Fatmir Hasani, deputet popullor nga Lugina e Preshevës  dje ka vizituar Tiranën, me çrast ka takuar ministren e arsimit të Republikës së Shqiprisë, Lindita Nikolla

 

Preshevë, 3 shtator  -Deputeti i vetëm shqiptar (PVD) në Parlamentin e Serbisë, Fatmir Hasani zhvilloi një takim në Tiranë me Ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, me të cilën diskutoi mbi problemet e teskteve shkollore në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës.

Gjatë takimit u diskutua për mundësinë e vijimit falas (pa taksa) të studimeve master për studentët nga Lugina e Preshevës në Tiranë, pas dështimit të marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës, për mosnjohjen e diplomave. Tekstet shkollore, ngritja profesionale e mësimdhënësve shqiptarë nga Lugina, studimi pa pagesë në master për studentët e Luginës së Preshevës në Shqipëri, ishin ndër temat kryesore të takimit.

Të dy bashkebiseduesit ranë dakord që në të ardhmen e afërt të thellohet bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Luginës në fushën e arsimit. “Në tre komunat e Luginës së Preshevës përdoret Abetare dhe disa tekste simbolikisht në gjuhën shqipe të botuara në Shqipëri. Por këto nuk mjaftojnë, sepse ndihet mungesa e teksteve të tjera edhe nga shume lëndë mësimore”, ka thëne sot deputeti shqiptar, Fatmir Hasani për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë”.

“Ministria e Arsimit të Shqipërisë është në gjendje të sigurojë të gjitha tekstet e nevojshme në gjuhën shqipe, por problemi është se në Shqipëri kurrikula është me sistemin e Kembrixhit dhe një pjesë e madhe nuk përkon me programin e mësimdhënies në Serbi. Autorititet serbe ne këtë drejtim kane ngelur mbrapa. Prandaj, këto tekstet shkollore nuk mund të përdoren ende në shkolla në Luginën e Preshevës “, ka thënë Hasani.

Ai shtoi se me ministren Nikolla ka folur edhe për pjesëmarrjen e mësuesve nga Bujanovci, Presheva dhe Medvegja në seminare për gjuhën shqipe në Shqipëri. Grupet janë themeluar dhe realizimi i këtij pogrami pritet të realizohet në gjysmën e parë të këtij viti.

SHPËRNDAJE