SHQIPËRIA – ZViCRA intensifikojnë bashkëpunimin…Kryeministri Berisha priti sot në një takim z. Artur Mattli, Drejtor politik në Departamentin Federal të Punëve të Jashtme të Konfederatës Zvicerane dhe delegacionin që e shoqëronte atë.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu z Mattli mirënjohjen më të thellë për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme e të vazhdueshme që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë këtyre viteve.

Drejtori politik në Departamentin Federal të Punëve të Jashtme të Konfederatës Zvicerane e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i rikonfirmoi atij se Zvicra do të vijojë të jetë një mike e ngushtë dhe mbështetëse e Shqipërisë, si dhe do të vazhdojë të jetë tërësisht e angazhuar për të intensifikuar bashkëpunimin e suksesshëm dhe frytdhënës, për ta zgjeruar atë në të gjitha fushat.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve dhe qeverive, të bazuara mbi ndjenjat më të sinqerta të miqësisë tradicionale midis dy popujve dhe vendeve tona. Gjithashtu, u rikonfirmua vullneti i palëve për të intensifikuar bashkëpunimin dhe për vijuar projektet e suksesshme të realizuara gjatë kësaj periudhe në Shqipëri, në sektorë të rëndësishëm, por edhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët. Fusha e trajnimit profesional, sektori energjetik, turizmi, përpunimi i ujërave, i ndotjeve urbane, sektori bankar, etj., u evidentuan si fusha me potenciale të rëndësishme ku pritet intensifikimi i bashkëpunimit në të ardhmen.

Në takim u diskutua gjithashtu edhe mbi projektin TAP, i cili u vlerësua si projekti më realist dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm për furnizimin me energji të vazhdueshme dhe për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendeve të rajonit të cilët ai i përshkon, por edhe me një impakt realisht shumë pozitiv për vet hapësirën evropiane.

Më tej, Kryeministri Berisha e informoi z. Mattli mbi arritjet e rëndësishme të reformave të ndërmarra në vend gjatë kësaj periudhe, në veçanti, për sa i përket krijimit të një klime të favorshme për biznesin dhe investimet, zhvillimin ekonomik me ritme të shpejta, thithjen e investimeve të huaja, etj.

Delegacioni zviceran rikonfirmoi se gjatë viteve të fundit ka pasur një rritje të theksuar të interesit të investitorëve zviceranë për të investuar në Shqipëri dhe e siguruan Kryeministrin Berisha se qeveria e vendit të tyre do të vazhdojë t’i inkurajojë ata për të ardhur në Shqipëri dhe për të ndërtuar një histori suksesi me bizneset e tyre, por edhe për të krijuar ura të reja miqësie midis dy vendeve dhe popujve.

SHPËRNDAJE