Albina Idrizi u lind në fshatin Tërnoc të Bujanocit më 1966. Kreu Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës-në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Në vitin 1997 botoi përmbledhjen me poezi për të rritur HESHTJA E MBARSUR në botim të Rilindjes për të cilën recensent Agim Vinca thotë:’ Është një zë i veçantë, i pjekur  që në start.’ Më pas, në nëntor të vitit 2007 boton përmbledhjen me poezi për fëmijë ËNDËRRA ME YLBERË . Sot ajo jeton dhe vepron në në Gjilan.

 

Kjo krijuese ka një botë të veçantë arti. Sikur ajo ka hyrë e tëra në vargje, strofa, kapituj të librave etj. Dhe, jo vetëm kaq. Ajo, para dy vjetësh ka batuar dy vepra poetike: “Ëndrra me ylber” dhe “Heshtja e mbarsur”. Andaj, ditë më parë, Albina Idrizi botoi veprën në prozë (romanin) me titull “Hijet e kullave” 2009. Kjo vepër e saj në prozë shquhet për një rrëfimin e një kohe jo aq të largët, pra për luftën e fundit 1999 në Kosovë. Është një roman që rrëfen ngjarje të kohës së luftës së fundit, ku autorja në fjalë sikur këto ngjarje i ka përjetuar dhe i ka shkrirë në mënyrë artistike në veprën e saj. Gjer sa kemi të shkruara vepra monografi apo vepra dokumentare për luftën e fundit, e cila la pasoja të mëdha në njerëz, ku me mijëra e qindra njerëz të pafajshëm u vranë, u masakruan e u torturuan nga barbare e egër serbe, vepra e Albina Idrizit në fjalë rrëfen dhe na përkujton këto ngjarje tronditëse dhe të tmerrshme për popullin shqiptar. Prozatorja e re nuk harroi të na paraqes e të na rrëfejë luftën e fundit 1999 në Kosovë ashtu mjaft qartë në mënyrën e “krijimit” artistike në prozë.  Shkrimtarja Albina është e njohur tanimë në letrat shqipe me disa  libra të botuara  me poezi dhe prozë. Këto ditë Albina para dashamirëve të artit doli me librin më të ri me tregime të titulluar “Pergamenë e gjallë”. Libri i i Albinës qe mund të lexohet me një frymë, brenda kopertinave ngërthen disa tregime të strukturuara mirë, me tematikë interesante të ndërtuara me një forcë shprehëse, të cilat janë evidente në tërë shtrirjen artistike të librit. Tregimet e Albinës të një game të gjërë motivuese flasin shumë, kanë mesazhin e fuqishëm të cilat mesazhe lexuesit e vëmendshëm gjatë leximit të kujdesshëm do t’i nxjerrin në pah.

 

 

ALBINA IDRIZI

 

POETI I TOKËS SIME

 

Poeti i tokës sime
Nuk çan kokën për
Kurorë lavdesh, hymnesh,
Panteonesh botërore.
Vargjet e tij
Ç’rimohen nga të vocrrit Lulë
Hamej, duhanshitës
Tregjeve të ndërgjegjes.
Hije e tij bëhet njësh
Në sfond prapaskene
Spektaklesh, përurimesh koti.
Dhe, një pikë nuk i vë dot fundin
Poezisë së tij.
Poetin e tokës sime
Gjer në kockë
Gërryen laps i zi
Me dhembjen për të pagjeturit.
Gjer në palcë
I qullet e bardha letër
Me lotë nënash.
Frymë e tij
U jep shpirt përmendoreve
Dhe, një pikëçuditje nuk tregon dot
Dëshprimin e tij.
Poeti i tokës sime
Pushtohet në vetëflijim vetjak
Nga atrofi sysh,
Atrofi zemre.
Horizonti i tij
Hapet, thellohet
Nën aureolë drite
Me sy e zemër të pavarur
Populli.
Dhe, nëpër tri pika
Ecë e nuk ndalet vargu i tij…



 

TË DASHUROSH
Të dashurosh
Do të thotë
Të japësh nga vetja
Gjer në dhembje
E të të mos mjaftojë
Vetja e dhënë
Të dashurosh
Do të thotë
Të marrësh nga vetja
Gjer në dhembje
E të të mos mjaftojë
Vetja e marrë.

 

MË PUQ


MË PUQ

Më puq pak në faqe
të lutem Manushaqe.

S’jam treguar kot
më i miri,
xhentëlmeni,
trimi.

Nuk e pata lehtë
në matematikë,
nuk e pata lehtë
të të lëshoj karrikë.

Grushtin hundës
e hëngra,
krejt pa meritë.

Më puq pak në faqe
të lutem Manushaqe.

 
Ç’PO NDODH ME MUA

 

Ç’po ndodh, o babi,
kështu me mua,
sa herë shoh Zanën
zë në thua.

Saherë më flet
skuqem krejt,
nuk shoh as dëgjoj
fare përreth.

Nuk mund të flas
belbëzoj,
çdo fjalë që qes
e ngatërroj.

Më vjen të qaj
e të pëlcas,
në kupë të qiellit
të bërtas.

Të gjithë më njohin
për trim e lazdran,
kur jam me Zanën
krejt tjetër jam.

Ç’po ndodh, o babi,
kështu me mua,
t’ ka ngjarë dhe ty
a s’më thua?!

 
ËNDRRAT NUK VDESIN KURRË
Na bartin tutje
Si fluska ,
Me zë sirene
Na joshin.
Na rëndohen,
Si gurë Sizifi
Në çaste agonie,
Kurrë për të mos tretur.
Dinake ikin
Nga shpirt i fikur,
Lavdi e vrarë
E gladiatorit në arenë.
Ngarendin vrap
Pas syve të njomë,
Kurrë për të mos vdekur.

MË SHTRËNGO DORËN

 

Kur dëgjon ofshamë
dhe lot të sheh syri,
dhembja del në pah
pa gjuhë,
pa ngjyrë,
më shtrëngo dorën
njeri,
ngado që të vish.

Se jeta di të jetë
edhe e tillë.

Kur kullat e shpresës
të shemben,
dhe e nesërmja duket larg
shumë larg,
të lutem
më shtrëngo dorën.
Bëhu mur i mbështetjes sime
gjer në agimin e ri.

Se jeta di të jetë
edhe e tillë.

Edhe atëherë, kur pandeh
se çdo gjë ka marrë fund
dhe fuqi s’kam për të të thirrur,
vazhdo
të më shtrëngosh dorën
gjer në pulsin e fundit.
Beso, unë do ta ndjejë
dhe do prehem i qetë.
Se jeta di të jetë
edhe e tillë.
E një ditë,
kur erërat të fryjnë drejt teje
dhe puhitë në shtrëngata të shëndërrohen,
do të të duhet
një dorë që shtrëngon
edhe tënden njeri.
Të mbështetesh nga lodhja,
të çlodhesh nga vrapi.
Se jeta di të jetë
edhe e tillë.

 

 

LETËR TITANËVE

 

Gjithçka është ndryshe
këtu poshtë.
Është ftohtë
e mjegull ka ngapak.
Gjërat nuk duken qartë
dhe njerëzit, pahiri
godasin njëri tjetrin.
Shkelen në thembrra,
vrahen në sy.
Pastaj lindin
zënkat, hasmëritë.
Të padurueshmit
rebelohen.
Frikacakat therrin kurbanë
në emrin tuaj.
Më të urtët presin
me sytë lart
kur do nxirrni nga goja
paqen e gllabëruar.

 

 

E PËRHITURA

 

Prapë ballo në sallonin mondan
Edhe një herë
E përhitura zgjohet dhe shkundet nga hiri
Ku e hodhi njerka kobzezë
Prapë kreatorë mode
Nga mbarë bota
Sillen e pështillen
Rreth trupit të saj
Matin e çmatin
Për të kushedi të satën herë
Shtyhen, shajnë, fjalosen
Kush e kush do e qepë fustanin përfundimtar
E përhitura shtrinë trupin e drobitur
Dhe pret ne pritje jetimi
( e jetime nuk është)
Heq, copto, por kot
E vërteta nuk mbulohet
Këtu një këmbë del më e gjatë
Atje një krah shtohet
Teksa, ajo vetë
Pyetet e pyetet
Vallë,
Do të kurorëzohet
Si i ka hije këtë herë
E asesi të shkundet
Nga hiri i mallkuar.
(shkurt 2008)

 

 

 

TARTUFI ËSHTË KËTU

 

Kujdes, o njerëz
Tartufi është këtu.
Aq i tmerrshëm
nën maskën e tij, sa
kam frikë
ta shoh në sy,
dhe më shumë akoma
t’ia kthej shpinën.
O njerëz, kujdes!
Ju të vuajturit,
të mashtruarit,
o më të dashurit e mij,
kujdes!
Si nuk e ndjeni vallë
si paturpshëm
ha në sofrën tonë,
pi nga burimet tona,
tallet, ah djalli e marrtë,
si tallet me besimin tonë.
Kam frikë
ta shoh në sy,
po dhe më shumë akoma
t’ia kthej shpinën.
Kujdes, kujdes
të vuajturit,
të mashtruarit,
të dashurit e mij.

 

 

 

 

ATË DITË

 

Atë ditë
kur më gjuajte mua
vetveten vrave.
Në betejë me përbindshin
një njeri më pak.
Atë ditë
kur më gjuajte mua
vetveten vrave.
Në imazhin tënd
më të mirë.

 

 

VJEN NJË KOHË

 

Vjen një kohë
E tallemi me
Atë që kemi thënë dje
Vjen një kohë
E rrënojmë
Atë që kemi ngritur dje
Vjen një kohë
E urrejmë
Atë që kemi adhuruar dje
Vjen një kohë
E turpërohemi me
Atë që jemi mburrur dje
Gjithmonë,
Gjithmonë vjen një kohë…

 


 

BALLË PËR BALLË ME TOKËN

 

Dasmë Shkurti
Ngrin e ndez dej
Me ashkun e mbledhur
Ndër shekuj,
Tek të sjell
Përballë meje, Nuse
Mbuluar nën Vellon
E përbiruar
Mes për mes palcës
Së gjakut tim
Dhe ndërron ngjyrë
Ndërron pamje.
(Le të më falin hyjnitë
Le të më ndjejnë besimtarët).
Unë të dua
Të tërën,
Të bukurën
Si dikur.
Pas të vjen
Pako e së qëndisurës pajë
Ndër mote e mote.
Dhe s’kam
Si të mos pyetem –
Thua vallë
Brenda saj
Të jenë të gjitha:
Ofshamat e nënave,
Ëndrrat e të rënëve,
Dasmat pa këngë,
Vdekjet pa vaje!?
Të jetë aty
Ai, Gjindi i përrallave tona
I ndrydhur me shekuj!?
(Oh, prapë
Le të më falin hyjnitë,
Le të më ndjejnë besimtarët).
Ja që të dua
Njësoj si dikur,
Të tërën
Të bukurën.
Me qindra herë
Dhëmbë ukju m’u ngulën
Pabesisht në shpinë,
E prapë qëndrova.
Me qindra herë
Ndërkëmbëz tinzare
Më rrëzoi përtokë,
E prapë u ngrita.
Acar akulli siberian
Më shpoi
Tejpërtej trupit,
Po
Prapë gjallë mbeta.
Se të dua, të dua moj
Të tërën,
Të bukurën
Si dikur.
( Edhe njëherë
Le të më falin hyjnitë,
Le të më ndjejnë besimtarët).

(17 shkurt 2008)

 


SHPËRNDAJE