Francë, tre fëmijë dhe një mësues vriten në shkollën hebraike

Policia franceze është vënë në kërkim të një vrasësi që lëviz me motoçikletë, me një fytyrë me tatuazhe, i cili besohet të jetë neonazist, pasi katër persona u vranë jashtë një shkolle hebraike në Toulouse, mëngjesin e djeshëm. Një 30-vjeçar dhe dy djemtë e tij të vegjël, tre dhe gjashtë vjeç, ishin mes viktimave, bashkë me vajzën tetëvjeçare të drejtoreshës së shkollës. Vrasjet e fundit ndodhën një javë pasi dy raste me të shtëna, një në Toulouse dhe një tjetër 30 milje më larg, në Montauban, lanë tre para-ushtarë të vdekur dhe një person të katërt të plagosur. Policia mendon se të shtënat, të cilat ndodhën jashtë shkollës “Ozar Hatorah”, tregojnë se një vrasës i ekstremit të djathtë ka nisur të sulmojë minoritetet etnike. Të gjitha viktimat deri tani kanë qenë hebrenj, njerëz më ngjyrë apo me origjinë veri-afrikane. Pasditen e djeshme u konfirmua se arma e përdorur në të shtënat e shkollës është përdorur edhe në dy incidentet e mëparshme. Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, e ka cilësuar ngjarjen si tragjedi kombëtare. “Ky është tmerr. Kjo është tragjedi. Nuk mund ta shpjegoj arsyen pse ndodhi. Nuk e pranoj idenë se dikush mund t’i vrasë njerëzit në shkollën hebraike. Është tragjedi. Ky akt godet familjet në ato çka kanë më të shtrenjtë, fëmijët e tyre, dhe fut në zi gjithë kombin”, tha Sarkozi. (Panorama)

SHPËRNDAJE