tekk5 vite pa intelektualin Teki Dërvishi

Teki Dërvishi ka lënë gjurmë të thella në krijimtarinë letrare shqiptare. Ai cilësohet si prijës i modernitetit të letrave shqipe. Njëherësh, ai ishte edhe drejtor i gazetës kombëtare “Bota sot”, duke qenë kështu përherë në shërbim të së vërtetës dhe në koherencë me ngjarjet që e përcollën vendin. Pesë vite pas shkuarjes në amshim, miqtë e afërt, ata që e njohën dhe ishin bashkudhëtar të jetës dhe veprës së publicistit Teki Dervishi, ende e kanë të freskët kujtimin për të.

29 qershori shënon, pesë vjetorin e humbjes së poetit, prozatorit, dramaturgut dhe publicistit të shquar Teki Dërvishi. Ky i fundit, ka lënë gjurmë të thella në krijimtarinë letrare shqiptare. Ai cilësohet si prijës i modernitetit të letrave shqipe. Njëherësh, ai ishte edhe drejtor i gazetës kombëtare “Bota sot”, duke qenë kështu përherë në shërbim të së vërtetës dhe në koherencë me ngjarjet që e përcollën vendin.

Pesë vite pas shkuarjes në amshim, miqtë e afërt, ata që e njohën dhe ishin bashkudhëtar të jetës dhe veprës së publicistit Teki Dervishi, ende e kanë të freskët kujtimin për të. Don Lush Gjergji, është një nga personat që njohu për së afërmi shkrimtarin dhe artistin Teki Dervishi. Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Teki Dervishi, la gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe qytetërimin shqiptar duke dhënë vizione dhe vegime të qarta se kush kemi qenë, kush jemi dhe kush duhet dhe mund të jemi.

“Teki Dervishi ishte një mik, një shok e mbi të gjitha një krijues i mirëfilltë i kulturës dhe qytetërimit tonë Iliro-Arbroro-Shqiptar, ndërroi jetë dhe shpejt shkoi në amshim, por la gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe qytetërimin tonë, sepse në jetën dhe veprën e tij, si në aspektin njerëzor e aq më tepër në aspektin kulturor dhe letrar na begatoi dhe na pasuroi duke na dhënë vizione dhe vegime të qarta, se kush kemi qenë, kush jemi dhe kush duhet dhe mund të jemi”, thotë për gazetën “Bota sot”, Don Lush Gjergji.

Kujtimet e miqve

Kështu, sipas tij, Teki Dervishi meriton falënderime të mëdha për shërbimin që ia bëri popullit në aspektin kulturor e publicistik. “Prandaj e përkujtoj me nderime dhe falënderime të thella, për jetën dhe veprën e tij, për kontributin e tij, për shërbimin që ia bëri popullit tonë, mbi të gjitha kulturës sonë dhe publicistikës sonë, gazetarisë sonë sepse ishte një njeri i gjithanshëm, si në formën e letrarit dhe gazetarit të publicistit të njeriut të kulturës e mbi të gjitha të njeriut i cili kishte bindje dhe përcaktime shumë të qarta pro-evropiane apo properëndimore që të na kthente atje ku dikur ishim si popull meritor”, shprehet ai. Don Lush Gjergji, e kujton Teki Dervishin, në momente gëzimi e hidhërimi.

“Teki Dërvishi është një nga figurat, me të cilat kam komunikuar shpesh miqësisht dhe vëllazërisht në rrafshin e gjithëmbarshëm, andaj veprën e tij mundohem ta kem gjithmonë afër vetes, ndërsa figura e tij, personaliteti i tij më mungon mjaft sepse në momentet e vështira apo të gëzimit, figurat e tilla krijojnë mangësi dhe zbrazëti në jetën tonë”, potencon ai. “Teki Dervishi ishte një intelektual, krijues dhe atdhetar”. Në këtë mënyrë e kujton publicisti Skënder Zogaj, i cili thotë se, Teki Dervishi pas vuajtjeve në burgun e Goli Otokut, u bë edhe më i fortë dhe më zëshëm kundër padrejtësive të kohës nën robëri.

