Kriza e rëndë e varfërisë në Maqedoni më së shumti po rëndon familjet sociale, të cilat në kushte minimale kalojnë jetën e tyre duke arritur që të sigurojnë vetëm gjërat elementare të jetesës.
Rrahman Idrizi nga Hasanbegu i Shkupit, njëri nga viktimat e këtij erozioni social që ka përfshirë mbi 70 mijë familje me ndihma “absurde” sociale në Maqedoni, thotë se jemi pesë veta në shtëpi dhe gati shtatë vite marrim 2.600 denarë ndihmë në muaj. Asnjëherë nuk më kanë thirrur për ndonjë vend pune, edhe pse disa herë jam interesuar.
“Unë nuk e di se a ka më keq edhe në Afrikë se sa tek ne, sidomos ne rastet sociale”, ka thënë ai për INA.
Ministria për Punë dhe Politikë Sociale (MPPS), për familjet sociale ndan për çdo muaj ndihmat që duken absurde. Kjo ministri ka edhe nivelet e përcaktuara për të gjithë qytetarët që përfitojnë ndihmën sociale.
Sipas shifrave zyrtare në Maqedoni ka mbi 340 mijë të papunë. Deri tani masat aktive qeveritare për punësim nuk kanë ndikuar aspak në uljen e trendit të papunësisë dhe varfërisë. Armata e të papunëve gjithnjë ka mbajtur kuotat e njëjta, duke mos pësuar ndryshime, ndërsa një gjeneratë e tërë gati se njëzet vite është e evidentuar në entet sociale apo entet për punësim.