“Sot në këtë 12-vjetor duhet të marrim energji të reja dhe t’i kundërvihemi shpifjeve të mbeturinave të Serbisë dhe ne lirisht ju themi atyre që të vinë në Kosovë, në Reçak, në Prekaz e çdo kund ku është zhvilluar lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe ta shohin me sytë e tij se sa e pastër dhe e drejtë ka qenë lufta e UÇK-së”, ka thënë Jashari.Masakra e Reçakut shkundi ndërgjegjen ndërkombëtare, për të kuptuar të vërtetën dhe qëllimin e drejtë të luftës së UÇK-së. 15 janari i vitit 1999 gjithmonë do të mbetet në historinë më të lavdishme të Kosovës, pasi u dëshmua se shqiptarët që jetojnë në trojet e veta kanë luftuar për të drejtën e tyre, u tha me rastin e shënimit të 12-vjetorit të masakrës së Reçakut nga forcat serbe, e cila tronditi gjithë botën.

Qytetarë të shumtë nga vise të ndryshme të Kosovës, që nga orët e mëngjesit të ditës së shtunë, ia kishin mërsyer Kompleksit memorial në fshatin Reçak për t’i nderuar viktimat që 12 vjet më parë u masakruan mizorisht nga forcat barbare serbe. Pas homazheve në Kompleksin memorial, në oborrin e shkollës fillore “Skënderbeu” në Reçak është organizuar tubim përkujtimor, ku kanë marrë pjesë struktura të larta të institucioneve të Kosovës, udhëheqës të organizatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë. Kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli, para të pranishmëve, ka thënë se pikërisht masakra e Reçakut zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare, dhe bëri që ne sot të gëzojmë lirinë.

“Masakra e Reçakut dhe lufta e UÇK-së është një vulë, është themeli i shtetit tonë është dëshmia, e cila e njohu botën e mbarë, e cila tregoi se ky shtet është ndërtuar me sakrificë, gjak e mund. Themelet e këtij shteti janë të forta sa që nuk do të mund askush të ndalë këtë popull në këtë lëvizje, drejt Evropës së bashkuar”, ka thënë Ismajli. Ministri në largim i FSK-së, Fehmi Mujota, ka thënë se masakra e Reçakut ka qenë një dëshmi se jemi ballafaquar me një okupator që nuk ka njohur asnjë normë civilizuese e njerëzore.

“Sot kur po mbushen 12 vjet nga dita e masakrës së Reçakut e gjithë vëmendja e qytetarëve të Republikës së Kosovës është kthyer nga përkujtimi i asaj ngjarjeje makabre që ndodhi mbi popullatën civile, të asaj ngjarje që shkundi ndërgjegjen ndërkombëtare, për të kuptuar të vërtetën dhe qëllimin e drejtë të luftës së UÇK-së. 15 janari i vitit 1999 gjithmonë do të ngel në historinë më të lavdishme të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, sepse u dëshmua se shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre kanë luftuar për të drejtën e tyre”, ka thënë ai. Ndërkaq kryetari i komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka thënë se në atë kohë të gjithë e kishim të vështirë, pasi që humbëm më të dashurit tanë, por fal tyre ne sot po jetojmë në liri.

“Lufta është e vështirë është e tmerrshme, e zymtë ashtu siç ishte edhe dita e 15 janarit të vitit 1999. Ditë e rëndë kur humbën më të dashurit tonë, kur unë humba bashkëluftëtarët e Reçaku qytetarët e saj. 15 janari është dita kur Reçaku u bë emër që shkundi mekanizmin e rënd politik ndërkombëtar, dita kur u vë në lëvizje diplomacia ndërkombëtare dhe shpesh i bëj një pyetje vetës a thua gjithmonë duhet të ndodhë diçka e madhe tragjike që të merren hapa për t’u zgjidhur një çështje, fatkeqësisht historia e tregon se kjo është e vërtetë”, ka thënë Buja. Me një fjalë rasti të pranishmëve iu është drejtuar edhe kryetari i shoqatave të dala nga lufta Xhavit Jashari, i cili vlerësoi kontributin e të gjithë të rënëve. Në këtë tubim është lexuar edhe një letër e ambasadorit Uilliam Uoker, ish-shef i misionit të OSBE-së në Kosovë më 1999.

Dymbëdhjetë vjet më parë forcat policore dhe ushtarake kriminale serbe nxorën me forcë njerëzit nga shtëpitë e tyre dhe masakruan 42 civilë shqiptarë, në mesin e tyre fëmijë, gra e të moshuar. Masakra e Reçakut në historinë më të re të Kosovës është një nga ngjarjet që pati ndikimin më të fuqishëm në rrjedhat e atëhershme të luftës, e cila mori edhe mbështetjen ndërkombëtare dhe mandej ndryshuan rrjedhat e historisë për Kosovën.

Reçaku bëri që të zgjohet ndërgjegjja e botës së qytetëruar dhe të mos mungojnë tashmë as reagimet e qarta të saj, të cilat çuan deri tek bombardimi i Aleancës Veri-atlantike të NATO-s kundër forcave paramilitare dhe militare serbe. Ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, Uilliam Uoker pasi vizitoi vendin ku u bë masakra, tha se ajo që kishte parë ishte ngjarja më trishtuese në jetën e tij. Uoker e cilësoi këtë ndodhi si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Për shkak të deklaratave të tij, që nxitën reagimin ndërkombëtar për të ndalur dhunën ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë, qeveria jugosllave e shpalli Uoker “person non grata”.

Pas rreth dy muajsh, nga masakra e Reçakut, NATO filloi sulmet ajrore kundër caqeve serbe që zgjatën 78 ditë. Ndërsa ish presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviq u akuzua nga Tribunali i Hagës për krime kundër njerëzimit në Kosovë, përfshirë këtu edhe masakrën e Reçakut, por ai vdiq në burg pa pritur përfundimin e procesit gjyqësor.

SHPËRNDAJE