Leku shqiptarë mbush 85 vjet

85 vjet më parë, në vitin 1926, Banka Kombëtare e Shqipërisë emetoi kartmonedhën e parë të lekut duke i dhënë vendit për herë të parë në histori monedhën e vet kombëtare.

“Sistemi monetar i vendit, jo vetëm që shpreh sovranitetin e politikave ekonomike të shtetit, por edhe i forcon ato”, ka deklaruar në një ceremoni guvernatori Ardian Fullani.

Ndërsa për kryeministrin Berisha, leku ka qenë krahas himnit dhe flamurit simboli kombëtar i vendit, i cili i ka rezistuar me dinjitet kohës dhe madje edhe momenteve më të vështira.

“Monedha shqiptare në vitet e tsunamit financiar botëror qëndroi si një faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit. U përball me një situatë të vështirë ekonomike, por u përmbajt si një lek i vërtetë”, ka deklaruar Berisha.

Në 85 vjet leku ka qenë pjesë e pandashme e historisë dhe baza e sistemit financiar të Shqipërisë. Kryeministri thotë se misioni dhe rrugëtimi i monedhës kombëtare përfundojnë me dinjitet në Bruksel.

“Ecën drejt sistemit europian monetar me dinjitet të vërtetë dhe ditën që do të hyjmë në atë familje do të hyjmë si një zonjë sovrane, që ka vendosur të bashkohet me sistemin monetar evropian më të mirë”, ka pohuar Berisha.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni