Vajza, e cila asnjëherë nuk ngurron të bëhet pjesë e fushatave të ndryshme humanitare, nuk mund të jetë tjetër veçse Agnesa Vuthaj. Kjo bukuroshe ka sprovuar veten gati në të gjitha sferat, që nga rrëmbimi i kurorave të bukurisë, në politikë, shoqata joqeveritare e deri tek fushatat e ndryshme humanitare, të cilat realizohen në Kosovë, por dhe jashtë saj. Deklarata për adoptimin e një fëmije nga Haiti, pas tërmetit katastrofal që ndodhi në atë shtet, zgjoi debate të mëdha në mediat shqiptare. Pas kësaj deklarate, Agnesa Vuthaj është bërë pjesë e fushatës kundër kancerit në gji. Agnesa nuk do të largohet drejt Londrës, siç kishin shkruar disa media të vendit. Bukuroshja kishte shkruar një status të saj në Facebook, ku thuhej: “Do vendosem në Londër për të jetuar në 8 muajt e ardhshëm”, ndërkohë që ky status i saj zgjoi interes të veçantë për të mësuar se nëse vërtet Agnesa do të zhvendoset të jetojë në shtetin anglez. “Nuk do të shkoj në Londër, thjesht është një fushatë kundër kancerit të gjirit, që po shpërndahet në Facebook nga gjinia femërore pa e ditur meshkujt, por më detyruat ta them”, thekson Agnesa pasi e kontaktuam. Fushata kundër kancerit të gjirit, siç tregon Agnesa, është duke u realizuar përmes Facebook me statuse të ndryshme, ku arrin të përfshijë shumë gra dhe vajza.

SHPËRNDAJE