Chelsea fitoi pothuajse 60 milionë euro nga suksesi në edicionin e fundit të Champions League, ndërsa fitimet e finalistit Bayern Munchen, ishin 41,73 milionë euro.

Lajmi u raportua nga “Kicker” ditën e martë, duke kuotuar burime brenda UEFA-s dhe vetë klubeve gjermane.

Në total, UEFA shpërndau 754 milionë euro midis 32 pjesëmarrësve në fazën e grupeve të Champions League.

Fitimet për secilin klub u realizuan nga shpërblimet e UEFA-s, shitja e të drejtave televizive dhe biletat. Konkretisht, skuadrat u paguan 3,9 milionë euro vetëm për pjesëmarrjen në grupe, ndërsa u shpërblyen edhe për secilën pikë të marrë apo raund të avancuar.

Në total, Chelsea përfitoi pas suksesit të arritur 59,94 milionë euro, ndjekur nga Bayern dhe dy gjysmëfinalistët spanjollë.

Përsa i përket klubeve të tjera gjermane, Bayer Leverkusen, arriti të grumbullonte 28,2 milionë euro duke avancuar deri ne raundin e dytë, ndërsa Dortmundi, i eliminuar në fazën e grupeve, gjithsesi përfitoi 25,3 milionë euro, ndihmuar edhe nga arkëtimet rekord nga biletat në stadium.

Shumë më të ulta fitimet në Europa League për të gjithë klubet e tjera. Schalke 04, e eliminuar në çerekfinale, përfitoi 10,5 milionë euro, paradoksalisht të njëjtën shumë si fituesit e Atletico Madrid, që ndonëse morën shpërblime më të larta, fituan më pak nga e drejta televizive dhe biletat.

Hannorer 96, klubi tjetër gjerman pjesëmarrës në Europa League, edhe ai çerekfinalist, përfitoi një shumë prej 8,4 milionë eurosh.

SHPËRNDAJE