Bujanoc, 26 dhjetor 2016 – Partia më e re e themeluar në Luginën e Preshevës vitin e kaluar me seli në Preshevë, këtë vit e ka shtrirë aktivitetin e saj edhe në Bujanoc, tashmë edhe zyrtarisht.

Një nismë e të rinjve bujanocas, kryesisht të Partisë Demokratike, por edhe të pa përfshirë, e të pakënaqur deri më tani me partitë tjera, që nga e diela e 25 dhjetorit, kanë themeluar edhe zyrtarisht degën e saj në Bujanoc, Alternativën për Ndryshim të Shqiprim Arifit.
Me antonimin e himnit kombëtar dhe nderimin që i kanë bërë të rënëve është shënuar fillimi i pjesëmarrësve dhe simpatizantëve të kësaj partie me frymë të re politike, ku filli misht u është drejtuar me fjalën përshëndetëse kryetari i APN-së, Shqiprim Arifi, njëherësh dhe prefekt i komunës Preshevës.
“Sikurse në Preshevë tashmë edhe Bujanoci po ecën rrugës së prosperitetit, rrugë kjo e cila karakterizohet, në radhë të parë nga ndryshimi i mentalitetit politik”, ka theksuar Arifi, duke shtuar se “ky mentalitet nënkupton edhe decentralizimin e plotë të funksionimit brenda një subjekti politik, që do të thotë se APN-ja e Preshevës dhe e Bujanocit do të posedojnë autonomi të plota të veprimit, ndërsa veprimi i tyre do të bashkërendohet kur është fjala për çështjet kombëtare “.
Ndërkaq, Koordinatori i Alternativës për Bujanocin, Arbër Pajaziti, në paraqitjen e tij para të pranishmëve u ndal tek nismat e sistemit shumëpartiak dhe veprimi i UÇPMB-së duke shprehur njëkohësisht falënderime për gjeneratat që ishin bartëse të këtyre proceseve.
Pajaziti, ish-shefi i kabinetit të Nagip Arifit, duke folur për motivet e domosdoshmërisë së iniciativës për themelimin e APN-së në Bujanoc, u fokusua tek zhvillimet pas vitit 2002 e këndej, duke potencuar se “pas pak viteve miqtë ndërkombëtarë filluan të largohen, politikanët i kaploi uria e lakmia pas pushtetit, kurse të rinjtë u cilësuan si tepricë dhe të paditur”.
Politika ditore shtriu rrënjët nëpër familje e shoqëri, shtoi më tej Pajaziti, suke shtuar se përçarjet morën hov, ndërsa ishte rinia ajo që më së tepërmi i shijoi këto dukuri në lëkurën e saj. Se shpejti pritet themelimi i APN-së edhe në Medvejgë..
“Për pazaret e ngushta politike dhe për inatet klanore po nëpërkëmbej gjithçka dhe se nuk kishin rëndësi më shifrat në Kuvendin Komunal”, potencoi Pajaziti, duke shtuar diskutimin e tij: “Qenë shqiptarët 30 apo mbi 21 këshilltarë komunalë nuk kishte fare vlerë, por me rëndësi pë përfaqësuesit shqiptarë ishte kush po i tregon muskujt politikë”.
“Subjektet politike fjalën ‘reformë’ e përdornin vetëm si retorikë, kurse për përgjegjësi nuk flitej dhe as që guxohej t’i kërkohej ndokujt “, theksoi në fund Pajaziti, duke e përmbyllur diskutimin e tij: “Me gjithë këtë situatë, falë guximit dhe energjisë së rinisë e cila po merr situatën në duart e veta tash e tutje priten ndryshime pozitive në Bujanoc dhe këtë e patëm si dëshmi komunën e Preshevës, e cila ishte shndërruar në Bashkësi Lokale, por prilli i këtij viti bëri kthesën e madhe dhe se goditjet e bëra në Preshevë së shpejti do të nokautojnë edhe Bujanocin”.
Më pas, në takim janë paraqitur edhe anëtarët e Këshillit Nismëtar, forum ky i cili do të funksionojë deri në mbajtjen e zgjedhjeve nëpër nëndegët e kësaj partie, si dhe të Kuvendit Zgjedhor i cili do t’i zgjedhë organet e mandatuara partiake.
Agjenda e takimit të Këshillit Nismëtar të Alternativës për Bujanocit kishte filluar në orët e pasditës me përurimin e zyrave të këtij subjekti politik të cilat ndodhen në afërsi të ndërtesës së komunës së Bujanocit.

Lista me emrat e anëtarëve të Këshillit Nismëtarë të APN-së Dega në Bujanoc

Arbër Pajaziti, profesor i gjuhës shqipe nga Tërrnoci
Dr. Muharrem Sadiku, specialist i Radiologjisë, nga Malësia
Muzafer Destani, magjistër, inxhinier i teknologjisë ushqimore
Nedrete Zairi, studente e fak. të Mjeksisë nga Tërrnoci
Ilmi Aliu, laborant, nga Tërrnoci
Jeton Lutfiu, master i ekonomisë, nga Tërrnoci
Fitim Aliti, profesor i edukatës fizike, nga Tërrnoci
Dr Arif Jahiu, specialist i neuropsikiatrisë, nga Bujanoci
Florim Agaj, ekonimist, nga Bujanoci
Venhare Destani, juriste nga Bujanoci
Ramil Aliu, master i ekonomisë nga Bujanoci
Gentiana Behluli-Mehmeti, ekonomiste nga Bujanoci
Mendim Sopi, jurist nga Bujanoci
Erduan Fazliu, adm. publike nga Bujanoci
Vjollca Aliu, juriste nga Bujanoci
Abelant Zairi, student nga Bujanoci
Naim Musliu, profesor i gjuhës frënge nga Konçuli
Selhan Hyseni, mësues nga Lluçani
Edmond Isufi, jurist nga Turia
Izet Limani, fizioterapeut nga Somolica
Fismir Jahiu, ekonomist nga Letovica
Zuale Fetahu, politikologe nga Letovica
Xhejlane Jakupi, ekonomiste nga Nasalca
Erkan Jusufi, ekonomist nga Bilaçi
Fidan Hajredini, historian nga Osllara
Albulena Beqiri, ekonomiste nga Bujanoci.

Metali Krasniqi

SHPËRNDAJE