(AIK-Presheva Jone)

 

Qeveria është duke bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojë plotësisht në hetimin e ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit, veçanërisht pas mbërritjes së ekspertëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu deklaroi në mbledhjen e përjavshme të grupit kuvendor demokrat, kryeministri Berisha, teksa informoi deputetët, se prej 6 ditësh strukturat e ekzekutivit i janë përgjigjur çdo kërkese të ardhur nga organi i akuzës, si shenjë e vullnetit për të realizuar një hetim të plotë të pavarur dhe gjithpërfshirës për këtë çështje. “Dua të informoj qytetarët shqiptarë se pas ardhjes së prokurorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës qeveria ka vendosur bashkëpunim të plotë dhe total me institucionin e prokurorisë së këtij vendi.

Natyrisht, qeveria është dhe mbetet për një hetim të pavarur, të besueshëm, gjithëpërfshirës, ashtu siç është e domosdoshme dhe që është interesi i çdo qytetari shqiptar. Kemi shprehur dhe shprehim sërish besimin tonë në institucionet e këtij vendi dhe nuk i konfondojmë ato me disa persona të caktuar, por nuk mund të mos theksoj se çdo ditë, për të sabotuar këtë proces, shokët dhe shoqet e bulevardit botojnë në media dokumente të dosjeve sekrete të hetimit”, tha Berisha. Ai tha se vrasja e 4 personave dhe të gjitha rrethanat e ngjarjes do të zbardhen. Nga ana tjetër ai garantoi se Garda e Republikës nuk ka fshehur asnjë të dhënë mbi 21 janarin, siç është spekulluar në disa media.

SHPËRNDAJE