“Programi me të cilin ne bëjmë shitjen e biletave, është i marrë nga FIFA, është më i sofistikuari, ky është që në i kemi diku afër 10500 bileta maksimumi 11000, për ato bileta, në atë sistem mund të aplikojmë përnjëherë 20000 veta, pasi që është i paraparë për ndeshje me tifozeri deri në 7 a 80 mijë tifozë”, ka thënë Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, në një intervistë ekskluzive për “Presheva Jonë”.

 

“Presheva Jonë”: Loja e ekipit kombëtar ka filluar tua marrë zemrat tifozëve, madje shpesh edhe e zëvendësojnë me dashurinë që ua jepte kombëtarja e Shqipërisë vite më parë, si i komentoni këto situate?

Agim Ademi: Sa i përket kësaj, mund të them se është realitet që jemi dy shtete shqiptare, më vjen mirë për këtë fakt në aspektin e futbollit sepse ekipi jonë është duke ecur shumë mirë, këtë rezultat ua kisha dedikuar futbollistëve, punës së tyre, tifozëve “Dardanëve”, stafit Teknik, administratës të cilët punojnë dhe të gjithë atyre që punojnë në federatë dhe rreth federatës. Unë do të thoja që çdo shqiptarë kudo nëpër trojet tona e ka nga një hise në suksesin e kombëtares së Kosovës, e veçanërisht shqiptarë që aktualisht janë padrejtësisht jashtë kufijve të territorit të Kosovës, si në Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e Luginë të Preshevës.

“Presheva Jonë”: Kemi qenë dëshmitarë të një skepticizmi të talentëve të rinj shqiptarë nëpër botë që të luajnë për Kosovën, kjo sot ka ndryshuar totalisht dhe shohim që të gjithë futbollistët e rinj shqiptarë madje e kanë ëndërr të veshin fanellën e Kosovës. Cila ka qenë metodologjia e punës të cilën e keni përdorë për ti bindur këta të rinj që të pranojnë Kosovën?

Agim Ademi: Pajtohem me konstatimin tuaj që ka ekzistuar një skepticizëm tek futbollistët që të luajnë për Kosovën, në fillim, nuk e kanë ditë, nuk kanë qenë të informuar për kushtet në të cilat punojmë. Po marrim shembull një futbollist I cili ka luajtur në Zvicër, atje kushtet kanë qenë shumë të mira dhe ka ekzistuar skepticizmi dhe frika e tyre që duke luajtur për Kosovën, mbase nuk do të zhvillohet normalisht talenti i tij, edhe tani kemi raste të futbollistëve të rinj por në këtë aspekt unë do ti falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi e kemi shkuar derë më derë tek secili, do ti falënderoja pafund prindërit e tyre të cilët kanë dalë nga Kosova për arsye që të gjithë i dimë, ose për shkak të represionit të pushtuesit, ose për një jetë më të mirë, për shkak të pamundësive në Kosovë, prapë për shkak të pushtuesit. Ju e keni dëgjuar besoj një rrëfim të Vojvodës që tregon se si kanë ecur maleve të Çekisë atje. Pasi që kanë dalur jashtë Kosovës, ende pa u sistemuar mirë, u shfaq kërkesa te Kosova që të ndihmohen familjarët e tyre, pas nxjerrjes nga puna këtu në Kosovë. Pas kësaj, me gjithë këto probleme, duke e mbajt familjen dhe atje dhe këtu në Kosovë, duke i shkolluar fëmijët e tyre, sot, ka ardhë momenti që edhe fëmijët e tyre po na bëjnë krenarë, s’ka kënaqësi më të madhe.

 

“Presheva Jonë”: Kohë më parë e keni pritur një delegacion nga KF Lugina, e cila vjen nga Presheva. Cilat janë raportet tuaja me shqiptarët nga Kosova Lindore, sa është në gjendje FFK ta ndihmoj futbollin në Kosovën Lindore dhe talentët atje?

Agim Ademi: T’i ftojmë ata si ekip apo ekipe tjera nga atje të luajnë në ligën tonë nuk lejohet, përkundër dëshirës së tyre apo edhe dëshirës tonë, këtë nuk e lejon UEFA po as FIFA, por, në të gjitha ndeshjet e kupës, ndeshje miqësore, apo ndihma në format tjera, jemi të hapur dhe në gjendje që t’i ndihmojmë pa dyshim. Përkundër që askund në botë federatat nuk financojnë, ne jemi të gatshëm që futbollin e atjeshëm ta ndihmojmë, talentët e atjeshëm ti përkrahim, duke i subvencionuar, në kuptimin që kërkojmë talent e atjeshit që të bëhen pjesë edhe e kombëtares, absolut I kanë dyert e hapura.

 

“Presheva Jonë”: Cila është ndjenja si kryetar i FFK-së, kur i shihni tribunat plot e përplot me tifozët cilët kënaqen kur e ndjekin përfaqësuesen e Kosovës.

