ldkchNën drejtimin e kryetarit Shefqet Dibrani, Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Zvicër, mbajti mbledhjen urgjente të kryesisë së Degës në të cilën u diskutua mbi zhvillimet politike brenda LDK-së, sidomos tani pas mbajtjes së Kuvendit të Punës në Prishtinë të 28 majit  2016.

NGA MBLEDHJA E KRYESISË SË DEGËS SË LDK-SË NË ZVICËR, MBAJTUR MË 5 QERSHOR 2016 NË GRENCHEN (SO)

Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër, veprimtarët dhe anëtarësia e gjerë, shprehin shqetësim dhe kundërshtim ndaj zhvillimeve absolutiste të kryesisë qendrore e cila po vazhdon me rrënimin dhe degradimin e demokracisë. Në mbledhje u vu në spikamë dhe u shpreh mospajtim me sjelljen kaq selektive dhe antidemokratike që po e bënë Kryesia e LDK-së në Kosovë, e cila edhe në punimet e KP të LDK-së të datës 20. 05. 2016, si dhe në punimet e Kuvendit të Punës të LDK-së, mbajtur në Prishtinë më 28. 05. 2016 e përjashtoi diasporën duke ua mohuar të drejtën për pjesëmarrje në kuvend, kryetarit të Degës së LDK-së në Zvicër, Zotëri Shefqet Dibrani dhe kryetares së Degës së LDK-së në Gjermani, Zonjës Donikë Gërvalla.

Ky veprim është veprim hakmarrës e primitiv kundër fjalës së lirë dhe lirisë së mendimit me pasoja tejet negative për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova, por veçmas me pasoja katastrofike për zhvillimet dhe proceset  brenda vet partisë, ngase tashmë shihet qartazi se LDK-ja është kapur e ngulfatur nga një klan i cili e ka instaluar veprimin e keq, kurse degradimi i vlerës është bërë standard themelor.

Shndërrimi i LDK-së në mekanizëm për t’iu shërbyer politikave dhe interesave të ngushta, është në dëm dhe me rreziqe të mëdha për Kosovën, e tagrin e kësaj të keqeje do ta paguajë më së shtrenjti vet partia, e cila, me këtë trend, ka rrezik të mos e kalojë as pragun zgjedhor.

Kryetari i Degës z. Shefqet Dibrani raportoi për vizitën pesë ditore në Kosovë, për kontaktet që kishte me personalitete dhe veprimtarë të LDK-së, deputetë dhe anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të partisë. Të pranishmit në mbledhje vlerësuan se shpërfillja, përbuzja dhe përjashtimi që po i bëhet diasporës, veçmas degës së LDK-së në Zvicër dhe asaj në Gjermani nga  kryesia qendrore e LDK-së,  jo vetëm se është sjellje e papërgjegjshme e mosmirënjohëse, por është shqetësuese dhe  me pasoja të mëdha për vet LDK-në dhe proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova.

Po ashtu në mbledhje u shpreh indinjatë ndaj individëve të caktuar, të cilët pa kurrfarë legjitimiteti po shpërdorojnë duke u thirrur në degën e LDK-së në Zvicër. Fatkeqësisht, këta individë të pa legjitimitet, në kundërshtim me statutin dhe rregulloren e LDK-së, po mbështeten nga qendra në Prishtinë, duke krijuar përçarje në Degën e LDK-së në Zvicër. Prandaj nga kjo mbledhje i bëhet thirrje kryetarit të LDK-së z. Isa Mustafa, Kryesisë së LDK-së, si dhe organeve përgjegjëse të partisë që me përgjegjësi të merren me gjendjen e krijuar në dy degët e LDK-së në Diasporë dhe pa humbur kohë  të krijohet një komision zyrtar nga LDK-ja i cili duhet të merret me shqyrtimin e materialeve, dokumenteve dhe incizimeve të mbarëvajtjes së Kuvendit të VIII-të të Degës së LDK-së në Zvicër, mbajtur më 10 maj 2015 dhe në afat sa më të shkurtër të rikonfirmohet se në këtë Kuvend nuk ka pasur shkelje të  cilat mund ta kenë lënduar procesin zgjedhor. Anulimi i këtij Kuvendit nga ana e ndonjë anëtari të kryesisë qendrore ishte i ngutshëm për t’i shkaktuar dëme Degës së LDK-së në Zvicër. Prandaj Kryesia Qendrore dhe kryetari i LDK-së e kanë për obligim të ndërpresin abuzimin me diasporën, të nisin komunikimin me përfaqësuesit legjitim dhe të mos bëjnë takime selektive me grupe dhe individë të cilët nuk kanë legjitimitet zgjedhorë.

Kryesia e Degës konstaton se mos dërgimi i vëzhguesve për të përcjellë procesin zgjedhorë  në Degët e LDK-së në Diasporë ishte i paramenduar, për t’ua mundësuar individëve të papërgjegjshëm për të manipuluar me zgjedhjet në Zvicër dhe Gjermani, ku procesi zgjedhor ishte i rregullt dhe në përputhje edhe me rregulloren për zgjedhjet e brendshme partiake. Prandaj kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër mendon se brenda LDK-së duhet të nisin reformat dhe duhet të funksionojë demokracia e brendshme, e cila, kohëve të fundit,  është lënduar e cunguar si proces, madje – tërësisht ka devijuar nga parimi bazë i konkurrencës dhe votës së lirë.

Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër i bënë apel kryetarit të LDK-së z. Isa Mustafa që të mos shërbehet me individë e grupe të cilat i kanë sjell dëme kolosale procesit zgjedhor, të cilët po zbatojnë politikë selektive, përjashtuese dhe diskriminuese  mbi veprimtarët legjitim të degëve të LDK-së në diasporë. Të këtillët, shërbimin më të keq e të dëmshëm po ia bëjnë Kosovës, LDK-së dhe proceseve demokratike e shtetndërtuese, porse shërbim jo t’mirë i kanë bërë edhe vet kryetarit të LDK-së  Isa Mustafa.

Ua bëjmë me dije se çdo vendim i njëanshëm i cili mund të bie në kundërshtim me rezultatet e Kuvendit të VIII-të  Zgjedhor të Degës së LDK-së në Zvicër do të jetë i papranueshëm dhe do të konsiderohet si kundërstatutor, arbitrar dhe jo i vlefshëm. E ripërsërisim se zgjedhjet nëpër nëndegët e LDK-së në Zvicër janë organizuar e udhëhequr nga humbësit, prandaj mendojmë se kryesia dhe kryetari z. Isa Mustafa janë manipuluar pikërisht nga këta individ. Janë këto arsye pse këmbëngulim se procesi zgjedhor ishte i lirë dhe demokratik, i cili është realizuar me transparencën më të madhe të mundshme, prandaj pa ardhjen e komisionit i cili duhet t’i sjell argumentet e besueshme, procesi zgjedhor në Degën e LDK-së në Zvicër tashmë është punë e kryer dhe se rezultatet e tij duhet të jenë të pranueshme e të përfillshme në mënyrë që të forcohet e përparohet organizimi brenda partisë. Prandaj, bëjmë thirrje publike që t’i jepet fund kursit negativ dhe  veprimeve shkatërrimtare me pasoja marramendëse e të paparashikueshme.

Për kryesinë e Degës së LDK-së në Zvicër janë të papranueshme metodat e komunikimit publik pa i shteruar mundësitë për dialog të brendshëm si dhe vendimet nëse  ato janë marrë ndonjëherë të bëhen publike ose zyrtarisht t’i dërgohen Degës sonë sepse konfuzioni dhe hutia burimin e ka në Prishtinë dhe pikërisht në selinë e LDK-së, gjë që do të ishe mirë, këto metoda të ndërpriten sa ma parë, kurse kryesia qendrore në Prishtinë, veçmas kryetari i LDK-së z. Isa Mustafa duhet të bëhet shembull për dialog, urtësi e maturi, pasi gjërat kanë arritur në pikën ku kjo gjendje mund të prodhojë efekte dhe rezultate tepër të rrezikshme.

Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër u bënë thirrje individëve të pakënaqur  që të mos luajnë me dy standarde, por të vijnë në debat e takime ballë për ballë, qoftë në mediume publike, qoftë në tryeza të caktuara apo në komisione e grupe punuese që ia duan të mirën LDK-së. Natyrisht do të ishte mirë që këtij procesi t’i prijë një komision siç thamë ad-hoc i krijuar nga Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, kurse procesi në Degën e LDK-së në Zvicër t’i kthehet normalizimit duke iu shmangur akuzave  të ndërsjellëta, veprime që Dega e LDK-së në Zvicër nuk i ka bërë me vullnetin e saj, por kjo ka ardhur si rezultat i shterimit të mundësive të brendshme për dialog dhe komunikim normal.

E përsërisim se qëndrimi mohues, përjashtues dhe skemat e dhunës që kanë ndodhur në KP të LDK-së më 20. 05. 2016 dhe përjashtimi antidemokratik në Kuvendin e Punës së LDK-së më 28. 05. 2016, është dashur të gjykohen nga vet LDK-ja sepse këto pamje i kanë devalvuar dhe degraduar vlerat e LDK-së me të cilat dikur mburreshim të gjithë, kanë bërë  që imazhi i LDK-së të bie aq poshtë sa duhet të shqetësohemi të gjithë, pa përjashtim!

Pavarësisht asaj se kryesia qendrore në Prishtinë ka ripërsëritur thirrjen publike për Kuvende, ashtu siç ka ndodhur edhe vitin e kaluar për muajin gusht-shtator 2015, Dega e LDK-së në Zvicër, bashkë me veprimtarët dhe anëtarësinë e gjerë, do të vazhdojnë të punojnë me ngulm për të triumfuar demokracia dhe do të japim kontributin e vyer në procesin për reforma të brendshme demokratike që do të ndodhin në LDK dhe përgjithësisht në Kosovë. Andaj Dega e LDK-së në Zvicër apelon tek individët, tek kryesitë e degëve të LDK-së në Kosovë, si dhe tek personalitetet e shquara akademike që të mos rrinë indiferentë, por t’u shërbejnë reformave dhe demokracisë në LDK dhe përgjithësisht në Kosovë.

Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër, i bënë apel edhe faktorit ndërkombëtar, veçmas Ambasadorëve të Amerikës, Gjermanisë dhe Anglisë si dhe Partive Popullore Evropiane – aty ku LDK-ja është e anëtarësuar, që të ndikojnë tek elita politike në kryesinë qendrore në LDK, për t’i pranuar reformat e brendshme në LDK.

Ky presion diplomatik, veçmas, duhet të drejtohet mbi kryesinë qendrore të LDK-së në Prishtinë e cila me këtë sjellje dhe me këto qëndrime po bëhet shkaktare e situatës dhe krizës së brendshme në LDK dhe përgjithësisht edhe në Kosovë.

 

Grenchen, 05.06.2016.
Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër

SHPËRNDAJE