Dy përfaqësuesit e Kosovës në turneun ndërkombëtar “Czarne Diamenty” në Poloni, Liridon Zeqiri dhe Albulena Gubetini kanë fituar medaljet e arta.
Në këtë turne morën pjesë boksierë nga tetë shtete: Gjermania, Ukraina, Lituania, Çekia, Sllovakia, Turqia, Polonia dhe Kosova. Në finale, Liridon Zeqiri u ballafaqua me boksierin polak, Jaçek Vilezok, të cilin e mposhti me rezultat të ngushtë, 7:6, pas një lufte mjaft interesante dhe me goditje të njëpasnjëshme. Pikërisht ky duel në fund u shpall edhe si çifti më luftarak i këtij turneu. Me paraqitjen në këtë turne, Zeqiri edhe një herë dëshmoi se është shpresa më e madhe e boksit kosovar. Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, Albulena Gubetini në finale e mposhti polaken, Justina Valas, me rezultat bindës, 6:3. Albulena në këtë meç tregoi teknikë të përsosur dhe i befasoi të gjithë të pranishmit në sallë. Madje, sipas zyrtarit të Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, i cili ka ndarë drejtësinë në këtë turne, pas meçit zyrtarët e federatës polake i kanë kërkuar Albulena Gubetinit që në nëntor të boksojë në Kampionatin evropian për kadete në Poloni dhe aty t’i mbrojë ngjyrat e këtij shteti nëse Kosova nuk do të mund të marrë pjesë në këtë kampionat.

SHPËRNDAJE