Këto ditë Stefan Shvarc ka publikuar një raport, në të cilin Myftiun e Kosovës, Mr. Naim Tërnava e ka cilësuar si përkrahës dhe favorizues të Lëvizjes Vehabiste dhe grupeve ekstreme që gjoja po vepruakan në Kosovë.
Megjithëqë S. Shvarci njihet si një studiues i islamistikës, ai shpeshherë, – sidomos në raport me rrjedhat e fesë islame ndër shqiptarët, – ka ditur të jetë i njëanshëm, kontradiktor dhe tendencioz, sikurse ka ndodhur edhe me raportin e fundit të tij me titull: “Kosova vazhdon luftën kundër infiltrimit të Vahabistëve”, raport ky që nuk ka të bëjë asgjë më të vërtetën, po përbëhet prej disa shpifjeve, akuzave dhe etiketimeve, të cilat kanë për qëllim njollosjen e figurës së Myftiut të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të institucionit që ai udhëheqë.
Për hir të së vërtetës, dhe për hir të opinionit të përgjithshëm, dhe jo për të replikuar a polemizuar me z. Shvarcin, e themi për të satën herë se:
Bashkësia Islame e Kosovës si dhe udhëheqësit e saj prej dekadash kryejnë veprimtarinë sipas shkollës tradicionale në Ballkan -medhhebit hanefit. Këtë fakt Bashkësia Islame e Kosovës e ka të theksuar shumë qartë dhe në mënyrë të prerë në Kushtetutën dhe Rregulloret e saj.
Bashkësia Islame e Kosovës, për më tepër, është e njohur historikisht për kultivimin e vlerave e të harmonisë, të tolerancës ndërfetare e ndëretnike.
Bashkësia Islame e Kosovës është e përkushtuar që të kontribuojë në zhvillimin e jetës fetare, në krijimin e një klime të mirëbesimit mes besimeve të ndryshme ndër shqiptarët.
Bashkësia Islame e Kosovës dhe udhëheqësit e saj janë të përkushtuar që të ruajnë vlerat fetare të kësaj shoqërie që bazohen në parimet e fesë islame që është aplikuar këtu e shekuj më parë. Për këtë dëshmojnë katërçipërisht të gjitha institucionet e saj, jeta fetare e arsimore dhe aktivitetet brenda saj dhe në terren.
Këto parime fetare dhe humane të mbështetura në mësimet kuranore, janë rruga e trasuar nga ulemaja dhe udhëheqësit e Bashkësisë Islame ndër vite. Këtë vlerë, vizon e rrugë, si në aspektin e brendshëm dhe atë të jashtëm, e ka vazhduar dhe vazhdon ta kultivoj Myftiu aktual Mr. Naim Tërnava me bashkëpunëtorët e tij.
Prandaj, përfundimet e nxjerra nga z. Shvarci e të paraqitura në raportin e tij, qoftë për sa i përket Myftiut Naim Tërnava, qoftë për sa i përket vijës zyrtare të Bashkësisë Islame të Kosovës se gjoja kanë prirje vehabiste, janë të paqena, janë shpifje ordineresh me karakter tendencioz, e që opinionit të gjerë i paraqiten si një studim a hulumtim.
“Raporti” i z. Shvarcit nuk është asgjë tjetër veçse një pamflet i hartuar mbi bazën e shpifjeve, trillimeve e akuzave. E, për t’u shitur këto akuza, shpifje e trillime, mënyrën më të mirë z. Shvarci dhe të tjerët e kanë gjetur që Myftiut të Kosovës t’ia veshin etiketimin “vehabist”.
Por, megjithatë, bota e qytetëruar respekton faktet, argumentet dhe, mbi të gjitha, të vërtetën.
Ç’është e drejta, akuza e shpifje si këto të z. Shvarcit, Myftiut të Kosovës dhe institucionit që ai udhëheqë i janë bërë edhe nga ca individë brenda Bashkësisë Islame në Kosovë, që fatmirësisht nuk përfaqësojnë askënd, përveç ambicieve të zgjeruara të tyre dhe qëllimeve të ulëta karrieriste.
Këta individë, për t’i imponuar mendimet e tyre dhe për t’i arritur qëllimet, kanë përdorur këso akuzash, kurse veten e kanë proklamuar se gjoja na qenkan ruajtës të vlerave islame ndër shqiptarët (!). Por e vërteta, është krejtësisht e kundërta. Për këtë flasin shumë fakte dhe argumente të cilat z. Shvarc do të duhej t’i kishte parasysh.
Nuk dëshirojmë të besojmë se z. Stefan Shvarc të jetë ndikuar dhe të jetë venë në lajthitje nga këta individë, e aq më pakë, – si një studiues që është z. Shvarci, – të jetë vënë në shërbim të tyre dhe të ketë bërë argatin e tyre.
Dhe në fund fare, dëshirojmë t’i themi opinionit se Myftiu Naim Tërnava dhe Bashkësia Islame e Kosovës mirëpresin dhe përkrahin çdo raport, hulumtim, analizë a studim që bazohet në të dhëna të besueshme, reale dhe objektive; raporte që i shërbejnë të vërtetës dhe jo raporte të njëanshme e subjektive, të bëra me porosi dhe me qëllime të caktuara.
Bashkësia Islame e Kosovës është e hapur dhe mirëpret për bashkëpunim çdo kënd që është i interesuar për të njohur të vërtetën.
Por Bashkësia Islame e Kosovës nuk mund të rrijë duarkryq dhe indiferente ndaj akuzave dhe shpifjeve që bëhen në adresë të saj, qofshin ato edhe nga studiuesi e miku ynë z. Stefan Shvarci.
Shërbimi për informim i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës

SHPËRNDAJE