Përfaqësuesit e punëdhënëse dhe sindikatës pritet të përplasen sërish sa i përket pagës minimale.

Ndonëse ata pajtohen që të mos ketë kategorizim, mospajtimet e tyre kanë të bëjnë me lartësinë e kësaj page. Për këtë çështje pritet të diskutohet në Këshillin Ekonomik Social javën e ardhshme, ku përveç punëdhënësve dhe punëmarrësve, bën pjesë edhe qeveria me pesë ministra.

Përfaqësuesit e biznesit dhe sindikalistët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket pagës minimale. Përderisa sindikalistët kërkojnë që paga minimale të jetë mbi 250 euro dhe e njëjtë për të gjithë të punësuarit, punëdhënësit theksojnë se nuk do të përkrahin këtë ide.
Kryetari i Bashkimit të sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë se kategorizimi i pagës minimale është diskriminues, dhe do të vazhdojnë ta kundërshtojnë atë.

“Ne jemi kundër kategorizimit, e kemi thënë e do ta përsërisim, sepse ajo është një diskriminim ndaj palës tjetër. Ne nuk jemi pajtuar, por edhe nuk është shqyrtuar në KES ajo, qeveria ka marrë vendim që paga minimale të jetë 170, kur ne përfaqësuesit e punëtorëve nuk jemi pajtuar si palë, as ne as KSLK-ja dhe kemi kërkuar të jetë mbi 250 euro”.

Vitin e kaluar qeveria kishte marrë vendim që paga minimale të jetë e kategorizuar, respektivisht 130 euro për të punësuarit deri në 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini, thotë se nuk do të përkrahin kategorizimin e kësaj page.

“Mendojmë që vlera reale duhet të jetë për të gjithë njëjtë dhe kjo duhet të jetë në përputhje me zhvillimin ekonomik që kemi, por assesi të mendohet për pagën minimale që të rritet përderisa ne kemi pensione shumë të ulëta. Duhet të mendohet nëse ne e rrisim pagën minimale të rrisim edhe pensionet, sepse është një diskriminim edhe ndaj pensionistëve”.

Por Shahini assesi nuk pajtohet që paga minimale të jetë në vlerë prej 250 eurosh as në të ardhmen, duke theksuar se as punëdhënësit nuk e përkrahin atë.

Për këtë çështje pritet të diskutohet në Këshillin Ekonomik Social javën e ardhshme, ku kryesimin pritet ta marrin përfaqësuesit e punëtorëve.

Ndryshe në bazë të nenit 57 të Ligjit të Punës, Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale për vitin vijues sipas propozimit të Këshilli Ekonomiko-Social.

SHPËRNDAJE