“Intelektuali krijues dhe atdhetar, Teki Dervishi, edhe pse ka vajtur në amshim, është në kujtimet tona “i gjallë dhe ndër jetë, është në dritën e vërtetë” me veprimtarinë e tij të pasur krijuese, si poet e prozator, dramaturg dhe publicist, analist i thellë e me diapazon të gjerë dituror, kritik i fort teatror, por edhe si veprimtar demokrat atdhetar i devotshëm, i cili që nga rinia e tij e hershme konfrontohet me diktaturën komuniste dhe për bindjet e tij të pastra e të guximshme kombëtare, ndiqet nga okupatori sllavo-komunist jugosllav, që e dënon dhe e mbanë për shumë vjet të syrgjynosur në burgjet më famëkeqe siç ishte Goli Otoku. Mundimet e shumta fizike, jo vetëm që nuk e thyejnë, por e kalisin shpirtin dhe mendjen e Teki Dervishit, i cili pas vuajtjes së dënimit, bëhet edhe më i fortë dhe më i zëshëm kundër padrejtësive të kohës nën robëri”, shprehet Zogaj.

Dërvishi la pas, një veprimtari të gjërë jetësore

Zogaj, kujton kohën kur Teki Dervishi punoi si mësues në fshatin Carallukë të Malishevës, por veprimtarinë e tij letrare në këtë kohë. ”Me ndihmën e miqve të tij të idealit, pas burgut i mundësohet që të punojë si mësues në Carrallukë të Malishevës, një fshat i largët dhe i izoluar nga bota, ku Teki Dervishi angazhohet që, me ditar të përhap rreze diturie, ndërsa pas punës më nxënës të shkruaje letërsi. Është koha e frytshme si poet e prozator i shkëlqyer, që më vlerat artistike ia hap udhën Teki Dervishit duke e afirmuar në qarqet letrare, me vargun e krijimeve të shumta letrare, në të cilat, sipas studiuesve të letërsisë, Tekiu kultivon dritë të fuqishme shpirtërore”, nënvizon Zogaj.

Tutje, ai thekson se Tekiu u përball me vështirësi të shumta nga pushteti i atëhershëm. “Mirëpo, kjo dritë nuk është shumë e dëshiruar nga pushteti i kohës, që, me Teki Dervishin pati probleme të shumta, sepse, shpërthimet e tij janë të rrezikshme për të gjitha sortet e errësirës armiqësore që i vishen popullit shqiptar. Kjo e bën Teki Dervishin të padëshiruar nga pushteti në Kosovë, që për ta mënjanuar nga rrethi i miqve dhe shokëve të vendlindjes, ia lejon punësimin në Shkup të Maqedonisë, në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” të kontrolluar rreptë nga pushteti maqedonas. Tekiu i vetëdijshëm për rrethanat, kujdesshëm mirret me gazetari, por, prapa saj krijon vrullshëm letërsi që e bën shumë të afirmuar”, thotë ai. Në sajë të kësaj, pas vitit 1974, kur ndodh forcimi i autonomisë së Kosovës, sipas publicistit Zogaj, Tekiut i mundësohet kthimi në Kosovë, dhe kjo është koha e tij më mirë si shkrimtar, dramaturg e publicist.

“Në të gjitha këto, e përhershme është ndjenja e demaskimit të “…nekrofilisë gjenetike sllavo-staliniste (urrejtja politike) e paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimit…” siç shprehet ky atdhetar i madh në një shkrim të tij”, tregon ai. Sipas publicistit Zogaj, lexuesit vazhdojnë udhëtimin me shkrimet e Tekiut, që e kujtojnë si drejtues të zot të gazetës “Bota sot” për disa vjet, e gjithashtu edhe si drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës. “Teki Dervishi është personalitet i panteonit të krijimtarisë dhe të atdhetarisë së pastër”, përfundon Zogaj. Teki Dervishi lindi në janar të vitit 1943 në Gjakovë dhe vdiq me 29 qershor 2011.

Ai ishte është shkrimtar dhe publicist. Deri në vdekjen e tij ishte drejtor i gazetës kombëtare “Bota Sot”. Pas shkollimit fillor ai i ra në sy regjimit serb të asaj kohe dhe u burgos e u dënua që në moshën 17 vjeçare, ku vuajti dënimin disavjeçar në burgjet serbe. Teki Dërvishi është ndër të burgosurit më të rinj shqiptar që vuajti në burgun famëkeq jugsollav të Goli Otokut.

SHPËRNDAJE