Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, pritet të takohen këtë të hënë në Bruksel me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Në raundin e dytë pritet të diskutohen ide konkrete se si mund të duket një zgjidhje afatshkurtër lidhur me çështjen e dinarit serb.

Mbajtjen e këtij takimi e bëri të ditur vetë Lajçak më 19 mars, pas takimit që ishte zhvilluar mes kryenegociatorëve në kryeqendrën evropiane.

Kjo ishte hera e parë që zyrtarë të Qeverisë së Kosovës morën pjesë në bisedime të tilla prej së hyri në fuqi rregullorja e BQK-së.

Bislimi dhe Petkoviq ishin dakorduar që të ofrojnë propozime teknike deri me datë 22 mars, të tilla që pastaj do trajtohen tutje në takimin e sotëm.

Megjithatë, akoma nuk dihet nëse palët kanë respektuar afatet kohore.

Lajçak kishte deklaruar se diskutimet ishin përqendruar rreth çështjeve urgjente në agjendën e dialogut, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës dhe zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ky ishte takimi i dytë që u organizua nga BE-ja për çështjen e dinarit.

Një raund i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 27 shkurt në Bruksel, por përfundoi pa rezultate konkrete.

SHPËRNDAJE