Beogradi pretendon se ka prova se në Maqedoni po kryhen aktivitete ofensive zbuluese kundër institucioneve të Serbisë. Këtë për mediat e Serbisë e deklaroi kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq i cili tha se Serbia edhe më tej do të zhvillojë marrëdhënie miqësore me Maqedonisë, por shtoi se do të ketë ndryshime në personelin e ambasadës.

“Me siguri se do të ketë ndryshime në personelin tonë. Me këtë, njëkohësisht do të ruhet miqësia ndërmjet serbëve dhe maqedonasve por edhe të kuptojmë se si është të veprohet në ambient tjetër dhe të ri”, tha Aleksandar Vuçiq, Kryetar i Serbisë.

Nënkryetari i qeverisë së Serbisë dhe shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, në një intervistë për Tanjugun, theksoi se në gjithë këtë situatë është përfshirë edhe faktori i jashtëm.

“Që nga java e ardhshme, pas takimit që do të kem me kryetarin Aleksandar Vuçiq, një pjesë e personelit tonë do të kthehet në Shkup, ndërsa ambasadori do të kthehet më vonë, pasi të përfundojnë të gjitha konsultimet tona në Beograd”, tha Daçiq.

Në këto konsultime në Beograd, është përshirë edhe kryeministrja e Serbisë Ana Brnbariq.

“Këtë mëngjes mbajtëm takim edhe me ministrin e punëve të jashtme dhe nënkryetarin e parë të qeverisë, zotin Daçiq. Patëm konsultime edhe me kryetarin e republikës, sepse nuk bëhet fjalë për një çështje të vogël”, u shpreh Bërnabiq.

Përndryshe, Maqedonia para disa ditëve reagoi ashpër për praninë e një agjenti serb në ngjarjet e dhunshme në Kuvend më 27 prill. Beogradi është i vetmi vend në rajon që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian por jo edhe në NATO. Maqedonia po bën përpjekje për t’i eliminuar pengesat për t’u anëtarësuar në strukturat euro-atlantike. Edhe përfaqësues amerikanë dhe evropianë gjithashtu po angazhohen për integrimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO, kjo edhe për shkak të ndërhyrjes gjithnjë e më të madhe të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

SHPËRNDAJE