Viza dhe Deviza

Nga Bradh FRANGU

       Express /

   Po nëse Viza kushtëzohet nga Deviza për ta ulur krimin e organizuar dhe korrupsionin, çka mund të bëjmë ne? Thuaja se asgjë. Dëshmia më e mirë për këtë ishin dy rastet që ndodhën po ditën e marrjes së udhërrëfyesit.

Populli sa më shumë varfërohet, aq më lehtë bëhet i manipulueshëm dhe i nënshtrueshëm nga pushteti. Kjo gjë jo vetëm që dihet, por edhe po shihet. Kjo klasë jona politike, nëpërmjet zhvillimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, keqpërdorimit dhe abuzimit me pushtetin, ka rritur shkallën e varfërisë gati në atë masë sa shumica të ngjajnë në llumpoproletarë, të cilët një ditë ndoshta mund t’i duhen vetëm lëvizjes populliste “Vetëvendosje!”, por zor t’i duhen një shteti që pretendon të ndërtojë perspektivë evropiane për qytetarët e tij. E po bëri e iu tek kësaj lëvizjeje (në kuadër të alternativave të mundshme) që të mos i shërbej kësaj qeverie duke emërtuar si fajtor kujdestar Serbinë dhe Evropën dhe po iu tek që në vend të kamionëve që legalisht futen në Kosovë nga Serbia të rrokullis xhipet e qeverisë, do të ndërtohej një pamje krejt tjetër e ambientit politik tek ne. Dhe mbase do të zbulohej një fije drite në fund të tunelit. Por edhe kjo është e zorshme të ndodhë për njëmijë arsye që dihen, sepse këtu lufta, ndër të tjera dhe për më tepër, ka kuptim edhe për emblema dhe simbole; qeveria vendos flamuj shtetërorë, popullistët i zëvendësojnë ata me flamuj kombëtarë dhe krejt kuptimi i të bërit politikë në këtë vend zbret në nivel tepër primitiv, i cili i takon rrafshit debatues se e duam Kosovën shtet apo krahinë që duhet bashkuar Shqipërisë!

Sigurisht që çështja e papërgjegjësisë së elitës sonë politike është një çështje shumë komplekse, sepse ndërlidhet me shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, por gjithashtu është komplekse edhe çështja e inferioritetit të qytetarisë sonë, e cila vazhdon të manipulohet sa nga qeveritarët po aq edhe nga joqeveritarët e strukturuar nëpër organizata të ndryshme për të zhvatur gjithë ato mjete që derdhen në këtë vend. Ndryshe, përkundër faktit se jemi një shoqëri shumë e mbyllur, e cila edhe luftën e ka bërë në mbështetje të logjikës për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, nuk mund të shpjegohet lehtë indiferenca e qytetarëve karshi krejt këtyre zhvillimeve që si pasojë kanë rrënimin e perspektivës së tyre. Në këtë mënyrë edhe është ndërtuar ndjenja se sikur në këtë vend e vetmja formë e organizimit të jetës është ajo e hajnisë në mënyrat më të ndryshme dhe më bizare! Kështu prona publike është shndërruar në një cofëtinë, të cilës i jemi vërsulur si hiena. Madje kjo ndjenjë, për më keq, të dërgon shumë përtej akceptimit të formës së një kapitalizmi të egër. Kjo ndjenjë të dërgon tek rasti i një fshati rrëzë Maleve të Sharrit, ndodhia e të cilit është shndërruar në anekdotë. Ndërsa banorët e kishin bërë mënyrë të të jetuarit hajninë, edhe mësuesi i fshatit ishte detyruar të merrej me të dhe si i tillë bashkë me shumë fshatarë të përfundonte në burg. Kosova jonë kurrë nuk i ka ngjarë më shumë këtij fshati, sepse hiq idealistët e djegur dhe të shkrumbuar, shumica prej të cilëve janë shndërruar në raste sociale, të tjerët (pushtetarë e qytetarë) sikur janë pajtuar se vetëm të organizuar nëpër grupe të interesit, ku zhvillohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, mund të mbijetojnë në këtë vend.

E gjitha kjo na dërgon tek leximi i udhërrëfyesit për liberalizim vizash, të marrë solemnisht ditën e enjte nga Brukseli dhe tek çështja se cila është perspektiva jonë evropiane në këtë rast? Thënë figurativisht, nëse ky udhërrëfyes kërkon një fotografi rëntgeni për trupin tonë, lirshëm mund të themi se do të dalim me mushkëri të shqyera njësoj si kjo qeveri, e cila për hir të pushtetit mushkëritë i ka arnuar me numra. Po sigurisht që njerëzit në Bruksel këtë fotografi rëntgeni do ta shikojnë si ndonjë mjek i keq, për të cilin me rëndësi është terapia dhe përshkrimi i barërave për të, siç kanë bërë edhe me disa shtete të rajonit, ndryshe as që mund të bëhet fjalë për plotësim kushtesh, të cilat nënkuptojnë plotësim standardesh, për të cilat ne as që dimë çka janë. Dëshmia më e mirë për këtë është rasti i presidentes sonë, përkatësisht njeriut të parë të vendit, e cila në vend se marrëveshjen politike për mandatin e saj ta shndërrojë në një standard politik kaq të nevojshëm në kuadër të këtij procesi, ajo bën të kundërtën, duke shfaqur hapur ambiciet e saja politike dhe duke dëshmuar në këtë mënyrë se postet këtu kanë vetëm kuptim privilegje dhe jo përgjegjësie. Njësoj vepron edhe kryeministri, i cili shkarkon një zëvendësministër sapo të zgjedhur, i cili ishte i ngarkuar me akuza të ndryshme, por pa e deklaruar vullnetin e tij të njëmendët që me këtë rast të nisë pastrimin e qeverisë së tij, nën strehën e së cilës kanë gjetur vend shumë të inkriminuar. Me këtë rast e tepërt do të ishte t’i fusim këtu të bërat e njeriut të dytë të qeverisë dhe imazhin që ndërton ai për këtë pushtet.

Po në saje të një leximi të keq të plotësimit të udhërrëfyesit ne edhe mund të përfitojmë nga liberalizimi i vizave, por me këtë treg të dijes që kemi krijuar dhe me këtë nivel të prodhimit që kemi do të gjendemi jashtë çdo konkurrence edhe brenda rajonit le më Evropës. Po nëse viza kushtëzohet nga deviza për ta ulur krimin e organizuar dhe korrupsionin, çka mund të bëjmë ne? Thuaja se asgjë. Dëshmia më e mirë për këtë ishin dy rastet që ndodhën po ditën e marrjes së udhërrëfyesit. Në rastin e parë në mënyrën më barbare u vra shefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj dhe në rastin e dytë u plagos një qytetar rasti, ndërsa grupe kriminale po përlesheshin me armë zjarri në kryeqendrën tonë, ku duhej të sillej udhërrëfyese! Mbase kjo ngjarje kishte ndodhur jo larg stacionit të policisë, gjë kjo e cila bën dëshminë më të mirë se sa me lehtësi qytetari ynë vihet mbi ligjin, funksionalizimi i të cilit do të duhej të ishte deviza elementar për integrime.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni