luiiNGA NAILE EJUPI

Janë bërë mbi 8 vite që Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, ndërsa deri më janë bërë vetëm 112 njohje nga shtetet tjera.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ditë më parë ka premtuar se brenda këtij viti pavarësia e Kosovës do të njihet nga tri shtete.

Hoxhaj nuk ka dashur të tregojë se për cilat shtete bëhet fjala, mirëpo ka konfirmuar se këto njohje janë marrë gjatë takimeve që i ka zhvilluar në New-York.

“Bota Sot” ka provuar të kontaktojë me ministrin që të kuptojë se cilat shtete do ta njohin Kosovën, mirëpo ai nuk ka dashur të flasë.

Kurse sipas MPJ nuk mund të specifikohen rajonet apo kontinentet, por gjeografia e lobimit të diplomacisë  është globale, dhe përfshinë të gjitha kontinentet. Mbi të gjitha në këtë lloj beteje, është që njohjet të mos ndalojnë.

Por shqetësues është fakti që numri i shteteve që  e kanë njohur Kosovë, ka ngecur viteve të fundit.

Në vitin 2014 ka pasur vetëm 4 njohje, në vitin 2015 vetëm 1 njohje ndërsa deri më tani në vitin 2016 gjithashtu ka pasur vetëm një njohje.

Ndërsa analistët thonë se MPJ nuk bën aq sa duhet që Kosova të nihet edhe nga vendet tjera.

Analisti, Ismet Haziri, thotë se MPJ është duke lobuar shumë pak dhe nuk ka profesionalizim adekuat që Kosova të njihet nga vendet tjera.

“MPJ brenda këtyre suazave përzgjedhëse dhe avancuese janë me kapacitetet të kufizuara lotuese, kjo në mungesë përvojave dhe profesionalizmi adekuat”

Sipas, Hazirit, njohjet të cilat i ka bërë Kosova nuk janë meritë e MPJ por meritë e shteteve mike, Shqipërisë dhe meritë që ka bërë Behgjet Pacolli në planin personal.

“Sa i përket njohjeve që kanë arritur një numër i konsiderueshëm i tyre janë nga shtetet mike apo kushtimisht themi janë pjesë e procesit të bërjes së Kosovës-shtet dhe meritë e lobimit të po këtyre shteteve mike për njohje tjera. Këtij lobimi i bashkëngjitet shteti amë Shqipëria dhe nga plani personal veprimi i Begjet Pacollit që nuk është mirë të anashkalohet puna në diplomaci. Pra shumë njohje nuk janë meritë e punës diplomatike të MPJ” shprehet Haziri.

Haziri thotë se fakti që ka ngecur numri i njohjeve është rezultat i kronologjisë së ngjarjeve të padëshirueshme politike që nuk kanë qenë në favor të diplomacisë kosovare si dhe fakti që Kosova është ende nën vëzhgimin e diplomatëve të huaj.

“Përveç tjerash kronologjia e ngjarjeve të padëshirueshme politike nuk ka qenë në favorin e diplomacis kosovare që të sjellë njohje të dëshiruara si dhe  fakti se ne jemi nën llupën e vrojtime diplomatike dhe të shërbimeve të caktuara të cilët edhe më tutje e konsiderojnë Kosovën krijesë “Suigeneris” theksoi Haziri.

Se ngecje në njohjen e pavarësisë së Kosovës ka faj politika e Kosovës, mendon edhe analisti Leon Duhanaj.

“Për fat të keq Kosova ka një kohë që nga brenda nuk prodhon ndonjë lajm pozitiv. Përderisa duke qenë se agjendat e brendshme e ndikuan në masë të konsiderueshme politiken e përgjithshme edhe qasjen ne marrëdhënie ndërkombëtare, është evidencuar nje stagnim për sa u përket njohjeve ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës” shprehet Duhanaj.

Duhanja theksoi se Kosova duhet t’i ruaj marrëdhëniet me shtetet mike ose të investojë me ato sepse kështu mund të ketë shansë mbijetese.

“Kosova e ka një shans mbijetese vetem duke i ruajtur alëancat politike me shtetet mike dhe duke i shtuar ato, ose nëse nuk investojmë në këto aleanca do ta kemi të vështirë mbijetesen. Prandaj kërkohet seriozitet dhe respekt sidomos ndaj SHBA-ve dhe BE-së” pohon Duhanaj.

Kurse, për analistin Emrush Ujkanin, Kosova ka mjaftueshëm njohje, sipas tij MPJ duhet të lobojë që Kosova të anëtarësohet në organizatat e mëdha ndërkombëtare.

“Kosova në këtë fazë ka një komodite njohjesh prandaj tani duhet të lobojë që të nihet nga organizatat e mëdha ndërkombëtare sepse në këtë fazë është me rëndësi që të futemi në organizatat e botës, prandaj puna e MPJ duhet të përqëndrohej më shumë këtu” thotë Ujkani.

Përkundër njohjeve tjera, Kosova ende nuk ka arritur të njihet nga pesë shtetet e vetme të Bashkimit Evropian.

Sllovakia, Spanja, Rumania, Greqia dhe Qipro vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës, edhe përkundër këtyre viteve që ka shpallur pavarësinë.

Analisti, Ismet Haziri, thotë se ndaj këtyre shteteve duhet bërë një presion i fuqishëm në mënyrë që t’i nxis të bëjnë hapin e njohjes.

“Sa i përket angazhimit të diplomacisë kosovare që të punojë për të ndikuar për ta njohin vendet e BE, mendoj se do të ishte pa ndikim mirëpo përsëri duhet të provohet të bëhet një presion i fuqishëm që të nxiten drejt njohjes së Kosovës” thotë Haziri.

Kurse Ujkani thotë se sa i përket atyre vendeve kemi të bëjmë me qëndrime të ngurta dhe vështirë që mund të bëhet diçka më tepër.

“Këtu kemi të bëjmë me qëndrime të ngurta prandaj edhe vështirë që mund të bëhet diçka më tepër, mirëpo ndoshta duhet provuar që Greqia dhe Sllovakia të mund ta njohin Kosovën, kjo për shkak të marrëdhënieve mes këtyre shteteve” thotë Ujkani.

Ndërsa Leon Duhanaj, thotë se nëse Kosova nihet nga pesëshja evropiane do të ishte shtytje vendimtare për të ardhmen e vendit.

“Duhet intensifikohen angazhimet për njohjen nga pesëshja evropiane e cila do të ishte një shtytje vendimtare për të ardhmen e vendit” shprehet Duhanaj.

Kurse sipas MPJ edhe duke e parë propagandën në rritje të Serbisë, Kosova ka vullnet për të lobuar për njohje të reja ndërkombëtare nga ana e shteteve anëtare të OKB-së.

Gjithashtu Kryeministri Mustafa dhe ministri Hoxhaj kanë nënshkruar marrëdhënie diplomatike me dy shtetet njohëse dhe në agjendë janë edhe 8 shtetet tjera deri në fund të vitit.

SHPËRNDAJE