Mos harmonizimi i ligjit për automjete me rregullativat e MPB-së ka pamundësuar deri më tani që qytetarët shqiptarë të kërkojnë që lejet e qarkullimit ti marin në dy gjuhë. ALSAT-M ashtu siç kërkoi Ministrja e Brendshme, Jankullovska, sot i është drejtuar me shkrim kësaj ministrie për të parë se ku në të vërtet qëndron problemi! Por deri në emetimin e këtij edicioni të lajmeve nuk aritëm të marim përgjigje. Dje Jankullovska deklaroi se Ligji për Automjete është nën kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë, ndërsa kolegu i saj, Valon Saraçini i cili është duke qëndruar për vizitë në Moskë, në linjë telefonike për ALSAT-M ka akuzuar pikërishtë MPB-në se për shkak të neglizhencës së tyre qytetarët nuk kanë arritur të marin në dy gjuhë lejet e qarkullimit.“Ministrja Jankullovska nuk e ka kuptuar mirë punën për atë edhe përgjigja e saj ka qenë në drejtim të gabuar. Ajo që është e qartë se në Ligjin për Automjete që është nën kompetenca të Ministrisë së Ekonomisë, në nenin 33 artikulli 4 dhe 5 është qartë e cekur se çdo qytetar i Maqedonisë në gjuhën që ai e flet mund të kërkojë që ti jepet edhe leja e qarkullimit apo leja e velturës. Ligji është i qartë, ligji është decid dhe gjithçka duhet të bëhet është të implementohet edhe në praktikë dhe këtë duhet ta bëjnë punonjësit në MPB, respektivisht ata që janë nëpër sportele dhe qytetarëve përkrah formularëve në gjuhën maqedonase tju ofrohen edhe në shqip apo në gjuhën që ata e flasin”, tha Valon Saraçini, Ministër i Ekonomisë. Por pse Saraçini deri më tani nuk ka ngritur zërin bashkë me ish kolegun e tij Fatmir Besimi për këtë neglizhencë të MPB është e paqartë. Deri më tani, asnjë qytetari shqiptar në Maqedoni nuk i është ofruar një leje qarkullimi në gjuhën e tij amëtare,përkundrazi, pranë MPB-së, një gjë e tillë akoma konsiderohet si një ‘mision i pamundur’ “Maqedonisht e kam lejen e qarkullimit. Por shqip duhet të jetë’, tha një qytetar. ‘Jo deri më tani jo, unë për vete e kam lejen e qarkullimit në gjuhën maqedonase dhe e tëra është ashtu. Nuk kam pasur rast, këtë veturë e kam shumë më herët dhe leja e qarkullimit tërë kohën më është dhënë në maqedonisht.Kuptohet, pse mos të jetë edhe në shqip’, u shpreh një tjetër qytetar. ‘Normal ne jemi mbi 20 për qind këtu prandaj leja e qarkullim duhet edhe shqip të jetë, edhe leja e vozitjes por edhe ajo e qarkullimit. Deri më tani të gjitha këto vetëm në maqedonisht i kam’, tha një qytetar. ‘Jo jo vetëm në maqedonisht e kam lejen e qarkullimit. Duhet të jetë edhe në shqip por për atë gjë duhet të kujdeset tjetërkush dhe ne nuk kemi çka bëjmë’, tha një qytetar. Ministrja e Brendshme Jankullovska dje premtoi se nëse është bërë lëshim nga dikasteri i saj, i njëjti do të përmirësohet.“Nëse ka ndonjë lëshim, do t’ju lusë që të na tregoni që ta korrigjojmë’, tha Gordana Jankullovska ministre e brendshme më (17.06.2012). Alsat-M do të vazhdojë të pres sqarime nga MPB se ku dhe pse është bërë lëshim dhe pse i është cënuar e drejta qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë deri më tani të marin edhe Lejen e Qarkullimit në gjuhën e tyre amtare ashtu siç parasheh edhe neni 33 i Ligjit për Automjetet, pika 5 ku thuhet se ‘Qytetarëve, që flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha zyrtare – me kërkesën e tyre personale – të dhënat për emrin personal që regjistrohen në lejen e qarkullimit, u shkruhen ato në gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik, në gjuhën dhe alfabetin që qytetari flet, si dhe në alfabetin latin’.

 

SHPËRNDAJE