Westerwelle: Statusi i Kosovës dhe kufijtë, çështje e mbyllur

Berlin, 30 maj – Kosova ka bërë përparim të sigurt. Kështu ka vlerësuar ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle në debatin e fundit në Bundestagun gjerman kushtuar Kosovës, raporton RTK.
Debati u mbajt në fundjavë, ndërsa Westerwelle ka kërkuar nga deputetët gjermanë zgjatjen e mandatit për ushtarët e Bundeswehrit në Kosovë. Qeveria gjermane, ka thënë ai, përsërit se statusi i Kosovës dhe çështja e kufijve në Ballkanin perëndimor është plotësisht e mbyllur. Në korrikun e vitit të kaluar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vërtetoi përfundimisht se shpallja e pavarësisë së Kosovës, është bërë në harmoni me të Drejtën Ndërkombëtare. Kush thotë se në Kosovë vitin e fundit janë bërë pak ndryshime, sipas pikëpamjes së Qeverisë gjermane, ai thotë gjysmë të vërteta. Zgjedhjet parlamentare që u mbajtën vitin e kaluar edhe pse u desh të përsëriteshin në disa zona, ato u mbajtën dhe rrodhën përgjithësisht të qeta. Këto zgjedhje u bojkotuan në veriun e Kosovës, por me këtë bojkot, serbët para së gjithash dëmtuan vetën. Por kështu nuk vepruan serbët në jug të Kosovës, ku pjesëmarrja e tyre ishte shumë e lartë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Kur njeriu mendon se kanë kaluar vetëm tre vjet nga pavarësimi i Kosovës, atëherë vërtet është e pamundur të mos thuhet se në këtë vend janë bërë përparime tejet të rëndësishme, të cilat sot nuk mund të kalohen pa u thënë. Vetëm brenda një viti në Kosovë dhanë dorëheqje dy presidentë, por po kaq i vërtetë është fakti se ky vakum politik u tejkalua pa lëkundje politike, ka thënë ministri jashtëm gjerman. Kjo ishte një dëshmi e fortë se u respektua Kushtetuta e vendit, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese u pranua nga të gjithë aktorët politikë. Rasti me presidentët është dëshmi për një funksionimin të shëndetshëm të institucioneve të vendit. Stabiliteti në Kosovë po tregohet edhe me reduktimin e forcës ushtarake ndërkombëtare. Megjithatë, në Kosovë ka edhe shumë punë për tu bërë gjë që është theksuar edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2010, sidomos sa përket luftës kundër krimit të organizuar dhe sistemit të drejtësisë. Gjermania, ka thënë Westerwelle do të vazhdojë të jetë e pranishme me trupat e saj në Kosovë për sa kohë që do të jetë e nevojshme, për t’i ndihmuar edhe më shumë rritjes së stabilitetit në këtë vend.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni