Miqtë dhe të afërmit kanë zhvilluar sot homazhe para trupit të pajetë të Ardian Klosit, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e datës 26 prill. Biblioteka Kombëtare hapi dyert sot për mbajtjen e homazheve në nderim të publicistit, shkrimtarit, përkthyesit të njohur.

Trupi i pajetë i tij u vendos në hollin e Bibliotekës Kombëtare dhe nga ora 12.00-14.00 janë zhvilluar homazhet para përcjelljes së trupit të pajetë të Klosit për në banesën e fundit. Ardian Klosi u gjet në shtëpinë e tij pak para mesnatës së 26 prillit, teksa i kishte dhënë fund jetës përmes vetëvarjes.

Personalitete të shumta të politikës, medias, letrave shqipe kanë parakaluar me radhë përpara trupit të pajetë të publicistit të njohur Ardian Klosi për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i njohur edhe si një nga miqtë më të afërt të Klosit, ka qenë i pranishëm në ambientet e Bibliotekës Kombëtare që prej fillimit të homazheve, duke pritur dhe përcjellë miq, të afërm dhe kolegë të të ndjerit Ardian Klosi.

“Ishte një mendje e lirë, e hapur, kritike si pakkush, mendoj se sa me shumë kalojnë ditët aq më shumë do të ndihet mungesa e tij mes nesh”, – u shpreh Remzi Lami, drejtor i Institutit të Medias, pasi doli nga homazhet në nder të tij.

Ndërkohë, vlerësimet e tyre i kanë shprehur edhe të tjerë personalitete si ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi i cili e ka vlerësuar Klosin si një aktivistë të palodhur dhe zë të fuqishëm intelektual. Kreu PDS-së, Paskal Milo,  ka vlerësuar Klosin si vlerë të madhe shpirtërore dhe korife i intelektualizmit shqiptar.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i LSI, edhe emër të partisë që përfaqëson është shprehur:
“Edhe një humbje e rëndë dhe e pazëvendësueshme, në radhë të parë për familje, por edhe për të gjithë ata që e kanë njohur dhe për tërë opinionin shqiptar. Në rastin e Klosit, një njeriu me dimensione të spikatura, pesha e dhimbjes është më e madhe. Të gjithë kemi se çfarë të gjejmë si referencë të vlerave në gjithë veprimtarinë e Klosit, për ta ruajtur si shembullin e qytetarit të vendit”.

Ardian Klosi ishte publicist, shkrimtar, përkthyes dhe aktivist i shoqërisë civile. Klosi lindi në vitin 1957 dhe u diplomua në vitin 1981 në degën Gjuhë-Letërsi, në Universitetin e Tiranës.
Më pas, në vitin 1990 mbrojti me sukses studimet doktorale. Në 1993 ai u transferua ne Gjermani ku jetoi pesë vite. Atje Klosi u njoh me fotografen Jutta Benzenberg, e cila do të bëhej edhe bashkëshortja e tij. Nga kjo martesë Klosi pati dy vajza.

Pas 1998-s, Klosi u rikthye në atdhe, dhe nga ajo kohë u angazhua fuqishëm në aktivitetet e shoqërisë civile, në botën e letrave dhe të mendimit. Vitet e fundit të jetës publicisti Klosi u shfaq edhe si ambientalist. Ai dha një mbështetje të madhe kauzave të shoqërisë civile edhe sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ku veçojmë aktivizimin e Klosit kundër shembjes së Piramidës.

Veprimtaria e Ardian Klosit është e lidhur veçanërisht me librat. Krijimtaria e tij është shumë e pasur dhe midis librave të ndryshëm, veçohen “Refleksione” , “Shqipëria,  zgjim i dhunshëm”,  “Quo vadis Shqipëri” dhe “Shqipëria ç’mund të jetë”. Ai gjithashtu publikoi vepra në gjermanisht, si “Mbijetesë Shqiptare” dhe botoi fjalorin gjermanisht-shqip, në bashkëpunim me disa autorë të tjerë, në vitin 1997.

I paçmuar është kontributi i tij në fushën e përkthimit, ku ai ka sjellë perla të letërsisë botërore, sidomos asaj gjermane, me një mjeshtëri të përsosur. Në vitin 2008, me përkthimin e veprës “Skënderbeu”,  të studiuesit gjerman Oliver Jens Schmitt, Ardian Klosi solli një imazh të ri të Heroit Kombëtar dhe ngjalli shumë debate në opinionin publik. 28 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)

SHPËRNDAJE