Me tensione të mëdha po shënohet java deri te raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Serbi. Tomislav Nikolic ka akuzuar kundërshtarin e tij, presidentin aktual Boris Tadic, për vjedhjen e gjysmë milioni të votave. Por, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve i ka hedhë poshtë pohimet. Në anën tjetër, pos vjedhjes së Tadicit, mediat serbe merren edhe me faktin nëse Nikolici – i preferuari i serbëve të Kosovës – ka diplomuar ndonjëherë.
“Nuk do të qetësohem, derisa nuk e hetojmë këtë”, ka thënë dje Nikolic. “Po mendoj që seriozisht të mblidhemi në Beograd një ditë para zgjedhjeve dhe t’i tregojmë asaj bande se nuk do ta tolerojmë këtë, se jemi shumë krenarë, e të ndershëm, më shumë se që ata mendojnë. Dhe, këtë herë nuk e lejojmë cjapin të ruaj lakrat”,

Aktualisht ky është opsioni i tij, ndërsa i dyti – pasi ankesa e tij për vjedhje të votave është hedhur poshtë nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve – ka mbetur ankesa në Gjykatën Administrative, brenda 48 orëve të ardhshme. Sekretari i Komisionit, Veljko Odalovic, thotl se ankesa është refuzuar si e pabazë, ndërsa janë marrë parasysh të gjitha faktet.

“Në to nuk ka elemente nga të cilat mund të vërtetoheshin shkeljet, kështu që vendim tjetër nuk kemi mundur të marrim. Kandidati për president ka të drejtë të ankohet, e ne po të kishim më shumë informata dhe të dhëna, do t’i analizonim ato. Tash kjo është në kompetencë të policisë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, edhe pse kreut të Partisë Progresive Serbe (SNS) i shkruan se diplomën e ka bërë në një fakultet, në Bibliotekën Kombëtare të Serbisë është regjistruar diploma nga një fakultet tjetër.

Kandidatit Tomislav Nikolic në diplomë i shkruan: Fakulteti i Menaxhimit, teza e diplomës “Marketingu i partive politike në fushatën zgjedhore”.

Megjithatë, diploma e vetme e regjistruar e tij është nga Fakulteti për Tregti dhe Banka “Janic dhe Danica Karic”. Ndërsa, punimi është në temën: “Menaxhimi i bursave dhe ndërmjetësit e bursave në bursën e Beogradit”.

Këto informata i publikon Blic, duke mos dashur ta vë në pikëpyetje shkollimin e liderit të SNS-së, por dyshimet në lidhje me rregullsinë e diplomës për të cilën Nikolic mburret. E jo vetëm këtë, por edhe faktin se kandidati presidencial është akter i aferës “i diplomuar”.

Faktet thonë: Nikolici vet më 2006 ka thënë se studion Drejtësinë në Kragujevc, ndërsa diplomën që e ka fërfëlluar para 15 ditëve është e vitit 2007 nga fakulteti i Menaxhmentit në Novi Sad. Në bazën shtetërore të të dhënave është punimi i diplomës në një temë tjetër, nga fakulteti që mbanë emrin e prindërve të një biznesmeni me origjinë nga Kosova.

Tema e diplomës ka të bëjë me veprimtarinë e bursave, e jo marketingun politik. Ajo që dihet tash është se Nikolici është i lidhur me tri fakultete, e ka një diplomë që e ka paraqitur dhe një tjetër të cilën Blic e ka zbuluar, por me temë tjetër dhe në fakultet tjetër. Sidoqoftë edhe diploma e edhe diplomimi lidhen me fakultetet ku janë partnerët e koalicionit të tij – Karicët.

Pra, ka dyshime nëse diploma e tij është valide dhe nëse është e certifikuar, meqë dyshohet se është e shkruar para këtyre zgjedhjeve (ndonëse flet për kohën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2007). Në anën tjetër, Fakulteti për Menaxhment – nga i cili ka diplomuar ai dhe diplomën e të cilit e tregon – atëherë kur Nikolic thotë se ka studiuar ka qenë institucion i pa akredituar, ndërsa dega ku ka studiuar sot më nuk ekziston.

Dyshimet i ka thelluar profesori i Novi Sadit, Ljubisa Stojimirovic, i cili thotë se e ka parë Nikolicin në ligjërata. Mirëpo, ky profesor është një nga themeluesit e SNS-së, ndërsa në zgjedhjet parlamentare emri i tij është në numrin 34 të listës së SNS-së.

Blic është përpjekur pa sukses të gjejë studentët që e kujtojnë kandidatin presidencial. Ndërsa, nuk ka mundur ta sigurojë as dosjen e Nikolicit si student.

Tomislav Nikolic ka thënë se diploma e tij vlen 200 milionë dinarë (afro dy milionë euro), për çka me këtë vlerë e ka paditur ditoren Blic me pohimet se dyshimet e tyre e kanë shkatërruar kredibilitetin e tij si kandidati më serioz për president të Serbisë.

Të përkujtojmë se në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi më shumë vota kanë fituar Boris Tadiq nga Partia Demokratike (26.8 për qind) dhe Tomisllav Nikolliq (25.6 për qind). Partia e Nikolicit prinë në zgjedhjet parlamentare.

Për serbët e Kosovës më i preferuari për president të Serbisë ka qenë Tomislav Nikolic, i dyti Vojislav Kostunica dhe përpara Tadicit, i treti është radhitur Ivica Dacic.

Ndërsa, në zgjedhjet parlamentare, partia më e preferuar e serbëve të Kosovës është Partia Socialiste e Serbisë (SPS), e cila tani udhëhiqet nga Dacic. Pas socialistëve është radhitur partia e Nikolicit, e pasuar nga partia e ish-kryeministrit serb, Kostunica.

SHPËRNDAJE