Kryetari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, e ka cilësuar vendimin e FFK-së për ta pezulluar për një vit nga kryerja e detyrës së shefit të klubit, si një goditje ndaj mendimit ndryshe dhe fjalës së lirë, si dhe përpjekje për t’ia pamundësuar atij ngritjen e zërit në kuvendin e federatës.

Të mërkurën, shtëpia e futbollit e dënoi Ejupin me një vit pezullim nga kryerja e të gjitha funksioneve zyrtare në klubin e Prishtinës në raport me FFK-në, për akuzat se kishte shpifur në një intervistë, raporton Gazeta Express.

Shefi i klubit bardhekaltër e kishte akuzuar FFK-në për kontroll mbi gjyqtarët e Superligës dhe për mungesë të politikave zhvillimore, si dhe kishte kërkuar llogari nga ajo se ku i investonte paratë e marra nga UEFA dhe FIFA.

“REMZI  EJUPI; kryetar i FC PRISHTINA  nga Prishtina për shpifje dhe përhapje të pavërtetave ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe anëtarëve të saj  dënohet me ndalesë në kryerjen e të gjitha funksioneve zyrtare në klub në raport me Federatën e Futbollit të Kosovës  në kohëzgjatje për ; 1 (një)  vit”, shkruhet në uebsajtin e FFK-së.

Një ditë pasi u pezullua për 12 muaj, Ejupi ka reaguar ashpër ndaj federatës duke e akuzuar për shkelje të lirisë së shprehjes.

Reagimi i plotë i Ejupit:

Të nderuar sportdashës,

Siç jeni njoftuar tashmë, mbrëmë – natën – Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e shqiptoi një dënim ndaj meje me një vit moskryerje të funksionit të presidentit të FC Prishtinës. Këtë FFK’ja e bëri natën, gjë që më së miri e tregon organizimin e tyre të mbrapshtë.

Sido që të jetë, ky dënim nuk i shqiptohet vetëm një delegati të FFK’së, por është tentim për ta goditur mendimin ndryshe dhe fjalën e lirë nga ana e disa individëve të cilët e kanë kapur dhe po e mbajnë në grusht të shtrënguar FFK-në dhe futbollin e Kosovës.

Siç e dini, prej anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA në FFK janë mbi 40 milionë euro të hyra. Kur unë se delegat i FFK’së, apo edhe delegatë të tjerë, nuk e dimë asnjëherë se ku janë apo ku kanë shkuar ato miliona euro, aq më pak e di opinioni i gjerë. Andaj, kam kërkuar sqarim për këtë dhe e kam propozuar një auditim të pavarur dhe të besueshëm në FFK dhe se e kam shprehur qëndrimin tim se nuk u besoj raporteve financiare që përpilohen sipas dëshirës së krerëve të FFK’së, të cilat ndoshta përpilohen po ashtu natën.

Si delegat i FFK’së, asnjëherë nuk e kam pasur të qartë se ku kanë përfunduar paratë e biletave të gjithë atyre ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës!

Është detyrë e jona si delegatë të federatës të kërkojmë llogari nga ata që e udhëheqin FFK’në dhe Kombëtaren e Kosovës edhe për rezultatet e skuadrës shtetërore, sepse ajo është ndër të rrallat që e bën çdo qytetar të Kosovës të lumtur me vendin e vet, ku dihet se në segmente tjera Kosova jon nuk është që i ka punët mirë.

Është krejt e natyrshme që një delegat të kërkojë sqarime nga kryesia aktuale e FFK’së ta thotë të vërteten e mungesës së shumë futbollistëve në ndeshjet vendimtare të Kosovës, me ç’rast, duke e humbur shansin ideal të kualifikimit në Kampionatin Evropian Kosova e humbi mundësinë e përfitimit të 15 milionë eurove, me të cilat futbolli ynë do të kalonte automatikisht në një nivel tjetër.

Është krejt normale që delegatët – të cilët që nga pas lufta kanë investuar mbi 100 milionë euro në futbollin e Kosovës – të kërkojnë llogari dhe sqarime për pagat dhe shpenzimet që bëhen në FFK, nga punësimet pa konkurse në FFK, për mënyrën se si ndahen paratë e destinuara nga UEFA për klubet në krizë që mezi mbijetojnë dhe për mënyrën se si FFK i ndan ato në përpjekje për t’i stopuar te delegatët apo klubet tjera pyetje të ngjashme si këto të mijat.

Këtij qëllimi bukur shumë ia ka arritur. Këto pyetje planifikoja t’i bëja në Kuvendin e ardhshëm, i cili është dashtë të mbahej qysh moti. Por që ata që e kanë kapur FFK’në vazhdojnë të marrin kohë dhe njëkohësisht të punojnë në terren për të stopuar pyetje si këto.

Mua ma pamundësuan pjesëmarrjen në Kuvend dhe parashtrimin e këtyre pyetjeve duke më dënuar në këtë formë. Dënimi ndaj fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe ishte opsioni i vetëm i tyre për të më pamundësuar që këto pyetje t’i bëj aty ku është vendi – në Kuvend.

Ky është realiteti! Ky është futbolli i Kosovës i njollosur dhe i ngulfatur vetëm nga një grup i vogël njerëzisht!

SHPËRNDAJE