Përmes figurës së Adem Stançiqit, që është bërthama përmbajtësore dhe lajtmotivi i këtij libri,ne e kuptojmë më mirë kohën në të cilën jetuan shqiptarët ka thënë në parathënien e librit Emin Azemi

 

Plotësim i boshllëkut institucional e akademik

 

Rahim Azemi vjen para publikut lexues me librin e tij të dytë,pas atij “Letrat pa përgjigje”. Libri i tij i dytë i titulluar “Adem Stançiqi-profili socio psikologjik”, është më tepër një rrugëtim shumë i sigurt, jo emocional dhe krejtësisht i arsyeshëm, në pasqyrimin e një periudhe sa të vështirë,sa sfiduese,aq të rëndë e provokuese.

 

Për librin e Rahim Azemit kanë shkruar dy gazetar e publicist Emin Azemi dhe Nexhat Buzuku të cilët në trajtesat e tyre kanë vlerësuar lartë angazhimin profesional dhe të palodhshëm disa vjeçar të autorit, duke e kuptuar librin e tij si plotësim të boshllëkut institucional e akademik për të afirmuar figurat e merituara të kombit,por edhe si respekt e kujdes ndaj tyre.

 

Emin Azemi në parathënien e librit ka thënë se përmes figurës së Adem Stançiqit, që është bërthama përmbajtësore dhe lajtmotivi i këtij libri,ne e kuptojmë më mirë kohën në të cilën jetuan shqiptarët .Sipas tij trajtimi monografik i figurës së Adem Stançiqit vjen në kohën kur Shqipëria Londineze po kremton 100 vjetorin e pavarësisë.

 

“Autori ka marrë mbi vete një barrë të madhe kur ka vendosur që simbolikën e këtij udhëtimi njëshekullor të shqiptarëve ta shtrijë edhe në kontekstin e ndriçimit të një personaliteti,i cili padrejtësisht është mbajtur në harresë nga shoqëria e gjerë” ka spikatur Azemi.

 

Gjithnjë sipas Emin Azemit, autori i librit ka arritur të portretizojë figurën morale,kombëtare e njerëzore të Adem Stançiqit duke i afirmuar linjat dalluese të një prijësi. “Sfondi socio –psikologjik i krejt materies së librit ka në prapavijë një kronologji ngjarjesh e personash,të cilët futen në strukturën e librit si aktorët në skenën e një teatri. Zgjerimi i figurës së Adem Stançiqit në plotëninë e librit është proporcional me zgjerimin e autoritetit dhe ndikimit të tij në fshat,në Karadak dhe më gjerë” ka thënë ai.

 

Emin Azemi me të drejtë ka thënë se libri i Rahim Azemit ka për qëllim të argumentojë shkencërisht se asnjë figurë historike nuk vjen vetvetiu,spontanisht,por asaj i paraprijnë disa rrethana të brendshme e të jashtme.”Adem Stançiqi kishte arritur ta sfidonte krimbin e pushtetit,për dallim nga disa të tjerë që u bënë ushqim i freskët për krimbat e uritur të pushteteve e pushtuesve të ndryshëm”ka nënvizuar Azemi.

 

Edhe gazetari Nexhat Buzuku në pasthënien e librit ka thënë se autori i librit përmes kryepersonazhit Adem Stançiqi dhe personazheve të tjerë të shumtë,që njëkohësisht përbënin shumësinë e forcës kundërshtuese që përditë po shtohej,dhe fuqisë refuzuese ndaj pushtuese,të dritësojë përpjekjet,përkushtimin e brezave të një kohe dhe epoke për ta përmbysur atë kohë dhe epokë për hir të të resë,të lirisë dhe kthimit në vetvete e për vete nga një tjetërsim mbytës e poshtërues.

 

Sipas Buzukut trajtesa historiko-sociopsikologjike për etninë në ringjallje e mbijetesës nga prangat e të huajit ,shkelësit dhe plasaritjet e kontradiktat e brendshme,megjithatë përvijon aspiratën e lirisë dhe dinjitetit etnik.

 

“Autori i librit përmes trajtesës së tij përçon porosinë që të mos lejojmë kthimin e kohëve të mugëta,të iluzioneve,e utopive,të provincializmave e krahinarizmave,që të mos e mbysim e ngufasin idenë e gjithmonshme të lirisë e shtetësisë për hir të ndonjë interesi kapricioz,personal e farefisnor” ka shkruar Buzuku.

 

Ndryshe ,Rahim Azemi është njëri nga 238 intelektualët shqiptarë të Kosovës të cilët regjimi serb në mars të vitit 1989 i kishte izoluar për shkaqe politike duke i dërguar në burgjet e Serbisë, në Leskovc,Vranjë,Shabac etj.

Në vitin 1989 është shpallur si profesori më i mirë në Kosovë. Aktualisht është drejtor në shkollën e Mjekësisë në Gjilan

Kushtrim MALIQI

SHPËRNDAJE