Trajneri Hajnkes: Avantazh që luajmë në Mynih

Arjen Roben e ka zgjatur kontratën e tij me Bajernin e Mynihut deri në vitin 2015, ndërsa skuadra e madhe bavareze përgatitet për finalen e Champion-sit ndaj Çelsit. Trajneri Hajnkes është i vendosur.
“Unë mendoj se ne e treguam në Madrid se donim patjetër të luanim në finale. Është hera e parë në historinë e Championsit që një skuadër e luan finalen në shtëpinë e saj. Mendoj se ky është një avantazh për ne. Lojtarët janë shumë të përqëndruar, sidomos më pëlqeu Roben, që ishte I motivuar dhe I lirshëm. Mendoj se ai do të luajë shumë mirë, jo vetëm në dy finalet. Kjo sepse ai dëshiron të jetë fitues”, tha Hajnkes .
Ja pra Roben, holandezi që zgjati kontratën dhe që tani do kupën.
“Mendoj se ky trofe ka shumë rëndësi për ne si ekip, por edhe për qytetin. Po ashtu, për mua personalisht. Tashmë, ne jemi në çatinë e Europës, do të luajmë finalen në stadiumin tonë, mendoj se njerëzit në klub janë shumë të lumtur. Ne si ekip do të përpiqemi që t’i gëzojmë edhe më shumë në fushën e lojës”, deklaroi Roben.
Veçse, është njëri nga bavarezët që mendon se Çelsi është favorit. Ky është Shvajnshtajger.
“Duhet të themi se Çelsi eleminoi skuadrën më të mirë të botës. E bëri këtë në dy ndeshje, në 180 minuta, jo në një ndeshje të vetme. Prandaj, për mua, Çelsi është favorit. Por, përderisa ne po luajmë në stadiumin tonë, mendoj se shanset janë të barabarta” vlerësoi Shvajnshtajger.
“Alianc Arena” do të jetë një vullkan mbrëmjen e 19 majit dhe Bajerni do të ketë një detyrim edhe më të madh sesa kundërshtari i tij anglez, Çelsi. Kjo sepse kur luan në shtëpi, nuk mund të lësh në baltë njerëzit e tu.

SHPËRNDAJE