Agim Ademi: Ky është pikërisht suksesi të cilin kemi arritur, që futbollin ta bëjmë sport familjar. Jam shumë krenarë që pikërisht në kohën kur unë jam në krye të FFK-së, kombëtarja po arrin suksese të cilat po i shohim të gjithë, këto suksese nuk arritën vetëm me lutje dhe dëshirë, ajo e para është puna, e në punë ne nuk rreshtim, në të gjithë botën futbolli është sport i parë, por ne në Kosovë kemi arritur që futbollin ta bëjmë familjar, jo vetëm që me familja të vijnë e ta shohin ndeshjen, por i dijnë të gjithë datat e orët e ndeshjeve, anulojnë mbase edhe takime shumë të rëndësishme për ta ndjekur Kosovën, flitet 1 javë para e 1 javë pas ndeshjes, për ndeshjen, ky është sukses, kjo është kënaqësia. Kemi arritur që të krijojmë mentalitetin e fituesit, kushtet e punës për të çka folëm më parë, niveli FFK është i renditur në HIGH LEVEL, prandaj, organizimi të cilin e keni në FFK janë mbresëlënëse, për këtë mund t’i pyesni të gjithë edhe futbollistët të cilët luajnë në Zvicër, Norvegji e Kosovë. Në këtë drejtim, i jam falënderues edhe grupit të tifozëve “Dardanët” të cilët janë edhe zyrtarë për kombëtaren e Kosovës, janë për çdo lëvdatë, për ta deri tani kemi pasur vetëm lëvdata dhe asnjëherë asnjë dënim për shkak të tyre, sidomos në këtë kohë kur tifozëritë e tjerëve e kanë të theksuar racizmin. Mua vetëm për një gjë më vije keq, për të gjithë ata tifoz që nuk mund të marrin bileta për të ndjekur nga afër kombëtaren e futbollit, pasi që stadium ‘Fadil Vokrri’ i ka ato ulëse që i ka, kërkesat janë mbi 200 mijë, por këto janë mundësit dhe publikisht ju kërkoj falje, për tjerat që kanë të bëjnë me kombëtaren e Kosovës, janë vetëm krenar.

 

“Presheva Jonë”: Cilat janë pritshmërit tuaja për dy ndeshjet e fundit të grupit?

Agim Ademi: E ceka edhe më lart, është krijuar mentaliteti fitues, tash në çdo ndeshje shkojmë për 3 pikë, njëjtë do të shkojmë edhe në Çeki, kemi ardhur për ti marrë tri pikë dhe për të synuar kualifikimin qysh në fazën e grupeve, pa pasur nevojë për Ligën e Kombeve. Shpresojmë që do t’ia dalim, pasi që ekziston vullneti i jashtëzakonshëm, sidomos kur jemi kaq afër kualifikimit. Në futboll nuk ka kurrë asgjë të sigurt, por ndjenja ime, kapaciteti i futbollistëve, përgatitja fizike e psikike, ngulitja e tyre në kokë që të mbrojnë ngjyrat, duke tentuar që të mbesin në histori sit ë parët që kualifikuan Kosovën, besoj dhe shpresoj në kualifikim.

 

“Presheva Jonë”: Cila përgjigja juaj për të gjithë ata që po kanë problem që të pajisen me bileta për ndeshje?

Agim Ademi: Zgjidhje për efikase, më korrekte, për të pa-manipulueshme se online nuk ka, është numër një në të gjithë botën. E kemi vendosur në një shpejtësi të madhe për të pasur një barazi në qasje të të gjithëve. Të gjitha biletat do të jenë online, përveç atyre zyrtare që i shpërndan federatë, si dhe të sponsorëve, punëtorëve të federatës. Unë nuk do t’ia lejoj kurrë vetes që një punëtor i FFK-së të mos e ketë një biletë për ta përcjellë ndeshjen e Kosovës, ndeshjen e kombëtares e cila buron nga institucioni ku punon. Programi me të cilin ne bëjmë shitjen e biletave, është i marrë nga FIFA, është më i sofistikuari, ky është që në i kemi diku afër 10500 bileta maksimumi 11000, për ato bileta, në atë sistem mund të aplikojmë përnjëherë 20000 veta, pasi që është i paraparë për ndeshje me tifozeri deri në 7 a 80 mijë tifozë, që tu jepen mundësi të gjithëve njësoj. Mjafton që për një biletë dikush të klikoj 3 herë dhe i bllokon 3 bileta, aj pastaj gjatë proceduarave e paguan vetëm një biletë, pastaj ato 2 biletat e mbetura kthehen prapë në sistem si bileta të pa shitura dhe mund të blihen prapë nga blerës të tjerë, por këtu dallon pasi që nëse blihen në Amerikë, që të kthehen ato 2 biletat e lira në sistem nevojiten 48 orë, për këtë arsye, biletat me përgjegjësi ju them se nuk shiten ashtu siç thuhet për 3 a 4 minuta, bileta mund të blini edhe në orët apo ditët në vazhdim, vetëm se duhet të keni durim dhe fat sigurisht. Fati i keq është që nuk mund të shtohen karriget, ju e dini, ne edhe çmimin e kemi lërë tepër të ulët, me vetëm 5 euro mund ta ndjekësh Kosovën duke luajtur kundër Anglisë shembull, por këtë e kemi bërë për ta vlerësuar sakrificën e tifozëve që dikur e kanë bërë duke ardhur e duke na ndjekur edhe kur kemi luajtur në Shqipëri. Në kompeticionin e ardhshëm do të jetë pak më ndryshe, unë kam bërë kërkesë e cila më është aprovuar që kapaciteti i “Fadil Vokrrit” të rritet për 7000 ulëse shtesë, e për çka jemi dakorduar edhe me kryetarin e Prishtinës, pasi që stadium “Fadil Vokrri” është në pronësi të Komunës, kjo besoj shumë se do ta lehtësonte sado pak qasjen e tifozëve për të përkrahur Kosovën në futboll.

 

 

 

 

SHPËRNDAJE