Shperthime te sotme kanë tronditur Brukselin snë orët e para të mëngjesit të së martës, dy prej të cilëve të verifikuar në aeroportin Zaventem, ndërsa dy të tjerët në dy stacione metroje në zemër të kryeqytetit belg.
Motivet e shpërthimeve nuk dihen ende, ndërkohë që burime zyrtare flasin për të paktën 34 viktima dhe rreth 30 të plagosur. Shpërthimet vijnë katër ditë nga kapja në Bruksel të Salah Abdeslam, i dyshuari kryesor i sulmeve të nëntorit në Paris.
Nga raportimet e mediave lokale mësohet se, aeroporti është evakuuar, ndërsa fluturimet janë anuluar. Gjithashtu, janë pezulluar të gjitha shërbimet hekurudhore që të çojnë tek kompleksi. Të dhëna të tjera flasin se një nga shpërthimet ka ndodhur pranë check-in-it të American Airlines, por sërish ato janë të pakonfirmuara.
Ndërkohë, një shpërthim tjetër është verifikuar rreth një orë më vonë në stacionin e metrosë Maalbeek, fare pranë selisë së Komisionit Europian. Re të zeza tymi janë ngritur në rrugë dhe paniku ka përfshirë kalimtarët. Ai është pasuar nga një tjetër shpërthim në stacionin Schumann.
Transmetuesi belg RTBF citoi një dëshmitar të thoshte se, në ambientet e aeroportit kishte njerëz të shtrirë në tokë, të plagosur ose pa ndjenja, shumica e të cilëve në zonën e nisjeve, përballë hotel “Sheraton”.
Ndërsa një punonjës i aeroportit tha për televizionin holandez VRT: “Po bëja një moment pushim kur papritur dëgjova dhe ndjeva një shpërthim të madh. këtej nga jam shoh shtëllunga tymi të zi të ngrihen nga zona e nisjeve”. “Dritaret janë të thyera, njerëzit kanë dalë jashtë nga frika. Gjërat nuk duken mirë”, tregoi dëshmitari.
Ndërsa dëshmitarë të tjerë thanë se para shpërthimeve kishin dëgjuar të shtëna dhe thirrje në gjuhën arabe. Të dhëna të mëtejshme sugjerojnë se brenda aeroportit është gjetur edhe një bombë e pashpërthyer.
***
Builanci 34 të vdekur dhe dhjetra të plagosur është bilanci që ka shkaktuar shpërthimi i dy bombave në aeroportin Zaventem në Bruksel.
Dëshmitarët kanë thënë se kanë ndjerë zhurmën e shpërthimeve ku besohet se qendra e tyre ka qenë pjesa ku bëhet regjistrimi i pasagjerëve të “American Airlines”, rreth orës tetë të mëngjesit.
Fotografët nga brenda kanë arritur që të fotografojnë dyshemenë të mbushur me tjegulla dhe ka video të cilat i shfaqin momentet të pasagjerëve të tmerruar.
Ky sulm ka ardhur pas arrestimit të njeriut më të kërkuar në Evropë, Salah Abdeslam, arrestim ky që është bërë të premten, pas shumë muajsh kërkimi.
Mediat raportojnë se ekziston ende frikë se brenda në aeroport ka sulmues tjerë.