Posa përfundoi viti shkollor, nga Lugina e Preshevës erdhën lajme se ministria serbe e arsimit është duke e hartuar përpos abetares edhe shumë tekste tjera në gjuhën shqipe. Lajmi ishte se nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës në vitin shkollor 2011 – 2012 do të kenë mundësi të zgjedhin se me cilin tekst të abetares do të mësojnë, me atë që do të hartohen nga ministria e arsimit në Beograd apo me tekstin e abetares që do të jetë nga Shqipëria.

Kurse tash në prag të fillimit të vitit të ri shkollorë Kryetari i Këshillit Nacional të shqiptarëve në Luginë të Preshevës Galip Beqiri, ka deklaruar për mediet lokale se ende nuk janë gati tekstet mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë.

“Këshilli Nacional ka dorëzuar propozimin e teksteve në gjuhën shqipe me kohë, mirëpo ende nuk kemi marrë përgjigje se a do të miratohen të gjitha. Abetarja për filloristët pret që të miratohet më shumë se një vit, dhe shembulli më i ri është teksti nga matematika, autori i të cilit është nga Presheva, dhe ende nuk ka marrë miratimin” ka thënë Beqiri.

Ai ka shtuar se Këshilli Nacional nuk është i kënaqur me procedurën e deri tanishme me miratimin e teksteve në gjuhën shqipe.”Ne kemi rënë dakord që të kemi librat nga klasa e parë deri në të katërtën për shkollat fillore, që nga fillimi i vitit shkollor. Puna është kryer pjesërisht pasi disa libra janë përkthyer, mirëpo atë që ne kemi ofruar, si tekstet me autorë nga vet shqiptarët ende nuk ka përfunduar” ka thënë Beqiri. Por nga Lugina e Preshevës lajm i mirë është njoftimi i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, ku  njoftohen të gjitha femrat e moshës madhore mbi 18 vjet nga Bujanoci dhe Presheva se ka filluar të implementohet projekti “Promovimi i mundësive të njëjta për femrat e pakicave etnike (shqiptare dhe rome) nga Komuna e Preshevës dhe Bujanocit gjatë punësimit nëpër institucionet rajonale”, projekt i cili mundësohet nga Trupi Bashkërendues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

SHPËRNDAJE