belgzzggffKryetari i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginë mbi bashkëpunimin e pesë komunave shqiptare në rajon

 

Preshvë, 6 dhjjetor  -Marrëveshja e nënshkruar së fundi për Unionin e Komunave Shqiptare; ku janë të përfshira Tirana, Prishtina, Tetova, Ulqini dhe Presheva; mund të ketë efekte pozitive në fushat që mbulojnë vetëqeverisjet lokale, që nga shkëmbimi i përvojave dhe deri në realizimin e projekteve të përbashkëta Bisedoi : Vojkan Ristiq “Ky Union mund t’i shërbejë sidomos komunave më të vogla brenda tij, ngase mund të përfitojnë nga komunat më të mëdhaja, si Tirana dhe Prishtina; sidomos në aspektin e ngritjes së efikasitetit qeverisës dhe profesionalizimit të resurseve të tyre njerëzove, Përpos efekteve të ndërsjella të brendshme, ky Union mund të sjellë efekte edhe në fushën e jashtme, si për shembull në aplikimin për fonde evropiane, rajonale etj. Pastaj ky Union mund t’i përafrojë më shumë midis tyre, qytetarët e të gjitha komuniteteve të këtyre komunave, në kuptimin politik, kulturor, social etj. », thotë në një bisedë për “Danas”, Belgzim Kamberi, gazetar dhe kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut nga Presheva, transmertoin agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”

 

Për politikat ditore shfaqet sërish koncepti i “krijimit të Shqipërisë së Madhe”, ku është edhe Presheva. Duket se pakkush ka rënë në këtë kurth dhe e tëra duket sikur një mjegullnajë politike. Kamberi : Nuk është diçka e re që sapo të fillojë një bashkëpunim çfarëdoqoftë shqiptar në Ballkan, aktivizohen po të njëjtat qarqe në Serbi, të cilat e trumbetojnë « rrezikun e krijimit të Shqipërisë së Madhe ».

 

Po nëse e analizoni profilin e tyre, atëherë do ta vëreni se janë po këto qarqe, të cilat jo vetëm se nuk janë distancuar nga e kaluara e Serbisë; porse që flasin dhe militojnë haptazi dhe heshturazi ende për bashkimin e Republikës Srpska, Kosovës dhe mbase edhe një pjese të Malit të zi me Republikën e Serbisë. Paradoksalisht, takimi i parë i krerëve të komunave me shumicë shqiptare në rajon, përkatësisht reagimet në Beograd, përfshirë edhe ai i kryeministrit Vuçiq; reflekton përsëri faktin sesa nuk ka ndryshuar Serbia, siç e dëshmon fundja, edhe e kaluara politike e Vuçiqit dhe shumë kolegëve të tij nga aparati qeverisës shtetëror serb, që kanë qenë pjesë direkte ose indirekte të regjimit të Millosheviqit.

 

– Megjithatë ; Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë pjesë përbërëse e shtetit të Serbisë, e kjo nënkupton edhe respektimin e Kushtetutës dhe normave të tjera ligjore të saj ?

Kamberi : Presheva, Bujanoci dhe Medvegja gjinden vërtetë brenda territorit të Republikës së Serbisë; por e vërtetë gjithashtu është se në këto komuna jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar dhe se është e drejta e tyre legjitime dhe njerëzore që të zhvillojnë marrëdhënie politike, kulturore, sociale e mbase edhe administrative, me institucione të tjera që drejtohen nga shqiptarët në Ballkan. Kjo e drejtë nuk është e garantuar vetëm me konventat dhe me dokumentet ndërkombëtare dhe evropiane; por edhe me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe legjislacionin e saj përkatës, që ia njohin të drejtën pakicave kombëtare të Serbisë që të zhvillojnë marrëdhënie bashkëpunimi me shtetet e tyre amë. Sido që të jetë; Vuçiqi dhe kolegët e tij qeveritarë, të cilët po reagojnë, duke pretenduar të jenë të sinqertë me opinionin e brendshëm serb; në anën tjetër njihen për marrëdhënie të mira me krerët qeveritarë të Kosovës (me të cilët e kanë negociuar nga « lartë » krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, e cila për nga karakteri, përmbajtja dhe kompetencat e synuara, nuk mund të krahasohet aspak me Unionin e Komunave Shqiptare, të inicuar nga « poshtë »); por edhe me Edi Ramën, kryetarin partiak të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, nikoqir i takimit të parë të Unionit të Komunave Shqiptare.

 

– Ky është koncepti i parë i bashkëpunimit rajonal të komunave me shumicë shqiptare i cili duhet megjithatë të fitojë mbështetjen e Beogradit, Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës. Ky do të jetë një proces që vështirë do të ketë konsensus ?

 

Kamberi : Ky Union rajonal është para së gjithash i nivelit komunal dhe ka shumë fusha, ku ata mund ta jetësojnë bashkëpunimin midis tyre edhe pa pasur nevojë për një « konsensus » rajonal qeveritar. Pastaj, nëse e shihni, bashkëpunimi midis qeverive të Serbisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë është më i mirë, se siç duan ta paraqesin këto qeveri brenda opinionit të tyre. E vërteta është se këto qeveri nuk shquhen për rezultate pozitive brenda shtetit të tyre të mbisunduara nga papunësia, varfëria, krimi dhe korrupsioni; prandaj edhe duan të paraqiten si « faktor stabiliteti » në skenën rajonale dhe ndërkombëtare, ngase iu duhen « protektorët » e tyre të jashtëm, shpeshherë të njëjtë, për të qëndruar në pushtet. Shpeshherë, flamuri i tyre që ngritin përmes mediave të tyre, për « rrezikun e armikut të brendshëm » është para së gjithash i destinuar për protektorët e tyre ndërkombëtar; sepse shihet qartë se nuk e kanë problem të bashkëpunojnë midis tyre « lartë », sidomos në « biznes ». « Danas »

SHPËRNDAJE