Përzgjedhësi i Spanjës, Visente del Boske ka theksuar se është relativisht i kënaqur me barazimin 1:1 kundër Italisë në ndeshjen e parë të Grupit C, derisa Çesk Fabregas është shprehur i zemëruar me gjendjen e fushës në stadiumin në Gdansk.
“Ne kishim rastet tona, por edhe ata kishin rastet e veta. E fituam një pikë dhe relativisht jam i kënaqur me rezultatin, ngase e kemi ditur se italianët do të na bëjnë presion. Ndeshja ishte shumë e hapur. Jam i kënaqur me mënyrën se si luajtë David Silva, Çesk Fabregas dhe Andres Iniesta”, ka thënë Del Boske.

Ndërkaq, realizatori i golit të barazimit për spanjollët, Çesk Fabregas ka vlerësuar se Kampionati evropian duhet të luhet në fusha më të mira se ajo që është në Gdansk. “U angazhuam dhe kishim rastet tona. Sidoqoftë as barazimi nuk është rezultat i keq. Tash duhet të fitojmë dy ndeshjet e ardhshme në grup. Mendoj se Evropiani meriton një fushë më të mirë se kjo. Sinqerisht është fatkeqësi që luajmë në një fushë të tillë”, vuri në dukje Fabregas. Ndërkaq, mesfushori Çavi Hernandes ka thënë se me rëndësi është që kombëtarja e tij e ka fatin e mëtutjeshëm në duart e veta. “Me rëndësi është që e ardhmja varet prej nesh. Duhet të fitojmë dy ndeshjet tjera në grup dhe të kalojmë tutje. Kemi mundur ta fitojmë edhe këtë ndeshje, sikur të zgjaste edhe pak. Në bazë të lojës që kemi treguar në pjesën e dytë kemi merituar më shumë”, ka theksuar Çavi.

SHPËRNDAJE