Dielli.a

ÇIPA: Zëri i Vatrës, ashtu siç ka bërë për 106 vite, duhet të na orientojë e të na ftillojë në kushtet e një kaosi politik që mbizotëron në vend-

“…Sot me 21 Gusht 2018, në mbrëmje, isha mysafir në Shtëpinë e Vatrës historike, në Vatrën Kombëtare të Amerikës. U ndjeva i emocionuar në këtë Institucion të përfaqësimit të ndërgjegjes Kombtare. Është Vatra e bijëve dhe Etërve të identifikimit Kombëtar në Diasporën Shqiptare në përgjithësi, dhe në USA në veçanti. Takimi me drejtues të Vatrës, me Kryetarin Dritan Mishto, dhe bashkëbisedimi më bashkëpunëtorët e tij, përbën një ngjarje në jetën time dhe një mbresë e thellë shpirtërore gjatë vizitës time në Shtet e Bashkuara të Amerikës”- Këto fjali i shkëputëm nga mbresat që shkroi z. Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, në librin e vizitorëve të Vatrës.

 

Gazetari Aleksandër Çipa e vizitoi Vatrën së bashku bashkshorten dhe me dy djemtë e tij

Kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto ia uroi mirëseardhjen dhe e prezantoi me veprimtaritë dhe shqetësimet e Vatrës.

Gjatë prezantimit z. Mishto tha se Vatra ndjehet mirë që pret sot një nga gazetarët më me integritet në Shqipëri, një përfaqësues nga një familje e njohur atdhetare himariote, ku spikat ikona Lefter Çipa, ati i tij, gjyshi i Akrit, që e kemi gjithmonë pranë Vatrës.
Më pas z. Mishto përcolli shqetësimin e Vatrës për zhvillimet e fundit në Kosovë e Shqipëri, pa lënë jashtë vëmendjes trevat e tjera Kombëtare. Lëvizja për ndryshim, korrigjim kufijësh e këmbim territoresh në Kosovë, për Vatrën, e cila ka dalë edhe me një deklaratë tashmë të publikuar, nuk është në favor të shqiptarëve. Po ashtu edhe zhvillimet në Shqipëri, marrdhëniet Shqipëri-SHBA, janë brengosëse për ne vatranët.
Vatra dënon edhe agresivitetin e nostalgjikëve të diktaturës. Përpjekja për të humbë Kujtesën e shqiptarëve nga krimet e diktaturës komuniste dhe nxitja e nostalgjisë për diktatorin, janë qëllimkëqia dhe synojnë të mbajnë demokracinë peng. Vatra e denoncon me forcë këtë prirje dhe i bën thirrje shoqërisë civile të kundërshtojë me forcë kahjet e politikës së intersuar për ta mbajtë peng Demokracinë shqiptare. Debati për Kampin e internimit në Tepelenë, duket se ka prapaskena politika qëllimkëqia, tha kryetari Mishto. Vatra ka në gjirin e vet dhenë strukturat e saj vatranë që së bashku me familjet e tyre kanë qenë pjesë e dramës të atij kampi famkeq.Vatra përmes gazetaës së saj “Dielli” e ka lënë debatin e lirë dhe në Ditën e Kujtesës ka hartuar një deklaratë, që përkrah ngritjen muzeut të kujtesës.
Gazetari Çipa, ka falenderuar për mikpritjen e Vatrës. Ai theksoi se këtë vizitë e kishte pritë me shumë emocion. Erdhae me familjen time në Vatrën shqiptare në respekt të veprave të mëdha dhe shërbimeve kombëtare që kanë bërë Vatranët. Zëri i Vatrës dëgjohet me respekt në të gjithë hapsirat shqiptare. Është kjo arsyeja përse unë do t’ju apeloja që të na prini në unifikimin e qëndrimeve Kombëtare sepse Kombi po kalon momente të vështira, qoftë në “korrigjimin”e zgjidhjen e asaj çfarë ka ndodhë për 70 vjet me fqinjin Jugor-Greqinë, qoftë edhe me atë ç’ka flitet për ndryshim, korrigjim kufijësh apo shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë! Zëri i Vatrës, ashtu siç ka bërë për 106 vite, duhet të na orientojë e të na ftillojë në kushtet e një kaosi politik që mbizotëron në vend. Më pas ai ka bërë një pasqyrë të detajuar të gjendjes së sotme të gazetarisë në Shqipëri, e Kosovë, dhe ka zbuluar plagët e saj. Përmes statistikave ai ka treguar rritjen e mediave online(rreth 800)- të atyre audiovizive, të raportit të zhdrejtë të medias profesionale dhe asaj amatore, të represionit të pushtetit shtetëror, politik, ndaj pushtetit mediatik etj. Ai tha se tregu mediatik shqiptar nuk funksionon normalisht dhe se Shqipëria përjeton krizëne raportimit profesional.Kryetari i Unionit të gazetarëve Shqiptarë theksoi se vetë media duhet të reformohet.
Gazetari Çipa shtroi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të Unionit që drejton me Federatën Vatra.
Më pas ai iu përgjigj pyetjeve të shumta të pjesmarrësve.Biseda u zhvillua në formë debati të lirë dhe në të morën pjesë: Z. Agim Rexhaj, zv/ Kryetar i Vatrës, Lek Mirakaj, Zef Balaj, Asllan Bushati, Frederik Ndoci, Kujtim Porja, Dritan Haxhia, Ibrahim Kolari, Marjan Cubi, Dalip Greca,Dr. Pashko Camaj, Mark Mrnacaj e të tjerë.
Pas takimit, anëtari i Kryesisë së Vatrës, z. Sokol Bejleri, shtroi një darkë për mysafirin dhe familjen e tij në Patricia’s Restaurant në Morris Park në Bronks.

SHPËRNDAJE