Gjykata e Apelit i ka refuzuar ankesat ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj dy të dyshuarve E.I dhe E.M, për vrasjen e 17 vjeçarit L.B në Prishtinë, më 12 mars të këtij viti.

Ata po dyshohen se kanë kryer veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të armëve”

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e konfirmuar zëdhënësi e gjykatës në fjalë, Arbër Jashari.

Ai ka thënë se kjo gjykatë i ka refuzuar ankesat e mbrojtjes së të dyshuarve, duke lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Ndërkaq, në aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Apeli ka vlerësuar se gjykatësi i procedurës paraprake drejtë ka arsyetuar dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, kusht ky qenësor për caktimin e paraburgimit.

Kjo gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejtë ka gjetur se ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj tyre.

“Pasi që ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes për të pandehurit, pasi dyshohen për vepra të rënda penale, për të cilat edhe parashihen dënime të larta burgimi dhe se pas kryerjes së veprës penale kanë ikur derisa policia i ka identifikuar dhe arrestuar, prandaj me këto rrethana qartazi tregohet rreziku i ikjes”, thuhet në këtë aktvendim.

Gjithashtu, në vendim të Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë drejtë ka gjetur se ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh se ekzistojnë rrethana se nëse të pandehurit mbrohen në liri ka arsye për të besuar se do të asgjësojnë, fshehin provat e veprës penale dhe ndikojnë te dëshmitarët, si dhe dëshmitarët e mundshëm gjatë rrjedhës së kësaj procedure penale, të ndikojnë te njëri-tjetri pasi që veprën penale e kanë kryer në bashkëveprim, kurse dëshmitarët ende nuk janë dëgjuar.

Tutje, thuhet se kjo gjykatë po ashtu vlerëson se gjykata e shkallës së parë, drejtë ka gjetur se ekzistojnë arsyet ligjore nga neni 167, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 , pika 1.2.3 të KPPRK-së për caktimin e paraburgimit për të pandehurit duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat.

“Në të cilat ekziston dyshimi i bazuar se është kryer vepra penale ashtu që të pandehurit me datë 12 mars 2020, rreth orës 15:00, në Prishtinë, në rrugën “ Hys Popova”, te parku i qytetit në lagjen “Arbëria”, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta tani të ndjerit L.B, në atë mënyrë që për shkak të fakteve dhe rrethanave ende të panjohura derisa i ndjeri kishte qenë duke ecur rrugës së bashku me dëshmitarin .. në vendin e lartcekur, të pandehurit kanë shkuar pas tyre me motoçikletë- skuter dhe me armën e zjarrit të paidentifikuar deri tani kanë shtënë në drejtim të ndjerit, të cilin e godasin në pjesën e pasme të kokës, me ç ‘rast i shkaktojnë plage të rënda, ku me datë 13.03.2020, i ndjeri ndërron jetë në QKUK në Prishtinë”, thuhet në këtë aktvendim.

Kjo gjykatë ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur ka caktuar paraburgimin, ngase sipas të njëjtës masat e tjera janë të pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së tyre në procedurë, në rrjedhjen normale të procedurës penale dhe parandalimin e kryerjes apo përsëritjes së veprave penale.

Prandaj, thuhet se  me qëllim të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale, caktimi i paraburgimit është konsideruar i domosdoshëm.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e kishte konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

Ndryshe, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, për rastin në fjalë ishin arrestuar katër persona dhe atë 19 vjeçarët E.I dhe E.M, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, si dhe 18 vjeçari P.I dhe 20 vjeçari L.B, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”.

Mirëpo edhe pse, sipas policisë, të njëjtit pas intervistimit me aktvendim të prokurorit janë dërguar në qendrën e mbajtjes, zëdhënësja Gashi kishte deklaruar se kërkesë për caktimin e masës së sigurisë nga ana e prokurorisë ka pasur vetëm për dy persona.

E kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi’, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj kishte deklaruar se për shkak të ndjeshmërisë dhe fazës në të cilën ndodhet, mund të thotë vetëm që rasti po vazhdon të hetohet nga prokuroria në fjalë.

Ndryshe, ngjarja e rëndë ka ndodhur më 12 mars, në rrugën “Hysni Popova” në lagjen Arbëria në Prishtinë, ku L.B ishte qëlluar me armë zjarri në kokë.

Mirëpo, pas plagëve të marra i njëjti kishte ndërruar jetë një ditë më pas, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Në po të njëjtën ditë, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër persona si të dyshuar për vrasjen e të lartpërmendurit.

“Katër personat e dyshuar janë intervistuar nga ana e hetuesve të Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme dhe pas intervistimit me aktvendim të prokurorit janë dërguar në qendrën e mbajtjes”, thuhej në njoftim.

Policia kishte njoftuar edhe se, gjatë operacionit ku u arrestuan katër personat e dyshuar për vrasjen e 17-vjeçarit në Prishtinë, ka sekuestruar disa prova që thuhet se mund të shërbejnë në procedura të mëtejme gjyqësore.

“Njësiti i hetimeve ka arrit të gjejë dhe sekuestrojë një armë, një skuter dhe disa prova të tjera që mund të shërbejnë në procedura të mëtejme gjyqësore”, thuhej në njoftimin e policisë.

SHPËRNDAJE