Lidhur me situatën aktuale, të krijuar pas shfaqjes së Covid19 edhe në Republikën e Kosovës, në një prononcim për “Presheva Jonë”, doktori dhe ish-ministri i shëndetësisë së Republikës së Kosovës, z. Ferid Agani ka thënë se përkundër vështirësive në fillim për shkak të sistemit shëndetësorë, ballafaqimi me këtë virus, duket i një gjendje optimale.

“Duke pasur parasysh specifikat e kësaj pandemie globale që e befasoi botën në katër muajtë e fundit, si dhe vështirësitë e mëdha me të cilat është ballafaquar sistemi shëndetësor i vendit në vitet e fundit, veçanërisht pas ndërprerjes së reformës shëndetësore në vitin 2014, konsideroj se reagimi institucional dhe qytetar ndaj kësaj epidemie në shtetin tonë përkundër disa lëshimeve në fillim të ballafaqimit me të, ka qenë optimal në aspektin kohor dhe operativ, krahasuar me reagimet e shteteve më të zhvilluara të globit.”, ka thënë doktori Ferid Agani.

z. Agani ka folur edhe për aspektin e shëndetit mendor të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pas vendimit të institucioneve për karantinim, ku ka thënë se megjithëatë, qytetarët do të dijnë ta menaxhojnë këtë vështirësi globale dhe nuk pritet të ketë shqetësime serioze tek qytetarët.

“Konsideroj se qytetarët e vendit kanë treguar shkallë të lartë të disciplinës dhe kulturës qytetare dhe përkundër situatave të caktuara ku janë bërë gabime, në përgjithsi mund të jemi të kënaqur me shkallën e bashkëpunimit ndërmjet tyre dhe institucioneve shtetërore. Të qenit pjesë aktive dhe qenësore e betejës madhore kundër armikut të padukshëm Covid 19 ka kushtëzua mobilizimin optimal të fuqive mendore, fizike dhe shpirtërore të qytetarëve kështuqë kam bindjen se qytetarët do të arrijnë të tejkalojnë këtë situatë pa pasoja serioze për shëndetin mendor, përkundër shkallës së lartë të stresit, ankthit e frikës me të cilin janë të shoqëruara masat ballafaquese si karantinimi, vetizolimi, kufizimi i lirisë së lëvizjes e ndërprerja e aktiviteteve punuese. Natyrisht se parakusht për këtë është rivendosja sa më e shpejtë e normalitetit dhe ripërtëritja e aktivitetit të plotë ekonomik.”, është shprehur ish-ministri Agani.

Kam qenë edhe kundër mocionit të mosbesimit të kësaj Qeveria në Kuvend, njejtë sikurse edhe kundër shkarkimit të Bordit të SHSKUK-ut, aq më tepër kur në arsyetimin e qeverisë, është thënë se arsyja pse po shkarkohet është se nuk janë përmbushur pritshmëritë nga ky bord.

“Ashtu siç isha kundër procedimit të mocionit të votëbesimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës në këto ditë tejet të vështira për shëndetin publik të vendit, në mesin e valës së epidemisë me virusin Covid 19, që goditi vendin tonë si pjesë e pandemisë botërore, ashtu konsideroj se vemendja qeveritare në mënyrë parësore duhet të përqëndrohet në mobilizimin e të gjitha resurseve profesionale, menaxheriale, teknologjike e institucionale për ballafaqimin me këtë infeksion viral. Sa e kuptova prej mediave, shkarkimi i Bordit është bërë për shkak të lëshimeve që nuk kanë të bëjnë me menaxhimin e situatës aktuale epidemike, nëse kjo është e saktë, mendoj se ky vendim ka mund të pres ditë më të mira. Njëkohësisht, konsideroj se është mirë që me këtë rast dhe në këtë situatë nuk është shkarkuar edhe Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK dhe ekipi i tij menaxhues.”, është shprehur z. Agani.

SHPËRNDAJE