar nga mikja e saj Mira dhe nga e bija dhjetë vjeçare, Doruntina, e cila na tregon me qesëndi dhe humor aventurat e së ëmës.  Shqiptaret kanë në dispozicion vetëm një javë për të gjetur nga një burrë. E zhgënjyer prej një zviceriani, Mira kthehet në Shqipëri, martohet  dhe vazhdon karrierën e saj si aktore. Yllka,  skenariste në atdhe, lan xhamat në Zvicër, shërben në kafene dhe bën punë të tjera të vogla. Pasi ka takuar një fotograf të droguar, një muzikant përtac dhe një shkrimtar homoseksual, ajo vazhdon të kërkojë njeriun ideal.  A do ta gjejë ?  Me “Yllkën”, kinematografisë shqiptare i shtohet një film antikonformist dhe një bashkëpunim ndërkulturor i suksesshëm. Më në fund një film që flet mbi dashurinë pa skena pornografike ! I freskët dhe ekzotik, me humor dhe prekës, duhet të shikohet patjetër, nga të gjithë meshkujt që interesohen për femrat… dhe nga të gjitha femrat që interesohen për meshkujt.Thonë se femrat dhe meshkujt jetojnë në dy planete të ndryshme. Yllka hyn në orbitë duke shpresuar një përplasje dhe  prek pjesën më intime tek secili prej nesh, atë pjesë që nuk pushon së kërkuari gjysmën tjetër

Presheva Jonë : Sigurisht keni dëgjuar për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën që ndër ne njihen si Kosovë lindore edhe pse aktulaisht gjënden nën administrimin serb. Keni ndërmend një ditë t’i këndoni publikut  të këtyre viseve shqiptare ?

ELINA DUNI: Sigu
risht që kam dëgjuar për këto vënde. E di se atje, përkundër polikës antishqiptare,  zhvillohen aktivite kulturore, muzika e kënga shqip s’ka te ndalur si edhe në gjithë trojet e tjera shqiptare. Besoj dhe shpresoj se së shpejti do të kendoj para publikur preshevar.

KUSH ESHTE BASHKËBISEDUESJA JONË

Elina Duni ka lindur në Shqiperi dhe me muzikën e saj ka arritur të ndërthurë këngët folklorike të vendit të saj me jazz-in bashkëkohor të një kualiteti të lartë duke krijuar një zhanër të vetin plot pasion dhe thellësi ndjenje. Për Elina Dunin, përveç mediave tona në Shqipëri e Kosovë, kanë shkruar edhe shumë gazeta botërore nga ato zvicerane, franceze, gjermane e deri në Amerikë.   Elina Duni, vajza e intelekualëve Spiro Duni dhe Besa Myftiu shoqërohet nga një trio krijuese e përbërë prej Colin Vallon në piano, Patrice Moret në kontrabas dhe Norbert Pfammatter, bateri. Muzika e kuartetit frymëzohet shumë nga muzika popullore e Ballkanit por gjithashtu edhe prej jazz-it modal dhe free dhe atij të disa artistëve skandinavë.

SHPËRNDAJE