Nga 3 janari do të hapet merkato e dimrit dhe klubet do të kenë mundësi të korrigjojnë gabimet e verës ose të përforcojnë super skuadrat që kanë në dispozicion. Gjithashtu, klubet kryesore të Europës do të kenë mundësi të arrijnë marrëveshje për sezonin e ardhshëm me futbollistë kontratat e të cilëve skadojnë më 30 qershor të 2017-ës. Ja cilat janë operacionet me më shumë leverdi pozicion për pozicion mes atyre që do të jenë me kosto zero në fundin e këtij sezoni.

Portierë

Nëse ndonjë klub është në kërkim të një portieri që jep garanci mes shtyllabe për sezonin e ardhshëm, mund t’i drejtojë sytë nga 29-vjeçari spanjoll Adrian, në pronësi të West Ham, por kontrata e të cilit skadon në fund të sezonit. Ose mund të interesohet për lojtarin e Rennes Benoit Costil (29 vjeç), një nga më të mirët në Ligue 1, por ideja më tunduese mund të jetë ajo për të siguruar shërbimet e një monumenti të futbollit si 35-vjeçari Iker Casillas, i cili është në vitin e tij të fundit me Porto-n.

Qendërmbrojtës

Nëse objekti i kërkimeve është një mbrojtës qendre me kosto zero, emri më i rëndësishëm i kësaj liste është ai i 33-vjeçarit portugez Pepe, i cili pritet t’i japë fund aventurës së tij me Real Madrid qershorin e ardhshëm. Një tjetër lojtar me eksperiencë që do të jetë i lirë në fundin e këtij sezoni është 32-vjeçari gjerman i Arsenal-it Per Mertesacker, për vite me radhë një nga shtyllat e kombëtares së Gjermanisë. Nëse më pas kërkohet një qendërmbrojtës që e njeh mirë futbollin italian, emri i duhur është sigurisht ai i 32-vjeçarit argjentinas të Fiorentina-s Gonzalo Rodriguez, edhe ky në vitin e tij te fundit me klubin vjollcë.

Mbrojtës krahu

Për sa i takon mbrojtësve të krahut, mundësia më e mirë përfaqësohet nga 31-vjeçari francez i Manchester City-it Gael Clichy. Duke mbetur në krahun e majtë, një mundësi është edhe 23-vjeçari boshnjak i Schalke-s Sead Kolasinac, i cili është paraqitur mirë në vitet e fundit në Bundesliga. Ndërsa, për sa i takon krahut të djathtë të mbrojtjes, opsionet në dispozicion të klubeve të interesuar do të jenë akoma më shumë. Në fakt, nga korriku i 2017-ës do të jenë të lirë të gjejnë një ekip tjetër argjentinasi Pablo Zabaleta (31 vjeç) dhe francezi Bacary Sagna (33), të dy aktualisht te Manchester City, serbi Branislav Ivanovic (32) i Chelsea, ekuadoriani i United Antonio Valencia (31) dhe zvicerani i Juventus Stephan Lichtsteiner (32).

Mesfushorë

Edhe në këtë repart mundësitë për të zgjedhur janë të shumta. Përveç emrit të shumëpërmendur të Axel Witsel, që duket se ka arritur një marrëveshje me Juventus-in, mund të kthehen sytë nga eksperienca e Yaya Toure (33) të Manchester City-it ose tek ajo e Danielle De Rossi-t (33), kontrata e të cilit me Roma-n skadon në fund të sezonit. Ose mund t’i besohet nigerianit John Obi Mikel (29), ashtu si mesfushorit të Liverpool Lucas Leiva-s (29) apo Fernando Gago-s (30) të Boca Juniors.

Sulmues krahu

Për sa i takon sulmuesve të krahut, goditja e ëndrrave do të ishte sigurisht holandezi i Bayern Munich Arjen Robben (32), drejt skadencës së kontratës me bavarezët. Por do të jenë të lirë për të nënshkruar me një klubi të ri edhe spanjolli Jesus Navas (31) i City-ti, braziliani i Shakhtar Donetsk Taison (28) dhe spanjolli tjetër Santi Cazorla (32) i Arsenal, që do të përfqësonin tre operacioni shumë të mira me kosto zero.

Sulmues

Edhe për sulmuesit lista e goditjeve të mundshme është shumë e pasur. Emri më tërheqës është ai i Zlatan Ibrahimovic (35), i cili mund të vendosë të rinovojë për një vit tjetër me Manchester United. Emrat e tjerë me peshë janë ata të Saido Berahino (23) i West Bromwich, Fernando Torres (32) i Atletico Madrid dhe Mario Balotelli (26), që luan te Nice, por që, nëpërmjet menaxherit të tij Mino Raiola, ka bërë të ditur se do të largohet nga Franca në fund të sezonit.

SHPËRNDAJE