Ekspertë të EULEX-it nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore (DML) kanë qenë në një vend të dyshuar për varrezë masive në rajonin e Medvegjës në Serbinë Jugore, për të observuar lokacionin, ndërkaq nuk japin detaje tjera lidhur me këtë rast, me arsyetimin se kumtimi i rezultateve i takon autoriteteve të Serbisë.
Medvegjë, 9 shtator / AIK-Presheva jonë
Në njoftimin e EULEX-it thuhet se informacioni i pranuar nga Komisioni për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Kosovës, pretendon se një numër i panjohur i shqiptarëve të Kosovës, viktima të konfliktit të viteve 1998-1999, mund të jenë varrosur aty, njofton Telegrafi
Alan Robinson, bashkëkryesues i EULEX në DML, ka thënë “Ne kemi dërguar një ekip të gjerë të ekspertëve të mjekësisë ligjore në lokacionin e supozuar. Roli i tyre është shumë i qartë: të veprojnë si observues dhe të sigurojnë se metodologjia e duhur e mjekësisë ligjore është duke u aplikuar gjatë zhvillimit të operacionit në terren”.
Më tej thuhet se EULEX-i/DML është angazhuar aktualisht në hulumtimin dhe vlerësimin e disa lokacioneve potenciale për të qenë varreza masive në Vushtrri, Mitrovicë, Gjakovë dhe Prizren.
Deri më tani në 2011, mbetjet mortore të 51 personave të zhdukur më parë iu janë dorëzuar familjeve të tyre.