Bashkësia Islame për Preshevë Bujanoc dhe Medvegje me anë të një mesazhi ka uruar besimtarët e Fesë Islame dhe qytetarët e Kosovës Lindore me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, me përgëzimet më të mira, duke u uruar shëndet, mirëqenie dhe agjërim të lehtë. “me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit BIPBM- ja shpreh urimet dhe përgëzimet më të mira të gjithë besimtarëve të besimit Islam brenda trojeve tona etnike dhe mërgatën tonë, duke e lutur të Madhin Zot që të na pranojë agjërimin, veprat tona te mira, namazin, sadakanë dhe ibadetin tonë”. Thuhet në urimin e BIPBM-së, me seli në Bujanoc.
Për agjërimin, Allahu i Gjithëmëshirshëm në Kuran, thotë: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i të vërtetës nga gënjeshtra, kush nga ju që arrin këtë muaj le ta agjëroj ”. (El-Bekare, 185).
Muaji madhëruar i Ramazanit është urdhër nga Allahu xh.sh. dhe si i tillë është një prej ibadeteve më madhështore të cilin besimtarët me vullnet, devotshmëri e sinqeritet e kryejnë për hir të Allahut xh.sh.
Agjërimi i Ramazanit besimtarit i ofron vlerat e dashurisë, respektit, bamirësisë, flijimit e sinqeritetit, ngase ai e bënë njeriun më të dashur, më fisnik, më human, më të afërm e më mirënjohës ndaj Krijuesit të Gjithësisë. Edhe gjatë këtij muaji të bekuar, besimtarët tanë të mbështetur në mësimet kuranore do të jenë shembull për bindje, përkushtim, adhurim, durim, dashuri, mëshirë, sakrificë, tolerancë e paqe”, Njofton Qendra Informative e BIPBM-së , Buajnoc