Një akademik nga Letovica e Bujanocit në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Është ky prof.dr.Hivzi ISLAMI. Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) zgjodhi sot Kryesinë e re të Akademisë, ndërsa Akademik Hivzi Islamin e zgjodhi kryetar, njofton agjencia informative « Presheva Jonë ».

Kushtrim MALIQI

Prishtinë,23 dhjetor/AIK-Presheva Jonë

Pos kryetarit të ri  z.Islami brenda ASHAK Pajazit Nushin është zgjedhur nënkryetar; ndërsa anëtarin korrespondent Isuf Krasniqin-sekretar të përgjithshëm.

Kuvendi i Akdemisë gjithashtu verifikoi zgjedhjen e Akademik Mehmet Krajës, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë; Akademik Mark Krasniqit, sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore; Anëtarit korrespondent Fejzullah Krasniqit, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës; Akademik Zeqirja Ballatës, sekretar i Seksionit të Arteve, thuhet në një komunikatë të ASHAK-ut.

 

Hivzi Islami, demograf, profesor e akademik, lindi në Letovicë të Bujanocit më 1946. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, gjimnazin në Preshevë (1965), ndërsa diplomoi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, Dega e Gjeografisë (1970). Gjatë studimeve ishte bursist i Universitetit dhe drejtonte revistën shkencore të studentëve Dituria. Studimet pasuniversitare i kreu në FSHMN të Universitetit të Zagrebit, ku magjistroi (1973), ndërkaq doktoroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Lubjanës (1977). Që nga viti 1974 ligjërues, docent dhe profesor i demografisë në Universitetin e Prishtinës; mban mësim edhe në studimet posdiplomike, ku udhëheq magjistrantë dhe doktorantë. Ka qenë shef i Seksionit të Gjeografisë dhe prodekan i FSHMN-së. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt. Sot është sekretar i përgjithshëm i kësaj Akademie. Mori pjesë në shumë tubime shkencore në Kosovë dhe jashtë saj, me kumtesa dhe diskutime.

 

Në vitin shkollor 1981/82 qëndroi në Universitetin e Toulouse-it (Francë) për perfeksionim profesional dhe shkencor. Në vitin 2001 sërish qëndroi në këtë Universitet, në cilësi të profesorit të ftuar (professeur invité), dhe me atë rast mbajti një cikël ligjëratash për çështjen e Kosovës.Opusi i tij profesional dhe shkencor është mjaft i gjerë. Botoi disa libra dhe më se 100 studime e artikuj në revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendit nga fusha e demografisë. Në vitet ‘90 të shekullit të kaluar ishte aktiv në lëvizjen politike e kombëtare. Në periudhën 1990-1995 drejtoi një parti politike. Ishte deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës (1992-1998) dhe anëtar i Delegacionit kosovar në Konferencën e Londrës (1992), i Delegacionit kosovar në Konferencën e Gjenevës lidhur me negociatat për arsimin shqip (1992-1994) dhe anëtar i disa delegacioneve të tjera të Kosovës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni