argjetinaPërfaqësuesja e Zvicrës ka pranuar gol në fund të vazhdimeve nga Argjentina, për t’u eliminuar nga Kampionati Botëror.

Lojtari më i mirë i fraksionit të parë padyshim që ishte mesfushori shqiptar, Xherdan Shaqiri, i cili dukej mjaft i disponuar për lojë.

Veç lojës së mirë, 22-vjeçari krijoi dy raste shumë të mira shënimi, mirëpo as Granit Xhaka e as Drmic nuk arritën që t’i kalonin helvetikët në epërsi.

Nga ana tjetër, Leo Messi dukej i heshtur në gjysmën e parë, megjithëse secilën herë e kishte topin krijonte panik te kundërshtari. Albicelestët rrezikuan disa herë portën zvicerane, mirëpo as ata nuk arritën të shënonin në pjesën e parë.

Argjentinasit morën iniciativën në gjysmën e dytë të cilën e dominuan në tërësi.

Ata krijuan rast pas rasti duke i bërë presion skuadrës evropiane, mirëpo portieri Benaglio dhe lojtarët e angazhuar në fazën defensive, arritën që të mos pësonin gol.

Rezultati i barabartë e dërgoi ndeshjen në vazhdime. Gjatë vazhdimeve përfaqësuesja e Zvicrës bëri paraqitje të mirë, sidomos në pjesën e parë.

Në gjysmën e dytë të vazhdimeve të dyja skuadrat dukeshin të lodhura dhe kur priteshin penaltitë, Angel di Maria ndëshkoi (118’).

Në ato pak minuta të mbetura zviceranët u përpoqën maksimalisht të realizonin, por dështuan ta bënin këtë.

Përkundër eliminimit, lojtarët shqiptarë duhet të ndihen krenarë për paraqitjen e tyre, sidomos Behrami, Shaqiri dhe Mehmedi, të cilët ishin mahnitës.

Në çerekfinale, Argjentina pret fituesin e duelit ndërmjet Belgjikës dhe SHBA-ve. /Telegrafi/

 

SHPËRNDAJE