Kandidati për kryetar të Prishtinës Daut Haradinaj, ka shpërndarë një video përmes të cilës ka paraqitur planin e tij për Spitalin Regjional të Prishtinës.
Në shkrimin e bashkëngjitur, ai ka theksuar se: “Kosova në tërësi i ka 7 spitale rajonale, që shërbejnë për qytetarët e atyre rajoneve. Ndërsa Prishtina si kryeqytet me rreth gjysmë milion banorë dhe 3 komunat përreth saj, nuk e kanë një të tillë.”
Ai është zotuar se “Spitali i Përgjithshëm i Prishtinës do të jetë vatër e përkujdesit për shëndetin e qytetarëve të kryeqytetit”.
Haradinaj ka bërë të ditur se lokacioni ku do të ndërtohet spitali është në kazermën e FSK-së në Llukar, pasi që prona është lehtësisht e shfrytëzueshme e gjithashtu klima dhe ajri i pastër që mbretërojnë aty.
Spitali do të ketë një sipërfaqe prej 18 mijë metra katrorë, dhe ka një kosto ndërtimi prej 21 milionë eurosh.
Mes tjerash, brenda spitalit do të funksionojë edhe Qendra e Rehabilitimit për përdorues të narkotikëve, risi kjo në shëndetësinë tonë. Kjo qendër do të ofrojë terapi, trajtim rehabilitues dhe shërim të specializuar.
SHPËRNDAJE