Kastrati mori udhëheqjen e FSK-së

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë të martën është zhvilluar ceremonia e ndërrimit të komandantit të FSK-së. Prej sot detyrën e komandantit të kësaj force e mori gjeneralmajor Kadri Kastrati, kurse gjenerallejtënant Sylejman Selimi do të vazhdojë karrierën e tij në diplomaci.

http://www.botasot.info/img/22_11_2011_FSK_111_%5B%5D.jpgNë këtë ceremoni kanë marr pjesë udhëheqësit më të lartë shtetëror të vendit, që nuk kanë munguar as lëvdatat për punën që ka bërë deri më sot për FSK-në, komandat Sylejman Selimi.

Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se FSK-ja është ndër institucionet më të respektuara dhe më kredibile të shtetit tonë, pjesëtarët e së cilës me zell e përkushtim po punojnë për vendin.

“Republika e Kosovës mirëpret përkrahjen e mëtutjeshme të FSK-së drejt synimit të saj të bëhet pjesë e partneritetit për paqe me anëtar me të drejta të plota e NATO-së”, ka thënë Jahjaga.

Sipas saj zhvillimi i FSK-së është i lidhur ngushtë me rrugëtimin e Kosovës për liri, pavarësi e demokraci.

Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se ky moment është një tregues i qartë se FSK-ja tashmë ka arritur një përgatitje profesionale, si në aspektin e ngritjes së kapaciteteve të saja vepruese e gjithashtu në menaxhimin e punës së suksesshme të punës së saj.

Ndryshe gjenerali në ikje, Sylejman Selimi, ka qenë ish- komandat i UÇK-së i cili u zëvendësua nga gjeneral Agim Çeku. Po ashtu ishte Selimi ai që e zëvendësoi Çekun në kohën kur ai u emërua kryeministër i Kosovës, për të marrë mandej edhe postin e komandantit të FSK-së pas transformimit të TMK-së. Pas shumë vitesh si ushtarak, Selimi pritet të nisë karrierën e tij në diplomaci.

Ndërkaq gjeneral Kadri Kastrati ka qenë ish- zëvendëskomandat i UÇK-së në Zonën e Llapit, ndërsa për më pak se 3 vjet ka qenë shef i operacioneve në FSK.

* * * * * * *

Fjalimi i plotë i Presidentes Jahjaga në ceremoninë e ndërrimit të komandës së Forcës së Sigurisë të Kosovës

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar pjesëtarë të Forcës së Sigurisë të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të NATO-s dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë,
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar qytetarë,
Zonja dhe zotërinj,

Forca e Sigurisë së Kosovës është ndër institucionet më të respektuara dhe më kredibile të shtetit tonë. Në radhët e saj janë radhitur të rinjtë dhe të rejat, qytetarët më besnikë dhe të përkushtuar të këtij vendi, që me zell po marrin pjesë në procesin e shtetndërtimit.
Zhvillimi i FSK-së është i lidhur ngushtë me rrugëtimin e Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Emri dhe misioni i saj bart me vete synimin tonë për të krijuar infrastrukturën e plotë të sigurisë. Me këtë, ne po krijojmë kushtet që mundësojnë zhvillimin dhe frymimin e institucioneve të përgjegjshme në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike, fetare apo racore.
Nën përkujdesjen e NATO-s dhe organizatave të specializuara si Garda Kombëtare Amerikane, FSK-ja po ndërton kapacitetet e veta duke shkolluar kuadro të reja sipas standardeve të larta ndërkombëtare, me qëllim që në një të ardhme të afërt të bëhet pjesë e misioneve paqeruajtëse dhe humanitare në botë.
Republika e Kosovës mirëpret përkrahjen në ndërtimin e mëtutjeshëm të FSK-së drejt synimit të saj që të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe dhe anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Në integrimin tonë euroatlantik, ju do të jeni mekanizëm i rëndësishëm i zbatimit të politikave të mbrojtjes dhe të sigurisë së vendit tonë dhe i angazhimit dhe kontributit të Republikës së Kosovës në misionet e përbashkëta me partnerët tanë strategjik ndërkombëtarë.
Në kuadër të strategjisë tonë për krijimin e forcave të armatosura, ju tashmë keni krijuar themelin e strukturës së sigurisë dhe jeni të gatshëm të merrni të gjitha përgjegjësitë, detyrat dhe obligimet që vendi i kërkon prej juve. Forcat e armatosura në botë demokratike vihen në shërbim të qytetarëve dhe të vendit. Ato janë të gatshme të intervenojnë kudo që paraqitet nevoja për të ndihmuar qytetarët në kuadër të një gërshetimi të misionit civil emergjent me mision ushtarak mbrojtës dhe parandalues. Forcat e armatosura tani kanë rol të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm në sigurinë kombëtare.
Të nderuar pjesëmarrës,
Sot kjo ceremoni e ndërrimit të komandës është një e arritur e madhe e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Me këtë rast i shprehim mirënjohje gjenerallejtënant Sylejman Selimit për udhëheqjen e tij shembullore, përkushtimin dhe angazhimin e tij profesional në ndërtimin dhe forcimin e kësaj force. Për kontributin dhe punën tuaj, si Presidente e Republikës së Kosovës e dekoroj komandantin e deritashëm të FSK-së, gjenerallejtënant Selimin me Medaljen e Artë të Lirisë.
Unë, Presidentja e vendit, Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, me dekret të veçantë e kam emëruar gjeneralmajor Kadri Kastratin komandant të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Përkrahja ime për Forcën e Sigurisë së Kosovë, për ju ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, do të jetë e përhershme dhe e parezervë si obligim kushtetues dhe ligjor, në rritjen, transformimin dhe forcimin tuaj.
Si institucion ju keni tubuar brenda vetes bijtë dhe bijat më të mira të këtij vendi. Të udhëhequr nga respekti, nderi dhe krenaria ju keni besimin e popullit, përkrahjen institucionale dhe paraqisni suksesin e ndërtimit të shtetit tonë.
Ne po ndërtojmë një vizion të ri për vendin dhe popullin tonë, vizionin e një force të qëndrueshme me një të ardhme të qartë dhe prosperuese.
Ne po japim shembullin më të mirë të bashkëpunimit në rajon dhe po shndërrohemi në një urë që lidh popujt dhe vendet, duke i dhënë një dimension të veçantë mekanizmave të sigurisë dhe të mbrojtjes të ndërtuar mbi vlerat e dinjitetit qytetar.
Forca e Sigurisë së Kosovës po bëhet mishërim i idealeve në Kosovë dhe mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit me strukturat ndërkombëtare të sigurisë dhe të mbrojtjes, në interes të atdheut, të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe botë.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni